Kosova

Nga e hëna, Policia kontrollon gjendjen teknike të automjeteve

“Ndaj veturave të cilat nuk janë në gjendje të rregullt teknike, merret masa e shkyçjes nga trafiku deri në largimin e parregullsisë duke e dëshmuar me vërtetim të rregullsisë. Kurse ndaj vozitësit do të shqiptohet fletëparaqitja për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë

Policia e Kosovës nga nesër (e hënë, 4 dhjetor) do të fillojë kontrollimin e gjendjes teknike të automjeteve në komunikacion. Ky kontroll nis në kuadër të planit të sezonit dimëror, i cili kërkon nga ngasësit të pajisen me goma të dimrit dhe zinxhirë.  Sipas Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NjRKRr) në Prishtinë ky kontrollim i automjeteve do të bëhet me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të numrit të aksidenteve si dhe rritjes së shkallës së sigurisë në komunikacion.

“Vetëdijesimi i qytetarëve për zbatimin e rregullave të komunikacionit në rrugë në kushtet dimërore, shtimi i masave të sigurisë me qëllim të rrjedhjes normale dhe qarkullimit të lirë të trafikut dhe lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në komunikacion, janë qëllimet e këtij plani” thuhet në njoftim, transmeton Tg.

Policia ka shpjeguar po ashtu edhe për masat që ndërmerren ndaj personave me automjete në gjendje jo të rregullt teknike.

“Ndaj veturave të cilat nuk janë në gjendje të rregullt teknike, merret masa e shkyçjes nga trafiku deri në largimin e parregullsisë duke e dëshmuar me vërtetim të rregullsisë. Kurse ndaj vozitësit do të shqiptohet fletëparaqitja për kundërvajtje”, thuhet në njoftim.

Ky operacion kontrollimi nga Policia do të zgjasë deri më 8 dhjetor, me mundësi vazhdimi.

Për realizimin e këtij plani të kontrollit të shtuar të komunikacionit, Policia do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me Ministrinë e Infrastrukturës – Departamentin e Inspektimit. Sipas Policisë një ndër shkaktarët e aksidenteve të trafikut me pasoja të ndryshme është dhe gjendja teknike e automjeteve në pikëpamje të mosfunksionimit të sistemit të frenimit dhe drejtimit si dhe mosposedimi i pajisjeve dimërore.