Lajme

OBSH: Procesi i ngadaltë i shpërndarjes së vaksinave, i papranueshëm

“Shpërndarja e vaksinës COVID-19 në Evropë është e papranueshme dhe e ngadaltë, ndërsa numri i rasteve të reja në gjithë rajonin u rrit për të gjashtën javë radhazi”, paralajmëroi të enjten zyra evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Vetëm pesë javë më parë numri javor i rasteve të reja në Evropë ishte zhytur në nën një milion, por tani situata e rajonit është më shqetësuese sesa kemi parë në disa muaj”, theksoi gjatë një deklarate Dorit Nitzan, drejtori Rajonal i Emergjencave në OBSH-së në Evropë.

Rritja u vu re në çdo grupmoshë, përveç tek njerëzit 80-vjeç ose më shumë, për të cilët OBSH tha se pasqyrojnë “shenjat e hershme të ndikimit të vaksinimit”.

Të dhënat nga Britania e Madhe tregojnë se jeta e të paktën 6,000 njerëzve mbi 70-vjeç është kursyer që kur vendi filloi fushatën e vaksinimit në fillim të dhjetorit.

“Vaksinat paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi. Jo vetëm që funksionojnë, ato janë gjithashtu shumë efektive në parandalimin e infeksionit. Sidoqoftë, përhapja e këtyre vaksinave është e papranueshme dhe e ngadaltë”, tha shefi i OBSH-së në Evropë, Hans Kluge.