Bota

Një numër në rritje i gjermanëve duan dorëheqjen e Merkelit

Merkel, në muajt e fundit ishte izoluar gjithnjë e më shumë pasi anëtarë të partisë së saj konservatore filluan presionin për të marrë një qëndrim të rreptë ndaj azilkërkuesve

Dyzet për qind e gjermanëve të anketuar besojnë se Angela Merkel duhet të japë dorëheqjen për shkak të politikës së saj ndaj refugjatëve, thuhet në një studim të publikuar, raporton AP, përcjell albinfo.ch.

Ky është sinjali i i fundit për rritjen e pakënaqësisë me pozitën e kancelares rreth pranimit të njerëzve të cilët për shkak të luftës dhe varfërisë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në zonën e në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Merkel, e cila gëzonte popullaritet të madh në fillim të vitit të kaluar, në muajt e fundit ishte izoluar gjithnjë e më shumë pasi anëtarë të partisë së saj konservatore filluan presionin për të marrë një qëndrim të rreptë ndaj azilkërkuesve.

Sondazhi nga revista „Focus“ i realizuar me 2,047 gjermanë në mes 22 dhe 25 janarit tregon se 45.2 për qind e të anketuarve besojnë se politika e refugjatëve e Kancelares nuk jep asnjë arsye për dorëheqjen e saj. Kjo është hera e parë që realizohet një anketë për t’u pyetur nëse Merkel duhet të largohet nga detyra.

Një tjetër studim, rezultatet e të cilit u publikuan të premten tregon se mbështetja për bllokun konservator të kancelares ka mbetur në 37 për qind. Në shtator mbështetja ishte 42 për qind, ndërsa mbështetja për SPD ka mbetur e pandryshuar në 24 për qind.

Alternativa e krahut të djathtë për Gjermaninë, e cila qëndron në një linjë të ashpër mbi emigracionin, mbështetet nga 11 për qind.

Për shkak të qëndrimit ndaj emigrantëve, Angela Merkel u kritikua edhe nga vendet e tjera të BE-së.