Kosova

Nuk u pranua në Universitetin e Prishtinës, tashmë punon në Zvicër

Sevi Hasani ka treguar për rrugëtimin e saj nga mospranimi në Universitetin e Prishtinës e deri te shkollimi në Londër dhe punësimi në Zvicër

Në emisionin “Talk” të KTV-së, këtë javë e ftuar ishte Sevi Hasani. Ajo në emision ka treguar për rrugëtimin e saj nga mospranimi në Universitetin e Prishtinës e deri te shkollimi në Londër dhe punësimi në Zvicër.

Hasani, përkundër përgatitjes për testin pranues në Universitetin e Prishtinës në drejtimin Ekonomik, nuk është pranuar, edhe pse ishte ndër më të mirat në fushën e matematikës, transmeton ‘koha.net’.

Por ajo nuk është dorëzuar. Me ndihmën e prindërve dhe familjarëve në vitin 2011 regjistron drejtimin Ekonomi/Biznes në Universitetin Westminster, Londër, të cilin e mbaron me sukses pikërisht pas tre vjetëve studimi në mesin e 30 studentëve më të mirë, përcjell albinfo.ch.

Hasani shprehet se “ishte fat në fatkeqësi” sepse asnjëherë nuk e kishte menduar që rrugët e jetës do ta dërgonin pikërisht në Londër.

Në pyetjen se a është e përballueshme kosto e studimeve për plotë 3 vjet, Hasani është përgjigjur: “pa ndihmën e familjes nuk do t’ia dilja e vetme, mirëpo edhe kam punuar punë të ndryshme për t’i përballuar shpenzimet dhe kam jetuar jetë studentore, pa luks”.