E-Diaspora

Nën magjinë e dritës

“Një fotografi e bukur në 90 % të rasteve është rezultat i punës së madhe dhe vetëm 10%, meritë e fatit”. Për këtë u bindëm në një ekspeditë me dy fotografë të pasionuar: Jusuf Bajrami dhe Burim Muqa

Etange de la Gruère është një digë në kantonin e Jura-s, që për t`i shërbyer një mulliri, ishte ndërtuar në shekullin e 17-të. Tash, ky liqe dhe natyra e bukur që e rrethon, është pjesë e një rezervati natyror në komunën e Saignelégier.

Lindja e diellit mbi këtë liqe pritej të ndodhte rreth orës 8 të mëngjesit në një të shtunë të ftohtë nëntori, kur temperatura sillej rreth minus 3 gradë.

Por për të kapur lindjen e diellit aty, Jusuf Bajrami nga Kantoni i Thurgau-t dhe Burim Muqa nga Cyrihu, që të dy fotografë të pasionuar të peizazheve natyrore, u deshën të zgjoheshin shumë herët atë mëngjes. Më pas ata do të takoheshin me mua për të vazhduar tek destinacioni ynë i paracaktuar 2 javë më parë. Për mua ishte hera e parë, por jo edhe për ata dy, pasi që e kishin vizituar këtë vend të paktën edhe disa herë tjera.

© Jusuf Bajrami

„Një fotografi e bukur në 90 % të rasteve është rezultat i punës së madhe, ndërsa vetëm 10% është meritë e fatit. Por nëse për foton e projektuar më parë, viziton një vend disa herë, derisa drita dhe kushtet atmosferike të jenë ashtu siç dëshirojmë, atëherë përqindja e fatit sa vjen e zvogëlohet“.

Kjo shprehje përshkruan më së miri fotografët e natyrës, sepse falë pasionit të tyre për këtë zhanër të fotografisë, ata këmbëngulin në maksimum për të arritur atë lloj shkrepje, e cila arrin objektivat e planifikuar.

© Burim Muqa

Dy orë rrugë në një drejtim, për 15 minuta shkrepje

Arrijmë me pak vonesë tek parkingu i liqenit, por ende ishim në kohë për të pritur lindjen e diellit. Të pajisur edhe me veshje për të përballuar të ftohtin si dhe me kamera cilësore, shkojmë tek vendi që e kishin caktuar për t`i bërë shkrepjet e para.

Dhe fiks në orën 08:21, mbi liqe na shfaqen edhe rrezet e para të diellit. Në atë moment fillojnë edhe shkrepjet e Burimit dhe të Jusufit, me kamerat e vendosura në trekëmbësha, teksa lëviznin nga njëri pozicion në tjetrin, nxitonin të bënin punën e tyre, nxitim që në fillim nuk e kuptova.

© Burim Muqa

“Kaq ishte për sot“ tha njëri nga fotografët pas vetëm 15 minutave, dhe nga kjo mori kuptim edhe nxitimi i tyre. Edhe pse parashikimi i kushteve meteorologjike, si lagështia e ajrit, mundësia për reshje si dhe faktorë tjerë, fillimisht dukeshin premtuese, dhe përkundër faktit që kishin bërë mbi 2 orë rrugëtim me veturë për vetëm 15 minuta shkrepje, tek fotografët nuk pashë ndonjë shenjë dëshpërimi. Pasi që të dy e bëjnë këtë punë me pasion të veçantë, ata vetëm iu gëzuan tentimit të tyre për kapur ndonjë foto të bukur, diçka që jo çdo herë ndodhë.

Por ky „dështim“ vetëm sa nxiti një valë shakash e batutash mes njëri tjetrit, pasi që janë miq të mirë, e kanë ca vite që bëjnë ekspedita të përbashkëta fotografike, ndërsa shakatë janë pjesë e pandarë e tyre.

© Jusuf Bajrami

Një pasion që kërkon edhe sakrificë

Pas ekspeditës, deri sa po pinim kafe në një lokal, filluan diskutimet se si të bëhet një fotografi e mirë e natyrës.

Për Jusufin dhe Burimin arsyeja se pse merren me këtë zhanër është dashuria që kanë për natyrën, si diçka perfekte, një arsye kjo që reflektohet në punën e tyre, ku ndërhyrjet kompjuterike janë minimale.

© Jusuf Bajrami

E për të bërë ato “shkrepjet e duhura”, ata shpesh vizitojnë vendet e njohura më parë, ngase dinë pak a shumë edhe karakteristikat e atij vendi. Por falë zhvillimit teknologjik, ku përfshihen tashmë edhe regjistrime e drejtpërdrejta me kamera, puna në parashikimin e kushteve është bërë me e lehtë. Edhe pse një projeksion paraprak është i domosdoshëm, por jo çdo herë arrihet ajo që projektohet, siç ndodhi edhe në këtë rast.

© Burim Muqa

Duke qenë se që të dy janë të angazhuar në profesione të ndryshme, fotografinë e kanë si një hobi e pasion që e ushtrojnë me jo pak sakrifica. Pos që përmes tij shprehin aftësitë e tyre artistike, ky hobi është po ashtu edhe si një lloj terapie relaksuese për ta.

Mirushë © Burim Muqa

Deri më tani ata kanë bërë ekspedita të shumta, ndërsa si një vend i parapëlqyer i tyre për fotografi është padyshim Vargmali i Dolomiteve në Itali. Ai nga të dy cilësohet si një parajsë për fotografin e peizazheve natyrore.

Pasi që arritëm tek pika në të cilën më morën, Jusufi dhe Burimi vazhduan për në shtëpitë e tyre. Atje do të kalonin pjesën e mbetur të fundjavës, duke bërë planet për ekspeditat e ardhshme fotografike, njëra ndër të cilat është padyshim Islanda, e njohur shumë për „Dritat veriore“ apo Aurora Borealis.

Jusuf Bajrami

I lindur në Gostivar, me profesion është polimekanik. Është një fotograf i pasionuar. Fillimisht fëmijët e tij ishin cak i shkrepjeve të tij të para, që t`i kishin si kujtim, por me zgjimin e interesimit e duke lexuar e mësuar më shumë rreth fotografisë, sot pas 4 vitesh, ky pasion është kthyer në aktivitetin kryesor të tij gjatë kohës së lirë. Preferon më shumë të fotografojë momente mistike dhe natyrë të reduktuar. Pasi nuk pretendon të fitojë nga fotografia, si qëllim ka që përmes saj të bëjë përcjelljen e emocioneve artdashësit.

Burim Muqa

Është nga komuna e Suharekës dhe ka 18 vite që jeton në Zvicër. Edhe pse me profesion është programues softuerësh në një kompani serioze në Zvicër, fotografinë e ka „zbuluar“ para 6 vitesh. Kishte filluar me familjen dhe natyrën përreth, pasionin që tashmë është aktiviteti i tij kryesor gjatë kohës së lirë. Pas shumë vizitave dhe fotografive të bëra në vende të ndryshme të Evropës, fotografitë e Burimit pëlqehen nga shumë njerëz. Disa nga to janë vlerësuar në konkurse e ekspozita të ndryshme në Kosovë dhe Zvicër. Fotografia e tij ishte në 10 më të mirat në konkursin e edicionit zviceran në 100 vjetorin e Nikon-it, pastaj e dyta tek “Wiki loves Kosovo”, e po ashtu në Top 10 tek Swiss Photo Award.