Integrimi

Një “Zonjë e hekurt” nga Drenica, funksionare e lartë në Valis të Zvicrës

Intervistë me Afërdita Bogiqin, shqiptaren e parë të zgjedhur në një post ekzekutiv në Zvicër. Ajo është bërë pjesë e ekzekutivit në komunën Monthey të kantonit konservator, Valisit

Rreth një muaj më parë, emri i Afërdita Bogiqit u gjet befas në shumë kryetituj të mediave të Kantonit të Valisit e më gjerë dhe në ato shqiptare. Drenicakja me qëndrim prej 25 vitesh në këtë kanton, u zgjodh pjesë e ekzekutivit të komunës Monthey, ku ajo jeton prej kohësh. Zgjedhja në këtë post përbënte lajm së pari për faktin se po zgjidhej gruaja e parë në ekzekutiv, pas 8 vitesh që ky nivel ishte pothuaj i “rezervuar” vetëm për meshkuj. Ndërsa lajmi fitonte edhe më shumë në peshë kur mësohej se gruaja që po merrte këtë post është e lindur dhe e rritur jashtë Zvicrës. Madje, ajo vinte nga Kosova. 

Nga ana “e jonë”, e komunitetit shqiptar të Zvicrës, zgjedhja e Afërditës në qeverinë e një komune zvicerane është një ngjarje, jo vetëm mediale, e dorës së parë. Në gjithë Zvicrën nga komuniteti shqiptar deri më sot ka një numër të konsiderueshëm asamblistësh komunalë dhe disa deputetë kantonesh, prej tyre, edhe gra. Por, zgjedhja në një ekzekutiv komune është një arritje shumë më e rrallë. Prandaj, Afërdita është vetëm e dyta ndër shqiptarët e Zvicrës, që është zgjedhur në këtë nivel deri tani.  

Me Afërdita Bogiqin biseduam për sfidën të cilën e ka para vetes, për punët dhe preokupimet që atë e presin në postin e ri etj. 

albinfo.ch: Zonja Bogiqi, na flisni pak për zgjedhjen tuaj në ekzekutivin e qyteti Monthey, si rrodhi kjo? 

Afërdita Bogiqi: Në fillim të këtij viti, iu përgjigja pozitivisht një kërkese për t’u prezantuar në zgjedhjet komunale në Monthey. Që prej muajit shkurt e kemi përgatitur fushatën dhe kemi punuar shumë në terren, qoftë duke marrë pjesë, qoftë  në ngjarjet e ndryshme, qoftë duke takuar popullatën e Monthey-t. Zgjedhja ime në këtë ekzekutiv është me siguri rezultat i punës së përbashkët të grupit politik të cilit i takoj (PS) por edhe i angazhimit tim personal gjatë fushatës dhe gjatë 25 viteve në këtë qytet dhe kanton.  

albinfo.ch: E vetmja grua përfaqësuese në ekzekutiv, pas tetë vitesh që aty kishte vetëm burra, çfarë do të thotë kjo për ju? 

Afërdita Bogiqi: Do të kisha dashur të jemi më shume gra të cilësdo parti, ngase jemi angazhuar së bashku me kandidatet tjera të të gjitha partive politike për një prezencë në numër më të madh te femrave në ekzekutivin e Monthey-t. Të jem e vetmja grua është privilegj që më jep fuqi ta përballoj këtë sfidë.   

albinfo.ch: Valisi është kanton me konservator. A ishte e vështirë si shqiptare, pastaj si grua dhe nënë? 

Afërdita Bogiqi: Valisi është në mesin e kantoneve më konservatore, edhe pse tendenca është që kjo të ndryshojë pak nga pak. Prezenca e një numri të madh të femrave në kuvendet komunale e sidomos në atë të Monthey-t e dëshmon këtë. Por vendet në ekzekutivin e një qyteti prej 18.000 banorësh siç është Monthey, janë “të shtrenjta” edhe për burrat. Pastaj femrat duhet t’i tejkalojnë edhe disa pengesa tjera sikur mungesa e vetëbesimit në kompetencën e tyre për ta menaxhuar një departament komunal, shpeshherë mungesa e një rrjeti shoqëror kualitativ, fakti që kandidatura e tyre është shpeshherë alibi për partitë… Megjithatë, këtë herë kishte kandidatura me kualitet, madje të të gjitha partive. 

Si shqiptarë mbase edhe mund të vuajmë nga një deficit imazhi i komunitetit tonë si grup. Por edhe kjo është në përmirësim e sipër, krahas angazhimit të shumë shoqatave dhe individëve shqiptare në lëmenjtë e ndryshëm të shoqërisë zvicerane.  

Në nivel individual, kjo mund të tejkalohet me punë dhe angazhim në jetën civile dhe profesionale. Ajo që besoj se mua më ka ndihmuar, është fakti se kam punuar shumë dhe kam qenë gjithmonë aktive, si nënë, si qytetare e këtij qyteti dhe kantoni, si punëtore dhe si grua. Një rreth shoqëror i ndërtuar gjatë 25 vitesh, që prej se jetoj në Zvicër dhe nga i cili kam mundur të përfitoj gjatë kësaj fushate. Do të doja ta ndaj me ju një urim për zgjedhjen time në ekzekutiv, që më erdhi në Facebook, i cili ma bëri qejfin: “Të arrish është bukur, të arrish pas një rrugëtimi jetësor si i juaji, është e mrekullueshme!”. 

albinfo.ch: Cili është roli i këtij ekzekutivi në këtë komunë? 

Afërdita Bogiqi: Mandati im dhe i tetë anëtareve tjerë të këtij ekzekutivi i përfshin dy aspekte: ekzekutimin, aplikimin e ligjeve të dekretuara nga kuvendi komunal dhe menaxhimin e ministrive (resorëve) të ndryshme të komunës si: Administratën e përgjithshme, Arsimin dhe aftësimin profesional, Urbanizmin, Shëndetin dhe moshën e tretë, çështjet sociale, fëmijët, sportin, rininë dhe integrimin, Kulturën dhe turizmin, Elektricitetin si dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe Sigurinë. 

Në punën që kryen një anëtar i ekzekutivit ekziston një aspekt që është thjesht menaxhimi administrativ dhe një aspekt tjetër, më strategjik që ka të bëjë me perspektivën e departamentit për të cilin je përgjegjës. Ai gjithashtu duhet të jetë në gjendje të bindë, influencojë në mënyrë që t’u propozojë projekte inovative anëtarëve tjerë te kolegjit ekzekutiv dhe t’i mbrojë pastaj ato projekte para kuvendit komunal.  

albinfo.ch: Jeni aktiviste e njohur për të drejtat e grave, na tregoni në pika të shkurtra, sa hapësirë jep shteti i Zvicrës gruas në vendimmarrje, veçmas në politikë? 

Afërdita Bogiqi: Në krye të pushtetit të shtetit zviceran sot janë tri gra dhe katër burra. Kjo e dëshmon se të arrish si femër në sferat më të larta të pushtetit në Zvicër nuk është e pamundur. Megjithatë, ajo që quhet “tavani i xhamit (qelqit)” që do të thotë se në një strukturë hierarkike të pushtetit, vendet më të larta nuk janë të arritshme për një kategori të njerëzve, ende ekziston në Zvicër. Sidomos në bordet e drejtoritë me influencë, në fushat ekonomike. Megjithatë, është e vështirë të jepet një përgjigje e gjeneralizuar për shkak të diferencave socio-kulturore dhe sistemit konfederal te Zvicrës, të organizuar në tri nivele: komuna, kantone dhe konfederatë. Ajo që është e vërtetë në një nivel të pushtetit mund të mos jetë më në një nivel tjetër dhe kjo ndryshon edhe prej një kantoni në tjetrin. Në anën tjetër ky pluralizëm edhe e bën Zvicrën te veçantë nga shtetet tjera.  

Në vitet e fundit, është kryer punë e madhe e ndërgjegjësimit mbi çështjen e barazisë midis burrave dhe grave, qoftë nga institucione shtetërore, qoftë nga shoqëria civile.  

albinfo.ch: Po gratë shqiptare në Zvicër, çfarë komenti keni ju për të drejtat e tyre? 

Afërdita Bogiqi: Me shumë kënaqësi po e konstatoj se ato janë gjithnjë e më tepër pjesë e jetës këtu, në të gjitha fushat. Sidomos gjenerata e atyre që kanë lindur në Zvicër. Kjo vlen edhe për burrat shqiptarë. 

albinfo.ch: Zgjedhja e juaj bëri jehonë edhe në mediat e Zvicrës, si e vlerësoni këtë? 

Afërdita Bogiqi: Ishte pike e ndjeshme zgjedhja e së paku një gruaje në ekzekutivin e qytetit ku jetoj. Fakti që ne kemi punuar në atë drejtim, i bëri mediat e kantonit të interesohen për këtë kauzë. Ndoshta edhe për faktin se barazia midis burrave dhe grave është një kërkesë (rivendikacion, pretendim) që është intensifikuar, rritur në vitet e fundit, veçanërisht me grevat që mobilizuan dhjetëra mijëra njerëz në qershor 2019.  

albinfo.ch: Cilat janë planet tuaja pas zgjedhjes si përfaqësuese në ekzekutiv? 

Afërdita Bogiqi: Ky mandat zgjat katër vjet dhe më merr përafërsisht 40 % të kohës së punës. Krahas kësaj e kam edhe një aktivitet tjetër profesional, jam e angazhuar në komisione të ndryshme dhe kam një jetë familjare. Edhe pse nuk e kam planifikuar karrierën time në detaje, e di që ky mandat hap rrugë dhe mundësi interesante.  Do të vendos pra për këtë pastaj, në momentin kur të paraqiten oportunitetet.    

 

Si të kalosh “Tavanin e qelqtë” 

Të arrish si femër në sferat më të larta të pushtetit në Zvicër nuk është e pamundur. Megjithatë, ajo që quhet “tavani i xhamit (qelqit)” që do të thotë se në një strukturë hierarkike të pushtetit, vendet më të larta nuk janë të arritshme për një kategori të njerëzve, ende ekziston në Zvicër. Sidomos në bordet e drejtoritë me influencë, në fushat ekonomike 

Një urim shumë domethënës 

Një rreth shoqëror i ndërtuar gjatë 25 vitesh, që prej se jetoj në Zvicër dhe nga i cili kam mundur të përfitoj gjatë kësaj fushate. Do të doja ta ndaj me ju një urim për zgjedhjen time në ekzekutiv, që më erdhi në Facebook, i cili ma bëri qejfin: “Të arrish është bukur, të arrish pas një rrugëtimi jetësor si i juaji, është e mrekullueshme!”. 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI