CH-Ballkani

NZZ për DokuFestin: “A ka ndonjë vend më të bukur për të shikuar një film nën qiell të hapur”

"Para se të fillojë shfaqja e filmit, (në kalanë e Prizrenit), ndaloni pak: A ka ndonjë vend më të bukur për të shkuar në kinema nën qiell të hapur?"

Gazeta prestigjoze zvicerane “Neuer Zürcher Zeitung” i ka kushtuar në numri  e saj të të mërkurës një reportazh festivalit të filmit “DokuFest”, të mbajtur në fillim të gushtit në Prizren. Një artikull impresionues që shkëlqen nga pozitivizmi e dashamirësia dhe në të njëjtën kohë pasqyron besnikërisht realitetin për këtë festival dhe për gjithçka tjetër rreth Prizrenit dhe Kosovës.

Albinfo.ch sjell, me fare pak shkurtime, përkthimin  e këtij artikulli të gjatë

Në jug të Kosovës mbahet DokuFest, njëri ndër festvalet më të bukur të filmit në Evropën Jugloindore. Lumi bëhet kinema nën qiell të hapur, fusha e  shndërrohet në Rave-Arena. Kush nuk gjen hotel, do të strehohet nga familjet lokale.

20 minuta para se të fillojë filmi, imami thërret për lutjet e mbrëmjes. Për disa minuta me radhë zëri i tij ngrihet mbi nivelin e zhurmës së qytetit: automobilat që zhurmojnë, gumëzhitjet në rrugë, pop muzika shqiptare në baret e rakisë dhe në restorantet me zgarë… Jehona e vokalit nga minaretë mbërrin deri në kështjellën mesjetare e cila fronëzon mbi qytet. Është një thirrje paralajmëruese të cilën nuk e ndjek askush.

Në hyrje të kështjellës dikush ka vendosur një frigorifer dhe shet birra. Vizitorët ulen në një arenë me banka druri dhe shilte mbi to. Para tyre, një ekran i bardhë muri, mbi ta hëna. Dëgjohet fëshfërima e qeseve prej letre në të cilat janë mbështjellë byrekët nga furra e njohur boshnjake në qytet. Cigaret vezullojnë në errësirë. Para se të fillojë shfaqja e filmit, ndaloni pak: A ka ndonjë vend më të bukur për të shkuar në kinema nën qiell të hapur?

Diaspora zbarkon në Prizren

Prizreni është një qytet i karakterizuar nga ndikimi osman, në jug të Kosovës, i rrethuar nga vargmale, jo larg nga kufiri me Shqipërinë dhje Maqedoninë. Njëherë në vit, në fillim të gushtit, qyteti i vjetër i përgjumur, shndërrohet në një “çerdhe milingonash”. Hotelet janë tërësisht të prenotuar dhe rrugët të “mbiparkuara”, transmeton albinfo.ch. Mbi 25.000 vizitorë ka pasur këtë vit, në mesin e të cilëve në mënyrë evidente të shumtë kanë qenë ata nga Zvicra. Diaspora shkon në atdhe për pushime. Shumë syresh bëjnë një ndalesë në Prizren për të pirë një kafe me miqtë dhe familjarët.

Shkak për këtë grumbullim është DokuFesti. Në Kosovë, në shtetin më të ri të Evropës, ky festival filmi është një institucion kulture, i cili si i tillë perceptohet edhe pëtej kufijve të shtetit: Magazina emerikane “Movie Maker” e ka zgjedhur atë në listën prej “25 festivaleve më “cool” të filmit në botë”.

Të shpërndarë në nëntë ditë sa zgjat festivali, këtu shfaqen më shumë se 180 filma dokumentarë dhe të shkurtër. Gjatë ditës, në salla të errësuara teatrosh ose kinemashë ndërsa gjatë natës nën qiell të hapur. Në brigjet e lumit Lumbardh të cilat i lidh një urë e bukur guri, e ndërtuar nga osmanët, ose lart, në kështjellë, një monument kulture nga shekulli 11.

Një brez i tërë i pasluftës është rritur me Dokufestin. Bëhet fjalë për njerëz si regjisori i ri Leart Rama (22 vjeç), i cili konsiderohet si një talent i brezit të ri në skenën e filmit të Kosovës, përcjell albinfo.ch. Fjala është për një industri të vogël, e cila pas luftës u desh të gjendej vetë ndërsa tash po lufton me mungesë mbështetjeje. Rama krijon filma që nga mosha e tij 16 vjeçare, shpesh filma me karakter autobiografik. DokuFestin ai e cilëson si “familjen e tij të dytë”, transmeton albinfo.ch.

Këtu ai e ka mësuar zanatin dhe ka xhiruar filmat e parë. Ndërkohë, emri i tij qëndron i shkruar në vetë broshurën e programit të festivalit. Filmi i tij më i ri ”Seam” ka festuar këtë vit premierën në DokuFest. Bën fjalë për një djalë të ri, i cili rritet në një qytezë tradicionale konservatore në Kosovën e pasluftës. Ai dëshiron të bëhet aktor por në fund bën vetëvrasje.

Rama ka qenë 4 vjeç në vitin 2001 kur u mbajt edicioni i parë i DokuFestit, dy vite pas luftës. Kështu, festivali është më i vjetër se shteti, i cili në vitin 2008 e shpalli pavarësinë nga Serba. Deri më sot vazhdon të vlojë konflikti me fqinjin, i cili nuk e ka njohur kurrë ndarjen e ish provincës së vet të banuar me shumicë nga shqiptarët, transmeton albinfo.ch. Të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, dëshirojnë të bëhen pjesë e Unionit Evropian.

Të ngujuar në vendin e tyre

Rruga deri atje është po aq me gunga sa edhe kalldrëmi në Prizren. Një dialog normalizimi që ka filluar nga viti 2011 i nxitur nga Brukseli, ka çuar në askund. Janë të rinjtë si Leart Rama, të cilët e përjetojnë këtë bllokadë në lëkurën e tyre. Kosova është vendi i vetëm i Evropës, qytetarët e të cilit nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Zonën Shengen pa viza. Kur Rama ftohet jashtë vendit për të prezantuar filmat e tij, ai të shumtën detyrohet t`i anulojë udhëtimet pasi që ambasada nuk i jeüp vizë.

Si ndihesh kur je i ngujuar brenda vendit tënd? Regjisorja holandeze Katja Verheul e ka përmbledhur shpjegimin e kësaj dnjenje me një ton humori në filmin e saj të shkurtë “Toni and Bleri”. Dy shqiptarë të Kosovës po qëndrojnë në një çati të rrafshtë të kryeqytetit dhe po ndërtojnë një raketë për të ikur. “Ne kemi ngecur në një vend në të cilin mund të hyjë kushdo”, i thotë njëri vëlla tjetrit.

Dialogu përshkruan një paradoks: Prej vitesh Prishtina ka parë me qindra ndihmës të zhvillimit, diplomatë dhe zyrtarë duke ardhur dhe duke shkuar nga Kosova, transmeton albinfo.ch gazetën NZZ. Por njerëzit si Toni dhe Bleri nuk kanë të drejtë t`i vizitojnë vendet nga të cilat janë dërguar këta “ndërkombëtarë”. Regjisori si Leart Rama nuk mund të udhëtojnë në premierat e filmave të tyre. Veton Nurkollari, drejtori i programit të festivalit, e cilëson mungesën e lirisë së udhëtimit si njërën ndër pengesat më të mëdha për talentët e rinj.

Ata që interesohen për shtetet trashëgimtare të ish Jugosllavisë, në DokuFest mund të gjejnë një seri filmash me referenca ballkanike. Dokumenatrë mbi kërkimin e identitetit arkitektonik të kryeqytetit maqedonas, Shkupit, intervista me shqiptarët të cilët gjatë kohës së komunizmit janë internuar në kampe ndëshkimi, një film mbi procesin kundër ish gjeneralit serb të Bosnjës Ratko Mladicit, të njohur si “Kasapi nga Ballkani”…

Zhvillimi i kryesor i festivalit për këtë vit ishte shfaqja e dokumentarit të BBC “Forgiving dhe Blood” (Falja e gjakut) nga regjiosorja britanike Melissa Llevelyn-Davies. Në vitin 1991 ajo kishte shoqëruar një familje kosovare, e cila ishte në gjak me familjen fqinje pasi që ajo i kishte vrarë njërin  nnga djemtë.

Drejtori i programit, Nurkollari, shpreson se në vitet në vijim do të ketë një valë të produksionit nacional filmik. “Para dhjetë vitesh nuk kishte fare mbështetje për filmat vendorë”, thotë ai. Ndërkohë, buxheti për suimulimin e filmit ka arritur në rreth një milion euro në vit.

Vizitorët nga jashtë nuk pikasin asgjë nga vështirësitë e këtushme financiare. Në krahasim me Evropën Perëndimore, çmimet këtu janë shumë të ulëta. Një kapuçino kushton rreth një frang, për një çaj të zi do të paguash 40 rapë (çindarka zvicerane), përcjell albinfo.ch. Biletat e filmit kushtojnë 2 franga e 70. Për një darkë në një restorant tradcional, një familje nuk shpenzon më shumë se 20 franga.

Mikpritja prizrenase

Rreth mesnatës, kur përfundon edhe filmi i fundit, të rinjtë qejflinj shtegtojnë në drejtim  të rrjedhës së lumit. Pas 15 minutash ndodhesh në një fushë sporti, të rrethuar nga shkëmbinj të rrëpishëm, e cila është shndërruar në një ambient festivali. Turma vallëzon nën ritmet e Techno dhe House, të rapit amerikan dhe kosovar. Kosovarët nga diaspora, këtu të njohur si “shaci”, prekin tjetrin në supe dhe pyesin: Nga jeni? Për të vazhduar pastaj bisedën në gjermanishten e Zvicrës, pasi që gjatë gjithë vitit ata jetojnë në Lucern ose në Cyrih.

Kush kthehet në shtëpi në mëngjesin e hershëm, i lodhur nga vallëzimi, i rënduar nga rakia, e dëgjon sërish atë: imamin. Kësaj here për faljen e mëngjesit.

“Natën e mirë” përshëndeten mes vete grupet e vogla, të cilat deri pak më parë kanë vallëzuar pranë njëri tjetrit. Pastaj shpërndahen nëpër shtëpitë në fqinjësi, dyert e të cilave qëndrojnë për 24 orë hapur.

Vendorët, gjatë DokuFestit flejnë në dhomat e ditës ndërsa i lëshojnë me qira dhomat e tyre të gjumit. Mikpritja në Prizren vlerësohet shumë lart. Nëse keni qëlluar me fat, do të shkoni te familjet si Çipa-Laçi. Agnesa, zonja e shtëpisë, na zien në mëngjes kafenë e zezë turke. Bujari, i zoti i shtëpisë, shijon në mbrëmje rakinë e tij të pjekur vetë nga dardha, thyen lajthi dhe komenton ndehjen aktuale të futbollit.

Po u kthyet në shtëpi natën vonë, do të ngjisni zvarrë shkallët që rënkojnë. Pak a shumë sikur atëherë kur ende ishit duke banuar te prindërit.