Lajme

Një Gala mbrëmje e bukur për Festën e Flamurit, në Lozanë

Në këtë festë morën pjesë si të ftuar specialë ambasadorët: i Republikës së Shqipërisë Ilir Gjoni, i Republikës së Kosovës Sami Ukelli dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qenan Ramadani

25 nëntori nuk ishte një ditë e zakonshme për komunitetin shqiptar në Lozanë. Në një mbrëmje Gala po festohej 28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë festë morën pjesë si të ftuar specialë ambasadorët: i Republikës së Shqipërisë, Ilir Gjoni, i Republikës së Kosovës, Sami Ukelli dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qenan Ramadani. Ata mbajtën nga një fjalim interesant për këtë event. Me fjalime u paraqitën edhe personalitete të shquara shqiptare në komunitet, ashtu si dhe zviceranë. Me anë të këtij imazhi përcillet ideja e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të rezultateve të mira, të unionit të komunitetit shqiptar, të ruajtjes dhe përcjelljes së traditave, të shembullit të mirë për të ecur para në sa më shumë bashkëveprime.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

Për kuzhinën janë kujdesur 3 studentë të shkollës së hotelerisë në ambientet e Shkollës së Lartë të Hotelerisë së Lozanës, për festën e madhe për Ditën e Flamurit Kombëtar. Një festë që mbledh shqiptarët kudo ndodhen për qëllimin e tyre mbarëkombëtar. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për këtë event mbarëkombëtar në Lozanë, sepse kjo nuk është festë dosido, por festa e flamurit tonë kombëtar. Një flamur për të cilin janë dhënë sa e sa jetë, mund e djersë për të mbajtur gjallë shpirtin mbarëkombëtar të identitetit kombëtar.

Nuk ka munguar në këtë festë gala të udhëhequr nga Vjosa Gërvalla, drejtoresh e shoqatës albinfo.ch,  një program i ngjeshur artistik me personalitete të botës së muzikës, si edhe shoqata e shqiptarëve të kantonit Vaud.

Kjo mbrëmje është edhe një hap në funksion të mobilizimit të diasporës për të transferuar dhe përkthyer burimet e akumuluara në përfitimin e vendeve të origjinës, të problemeve dhe të meritave të zërit shqiptar në diasporë.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

Sot, edhe pse lidhjet janë të vërtetuara dhe premtuese, ne ende kemi nevojë të debatojmë rreth kushteve të favorshme për arritje efektive në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni. Rrjetet e diasporës janë dukshëm transnacionale, dhe në këtë mbrëmje të pranishmit do të bisedonin rreth këtij potenciali. Sepse është e nevojshme të kërkohen mënyra të reja në kufijtë e këtyre qasjeve tradicionale, për të eksploruar, shpjeguar dhe menaxhuar lidhjet diasporike me synimet zhvillimore.
Për këtë qëllim darka solemne u hartua dhe u realizua falë frymës inspiruese të nxënësve shqiptarë të kësaj shkolle, por edhe falë frymës së një mori shoqatave dhe personaliteteve të kantonit e të organizatorit Ibrahim Zili. Një takim të tillë e shohim të favorshëm sepse na jap mundësinë të debatojmë edhe më thellësisht rreth ndikimit të diasporës në zhvillimin e vendit të origjinës, të dialogojmë sa në veçanti, rreth rolit të ambasadorëve shqiptarë në lehtësimin e realizimit të këtij vullneti. Me rëndësi të vecantë është të komunikojmë dhe të përcjellim sa më shumë ndjenja mëmëdhedashëse sa mënyra për t’u përballur me sfidat tona.
Nga ana e të ftuarve ky event mbarëkombëtar u përfaqësua nga Ermira Lefort me piano, një pianiste me një karrierë ta pasur artistike në shumë vende të Evropës. Enkeleda Basha performoi në kanto.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

‘’Ma terre, mon pays, Fleure dë neige’’… “Atdheu im”, “Lule borë”, “Këngë moj” ishin këngët që u dëgjuan në një ndërthyerje muzikore në performim.
Ermira, e diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, është pianiste e njëkohësisht edhe pedagoge e pianos në Gjenevë. Si pianiste ajo ka performuar në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës si në SHBA, Angli, Danimarkë, Francë, Greqi, Qipro, Kroaci etj. Ajo është e lidhur ngushtë me komunitetin shqiptar si pjesë e rëndësishme e identitetit artistik e sigurisht profesional, personal sa të japë kontributin e saj në identitetin kombëtar në aktivizimin e komuniteteve kulturore shqiptare në Zvicër. Është një figurë publike që e nderon diasporën me personalitetin dhe punën e saj. Për rrjedhojë, jo vetëm njihet por është vlerësuar dhe vlerësohet në diasporën shqiptare për kontributin jo të pakët të saj.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

Enkeleda Basha është nga Tropoja. Ajo ka mbaruar shkencat politike në Kosovë. E këndshme sa njerëzor ajo i ka dhënë rëndësi bashkëpunimeve si artistike dhe kontributit të saj në ansamble të ndryshme si “Migjeni”, ”Dardania”. Ajo ka dhënë kontributin e saj edhe në Ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve të Tiranës.

Edhe të rinjtë nga ky kanton kanë performuar bukur për këtë event të rëndësishëm. Është Ansambli Kulturor e Artistik “Ilirët” i udhëhequr nga Ilir Bytyqi, që aktivitetin e tij e ka në qytetin e Lozanës. Ata kanë një përvojë tashmë të gjatë artistike, plot 25 vite dhe mbajnë lart frymën kombëtare duke performuar këngë të ndryshme shqiptare si edhe përcjellin një imazh mbresëlënës për komunitetin shqiptar jo vetëm në Zvicër.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

Grupi ArtBand përbëhet nga 4 djem, këndojnë këngë të rokut kosovar, këngë te lehta shqipe dhe pëlqehen shumë edhe për serenatat. Ata quhen: Ilir Bytyqi, Shpëtim Gashi, Flamur Sherifi dhe Shemsi Gashi.
Këtë mbrëmje e nderoi edhe Teatri “Kurora”. Një nismë e të rinjve shqiptare, të cilët që nga viti 1996 arritën të themelojnë këtë teatër shqiptar në Lozanë. Ata kanë dhënë një kontribut të vyer për çështjen shqiptare dhe sidomos për Kosovën, në kohën e okupimit serb.

Drama e sidomos teatri është vendi më i mirë ku mund të shpallen mesazhet e fuqishme për komunitetin por edhe për artdashësit dhe ky grup ka qenë i pakursyer për të dhënë sa më shumë kontribut thelbësor për çështjen e Kosovës.

© 2021 Albinfo.ch/Zamira Bytyqi

Hyrja në këtë mbrëmje kushtonte 100 franga, pensionistët dhe studentët paguanin nga 65 franga. Nën respektimin e masave të kovidit ky event jo vetëm i dha një sharm patriotik festës shqiptare po ishte një kumt më tepër i bashkëveprimit dhe bashkërendimit të problemeve shqiptare, ishte një lloj nisme për t’u ndjekur dhe një gala që duhet të kthehet në traditë. Kjo traditë duhet të shërbejë si nismë dhe simbolikë për çdo çështje shqiptare akoma të parealizuar. Ajo e nderoi jo vetëm Zvicrën, por shqiptarët kudo që ndodhen!
Flamuri të gjithë i bashkon në një, në të qenët shqiptar!!!


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI