Opinione

Një delirant dhe shoqëria e gënjeshtrave

Nuk e di sesi mund të më krijohej një lidhje midis një debati mes filozofësh grekë që më risillet në mend dhe e gjej te vepra e Platonit mbi republikën dhe emisionit të fundit të një pasditeje te televizioni Klan.

Moderatorja, një zonjë shumë e sjellshme, kishte ftuar një djalë të ri, i cili tregonte sesi kishte arritur një sukses shumë të madh në krijimin e tij artistik që na nderonte si komb, si qytet lindjeje dhe atë si person. Në Moskë, në një ekspozitë, piktura e tij paskësh fituar çmimin e parë dhe ishte ekspozuar në galerinë e artit modern !!!

Doli se djali gënjente. Në rrjetet sociale u përfol me të drejtë se piktura që ai tregonte si e tija ishte e një piktori anglez a tjetër. Skandal i pashoq. Aq më tepër që djaloshi tregonte me pasion sesi ishte ndjerë kur ishte lançuar emri i tij mes krijuesish nga e gjithë bota. Ai jepte edhe këshilla se çfarë duhej të bënin talentet e reja shqiptare që të ndiqnin rrugën e tij të suksesit!

Thjesht një mashtrim!

Çfarë lidhje ka me filozofinë e Platonit? Lidhja është që Platoni prej mese 2000 vjetësh argumenton dallimin e madh midis shoqërisë të mbështetur te opinionet subjektive, te doxa, dhe shoqërisë që mbështetet te shkenca, te idetë e vërteta, eidoset, apo te dija, sofia.

Tjetër doxa e tjetër sofia.

Rudina nuk ka faj që u befasua nga djaloshi. Unë e kuptoj atë djalosh. Shoqëria jonë jeton e zhytur në një botë mashtrimesh, gënjeshtrash, lavdish të paqëna, bëmash të pabëra, kujtimesh të zbukuruara, thashethemesh pa asnjë bazë, idesh pa asnjë logjikë, opinionesh fluturake të ardhura nga kushedi se çfarë kohësh. I zhytur në këtë univers, djaloshit i dukej jo ndonjë gënjeshtër e madhe që të thoshte se kishte fituar një çmim në Moskë.

Dhe e ka një justifikim.

Unë nuk di se ku ka më shumë gënjeshtra. Te fjalët e djaloshit që Rudina me fisnikëri kërkonte t’a promovonte, apo te emisionet e tjera ku lloj lloj personalitetesh publike zbukurojnë veten e tyre. Pra, nuk ka asgjë të veçantë. Problemi i djaloshit piktor është se ai gënjeu keq, nuk dinte të gënjente.

Por, unë nuk jam i sigurt nëse në emisionet e lajmeve, në rubrikat e kronikat informative, në intervista të tjera, në biseda në studio, në deklarime e në deklarata publike, premtime elektorale, analiza etj., ka më pak gënjeshtra të rrezikshme sesa ato rrenat e pafajshme të djalit piktor nga Berati.

I mërzitur duke vizatuar Beratin në tjegulla ai me siguri ka ëndërruar i shkreti të ishte fitues i një titulli a çmimi në Moskë, dhe në këtë ëndërrim ai nuk ka arritur më të bëjë dallimin midis ëndërrës edhe realitetit. Nuk ka psikolog, ose psikoterapet që të mos e dijë se ky kalim nuk është vështirë të bëhet.

Platoni na vendos përballë rrezikut që në vend të jemi shoqëri e dijes, të mbetemi shoqëri e opinionit. Dhe kjo ndodh më shumë në demokraci, ku shprehja është e lirë, sesa në diktaturë ku më shumë kemi shoqërinë e heshtjes. Në një farë kuptimi ne kemi kaluar nga shoqëri e heshtjes te shoqëria e gënjeshtrave.

Nuk është vetëm Platoni që dy mijë e ca vite më parë na e paralajmëronte, por edhe Walter Lippman, një nga teoricienët më të mëdhenj amerikanë për median, aty një shekull më parë, e sqaron këtë proces.

Ai shkruante që një vjedhës i një bankomati, a një kutie bankare, nuk bën ndonjë krim kushedi se çë, përpara krimit të madh të gënjeshtrës publike që shkakton pasoja të pamëshirshme për shoqërinë.

Jetojmë në një kohë kur stereotipet dhe stigmatet merren pa vërtetim si të vërteta. Pa asnjë fakt dhe pa asnjë verifikim të dhënash.

Kush nuk është dakord me mua, është gdhë dhe i keq. Hidhen supozime që nuk mbështeten askund veçse në teori konspirative. Ky duhet të jetë agjent serb!

Thashethemet gëlojnë pa ndarë dot të vërtetën nga rrena. Filani do të jetë kandidat për bashkinë e Cerrikut !

Shkojnë supozimet drejt delireve kur hamendësohen edhe luftërat e ardhshme botërore.

Gjykime apriori, të pambështetura në asnjë përvojë a test. Arsimi profesional e zgjidh papunësinë e rinisë !

Delire për të treguar sa i zoti është ky apo ai. I lexuar dhe i ditur !

Paragjykime që të zenë sytë.

Dëshira të marra për realitet. Turistët po gëlojnë dhe do të shtohen nga viti në vit ! Mite sidomos për vetveten. Politikan që na bën krenar !

Besime të verbëra pothuajse mbështetje te forca magjike. Zbukurime dhe zmadhime heroizmash të bëra nga ai që tregon. Gjithëdituri !

Opinione subjektive që askush nuk u mat shkallën e besueshmërisë. Fakte të cunguara.

Mungojnë faktet !

Mungojnë bazat e të dhënave !

Mungojnë shqyrtimet e prirjeve me krahasime nga viti në vit e nga rajoni në rajon !

A ecën më mirë shëndeti i shqiptarëve me aplikimin e check up –it ?

A janë ulur kalimet me automjete Kosovë – Shqipëri tani që rruga është me pagesë ?

A ka epidemi gripi në vend ?

Sa lekë duhet të shtojnë pensionistët që t’u dalin për të jetuar minimalisht ?

Sa lekë duhet të shtojnë shqiptarët për ngrohje për çdo gradë temperature të ulur në kohë dimri ?

Sa nivele më poshtë është cilësia e mësimit në klasat e arsimit universitar në zonat rurale sesa në zonat urbane ?

Sa është shkalla e nepotizimit në institucionet publike qendrore ?

Sa përqind e turistëve që vijnë përgjatë verës interesohen edhe për identitetin shqiptar të ekspozuar në muzetë e vendit ?

Këto pyetje dhe mijëra si këto mbeten pa u shtruar dhe pa përgjigje shkencore.

Vendin e dijes e zënë supozimet, deliret, thashethemet, anatemimet, zbukurimet e vetvetes.

Dhe përsëri këtu :

A ka faj djaloshi, një piktor i ri në aplikime artesh figurative në objekte utilitare ose zbukurimi, që rrëfen me pasion se ka fituar një çmim në Moskë ? Se ka zënë atje vendin e parë ? Se piktura e tij është ekspozuar në muzeun e artit modern ? A ka faj ai kur u jep pastaj këshilla brezave të rinj se çfarë duhet të bëjnë për suksesin e talenteve të tyre ?

Ai jeton në një botë gënjeshtre dhe deliresh prandaj e ka humbur aftësinë e dallimit midis të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Mos e gjykoni keq.

Ai është po aq gënjeshtar përballë sistemit të informacionit publik sa është i rrezikshëm, sipas Walter Lippman, një vjedhës i zakonshëm banke përballë një mashtruesi publik që përhap dezinformacion dhe mashtrime në publik! medialook.al/