Lajme

Në një krahasim ndërkombëtar, Zvicra bën dukshëm më pak testime

Në një analizë të emetuar në televizionin RTS të Zvicrës frankofone, thuhet se në Zvicër kryhen më pak teste se sa në vendet e saj fqinje ose në SHBA

Në Zvicër po paraqiten gjithnjë e më shumë zëra që bëjnë thirrje për më shumë testime, në funksion të luftimit të pandemisë.

Në fakt, në një analizë të emetuar në televizionin RTS të Zvicrës frankofone, thuhet se në Zvicër kryhen dukshëm më pak teste për koronavirus se sa në vendet e saj fqinje ose në SHBA.

Testet, të cilat janë thelbësore për të frenuar Covid-19, po realizohen me kursim në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Gjatë verës, mesatarisht 5.3 në 1000 njerëz janë testuar për çdo javë. Në Francë dhe Gjermani ky numër është 8, që përbën një ndryshim të rëndësishëm.

Në Shtetet e Bashkuara raporti në fjalë është madje 17.6 testime në 1000 njerëz në javë. Zvicra duhet të zgjohet, është shprehur epidemiologu i Gjenevës Didier Pittet, në një intervistë për RTS .