Kosova
Nga Prishtina në Gjenevë: Romani i Apollonit flet frëngjisht
Shkrimtari Ag Apolloni u prezantua në Panairin e Librit në Gjenevë me romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt
Më 23 mars 2025, në ambientet e “Lize’s Bookstore”, në kuadër të Panairit të Librit në Gjenevë, shkrimtari nga Prishtina, Ag Apolloni, prezantoi për herë të parë në frëngjisht romanin e tij dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Libri është përkthyer nga Sébastien Gricourt, përkthyes i njohur dhe njohës i thellë i realitetit shqiptar.
Kjo pjesëmarrje, siç u shpreh vetë autori për albinfo.ch, përfaqëson një hap domethënës në rrugën e përfaqësimit të letërsisë shqipe në hapësira ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja në Panairin e Librit në Gjenevë është një formë prezantimi dhe promovimi e letërsisë shqipe në diasporë. Organizatorët e stendës shqiptare janë udhëhequr nga një synim dhe vullnet i mirë për ta bërë të pranishme edhe letërsinë tonë në këtë panair të rëndësishëm”, shprehet Apolloni.
Ky promovim shënon nisjen e një turi letrar për Ag Apollonin, që do të vazhdojë në Leipzig, Lubjanë, Paris dhe më pas në Athinë, ku romani do të prezantohet edhe në një skenë teatrore.
Përkthimi: nga kontakti i parë, në miqësi letrare
Përkthimi i romanit në gjuhën frënge lindi nga një nismë e vetë përkthyesit. “Nuk e kam njohur më parë Sébastien-in. Ai më kontaktoi për të kërkuar leje për përkthim dhe prej andej nisi një bashkëpunim i shkëlqyeshëm – që u kthye edhe në miqësi,” tha autori.
Ai vlerësoi punën e përkthyesit si të kujdesshme dhe të ndjeshme ndaj nuancave letrare e kulturore të romanit: “Përkthimi është bërë me kujdes të veçantë. Sébastien-i e njeh mirë letërsinë shqipe dhe, çka është më e rëndësishme, e njeh nga afër temën për të cilën flet romani.”
Përkthyesi i librit në frëngjishte, Sébastien Gricourt
Letërsia që tejkalon kufijtë kombëtarë
Apolloni thekson se vepra e tij nuk është e kufizuar në një kontekst thjesht shqiptar, por se trajton një tragjedi universale. “Unë kurrë s’kam shkruar një vepër nacionale, por një vepër për tragjedinë njerëzore, që, siç shihet edhe nga paradigmat mitike të romanit, thjesht riciklohen nëpër kohë dhe kombe”, thotë ai.
Duke qenë se letërsia bashkëkohore kosovare nuk njihet sa duhet në Francë, Apolloni shpreson që lexuesit frankofonë ta shohin këtë roman si një dritare drejt një historie që ndërlidhet me fatin njerëzor në përgjithësi.
Estetikë, filozofi dhe identitet autorësh
Autori flet për mënyrën si ndërthur filozofinë, historinë dhe letërsinë në tekstet e tij: “Çdo tekst, edhe etimologjikisht, është thurje. Të thurësh një vepër me penj të ndryshëm është akti më normal që mund të bëjë një shkrimtar. Edhe kur ngjarja duket historike, shkrimtari në vend se ‘history’, tregon ‘his story’.”
Ai shton se dimensioni filozofik është natyrshëm i pranishëm në letërsinë që ai shkruan dhe krijon: “Letërsia e ideve është ajo që unë e preferoj dhe e krijoj”.
Prania këtu, është vetë mesazhi
Kur e pyesim nëse ka një mesazh për lexuesit në Gjenevë dhe më gjerë, Ag Apolloni përgjigjet shkurt: “Vetë ardhja ime këtu është një mesazh që librat duhen lexuar”. Ai e sheh panairin jo vetëm si vend ekspozimi, por si hapësirë për takime, diskutime dhe shkëmbim kulturor, ku lexuesi bëhet pjesë e një dialogu më të gjerë me autorin.
Të shkruash edhe kur fle
Në fund, i pyetur për planet e tij, shkrimtari përgjigjet me humor e thellësi njëkohësisht: “Planet e mia janë të shumta: krijuese, studimore dhe akademike. Shkrimtari gjithmonë është duke punuar, qoftë edhe kur është duke fjetur”.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Alban Elezi Cannaferina siguron podiumin e parë në Kupën e Botës Podiumi i parë i Botërorit për 22-vjeçarin Alban Elezi Cannaferina... -
Rumani
Po udhëtonte drejt Francës, i riu shqiptar humb jetën në një aksident -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026 -
Toronto
Shqiptarja nga diaspora drejt Olimpiadës Dimërore 2026 me flamurin kuqezi -
Greqi
Denik Prizreni përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkulturor 2026 në Athinë
Jeta në Zvicër
-
Cyrih: Debati mbi menutë vegane për nxënësit e shkollave Parlamenti i qytetit të Cyrihut po shqyrton mundësinë e ofrimit të ushqimeve vegane për nxënësit e... -
Katër shtetas zviceranë mbështetës të ISIS-it në kampe në Siri -
Këshilli Federal dëshiron mbrojtje më të mirë për komunitetin LGBTQIA+ -
Gjeneva paralajmëron për rritjen e pasigurisë -
Vonesa në pagesën e përfitimeve të papunësisë në Zvicër















