Kosova

Shqipëri: Emigracioni elitar, fenomen shqetësues

Statistikat për fenomenin e emigracionit nga Shqipëria janë shqetësuese. Sipas ekspertëve, emigrimi i viteve të fundit dallon nga ai viteve ’90-ta.

Gjatë vitit 2018, 38.703 shqiptarë lanë vendin për të emigruar jashtë kufijve. Më herët, në vitet 2011-2017 u numëruan 330 mijë persona që ikën si emigrantë. Shifrat bëhen publike zyrtarisht nga Instituti i Statistikave. Situata është serioze, thonë ekspertët. Ata kërkojnë nga klasa politike që të ndërhyhet sa më parë për të ndaluar këtë fenomen, i cili së fundmi po i merr vendit të rinjtë e kualifikuar.

Emigracion “i vonuar”

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Deutsche Welle-n se emigracioni i viteve të fundit është krejt i ndryshëm nga ai i viteve ’90, i cili, sipas tij, kishte karakter politik dhe preku të gjitha shtresat shoqërore. “Tani po përballemi me një emigracion që unë e quaj të vonuar, i cili ndryshon nga ai i viteve ’90. Ndryshon nga përmasat, nga motivimet, nga arsyet, nga shkaqet, nga struktura sociale e atyre që largohen”, përcjell albinfo.ch.

Arsyet e emigrimit të ri

Sipas ekspertit Gëzim Tushi, ata që po braktisin sot vendin janë të lodhur nga pritja e vazhdueshme për zbatimin e reformave në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi. Faktorët e shumtë, arsyeton Tushi, çojnë edhe në një sërë pasojash të rënda për shoqërinë shqiptare. “Emigracioni i fundit po jep pasoja të fuqishme demografike dhe social-ekonomike, siç është boshatisja e vendit, plakja e popullsisë, ulja e numrit të lindjeve, në të cilat emigracioni ka “peshën e luanit”, sepse ata që largohen nga vendi janë përgjithësisht moshë e re, me aftësi të mëdha prodhuese. Një pjesë e mirë e tyre janë elitarë nga pikëpamja profesionale dhe kjo është shqetësuese. Po ikën elita e vendit, “truri”, largimi i profesionistëve, siç janë inxhinierët, mjekët, punonjës të IT-së, infermierë, mësues, të cilët kur largohen nga vendi, krijojnë vakuume që nuk mund të plotësohen kollaj. Për ta është investuar dhe largimi i tyre krijon boshllëqe të mëdha”, i thotë Gëzim Tushi DW-së.