Kosova
“Ora e fjalës” ua mëson fëmijëve shqipen, përmes videove
Logopedet Albulenë Shaqiri dhe Arjeta Shala kanë filluar projektin “Ora e fjalës” për t’i mësuar fëmijët shqip përmes videove në youtube
Teknologjia, interneti dhe rrjetet sociale tashmë sa vite e kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën jetesës. Në këtë kuadër ka ndryshuar edhe mënyra klasike e të mësuarit, siç e kanë dëshmuar edhe kanalet e shumta në internet, të cilat po u ofrojnë fëmijëve mundësi të ndryshme të të mësuarit.
Si rezultat i këtyre kanaleve, fëmijë të shumtë shqiptarë kanë mësuar të flasin anglisht qysh në moshë të hershme. Arsyeja që kanë mësuar anglisht është sepse prindërit e tyre u lëshojnë për të shikuar video të cilat kanë përmbajtje të kësaj gjuhe. Por jo rrallë, këta fëmijë që shikojnë video në gjuhë angleze, para se të mësojnë ato fjalë në shqip, e kanë të vështirë të kuptojnë apo komunikojnë me të tjerët kur fillojnë të shkojnë në kopshte.
Albulenë Shaqiri dhe Arjeta Shala
Këtë problem e kanë vërejtur logopedet Albulenë Shaqiri dhe Arjeta Shala, të cilat i janë përgjigjur duke vepruar. Ato kanë filluar projektin “Ora e fjalës” për t’i mësuar fëmijët shqip përmes videove në youtube.
Ndihmesë për pasurimin e fjalorit të shqipes
“Gjatë punës sonë të përditshme si logopede, viteve të fundit po përballemi me shumë raste të cilat kanë nevojë për trajtim, sepse fëmijët nuk e kanë bërë diferencën mes dy gjuhëve. Ose, thënë më mirë, flasin vetëm gjuhën angleze e kuptojnë shumë-shumë pak shqip. Kjo vjen për shkak të përdorimit të teknologjisë dhe shikimit/stimulimit të panumërt nga video me çfarëdo lloj tematike atraktive për ta, por që fatkeqësisht të gjitha në gjuhën angleze.
Qëllimi i projektit tonë është që çdo koncept i domosdoshëm që fëmijët duhet ta zotërojnë në fazën e fëmijërisë së hershme, të ketë video ilustruese edhe në gjuhën shqipe. Kjo do t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë zgjerimit të fushës njohëse e rrjedhimisht edhe pasurimit të fjalorit gjuhësor të fëmijëve”, ka thënë Albulenë Shaqiri.
Para se të fillonin me këtë projekt, logopedia Shaqiri, tregon se kanë pasur kërkesa të mëdha për video edukative në gjuhën shqipe dhe po ashtu tregon për përmbajtjen e videove që i kanë publikuar deri më tani.
“Projekti ka filluar me pjesë të trupit e do të vazhdojë me çdo gjë që përfshin njohjen në fazën e fëmijërisë së hershme. Videoja e dytë, në lidhje me identifikimin e frutave në shqip, tashmë është postuar. Këtë javë del edhe videoja për njohjen dhe emërtimin e kafshëve, vazhdon me mjetet e udhëtimit, ngjyrat e shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat fëmijët duhet t’i njohin në këtë fazë”.
Prindërit, shumë të motivuar
“Ora e fjalës” është përkrahur fuqishëm nga prindërit të cilët kanë bashkëpunuar me logopedet për të shtyrë përpara këtë projekt. Ndërsa logopedia Shaqiri thotë se përveç prindërve në Kosovë, atyre në diasporë ky projekt do t’ua lehtësojë edhe më shumë punën me fëmijët për t’i mësuar gjuhën amtare.
“Patjetër që kemi gjetur bashkëpunim. Prindërit janë shtyrësit më të mëdhenj të këtij projekti pasi që ata janë filtruesit kryesorë të gjërave që duan ose nuk duan t’i shikojnë fëmijët e tyre në pajisje elektronike. Përveç prindërve në trojet shqiptare të cilët vitet e fundit kanë filluar të përballen me fëmijë që flasin anglisht, projekti padyshim që do të ketë ndikim të madh pozitiv, për prindërit e diasporës. Videot do të luajnë një rol të madh në zhvillimin e gjithmbarshëm, nëpër faza të ndryshme të zhvillimit fizik, gjuhësor, mendor dhe emocional, sepse fushat zhvillimore janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Gjatë këtij procesi videot do të luajnë rol të madh në përparimin dhe në rritjen e pavarësisë së të kuptuarit, shprehurit, vepruarit dhe reaguarit duke përdorur gjuhën shqipe”, ka përfunduar ajo.
Krijuese të projektit janë logopede Albulenë Shaqiri dhe Arjeta Shala nga Ordinanca Logopedike “Ora e fjalës” në Prishtinë. Ato kanë bashkëpunuar me Klinikën “Empatia” po ashtu në Prishtinë. Videot e tyre mund t’i ndiqni në kanalin “Ora e Fjalës” në youtube.
Jetojnë në Kosovë, njohin anglishten më mirë se shqipen!
“Viteve të fundit po përballemi me shumë raste të cilat kanë nevojë për trajtim, sepse fëmijët nuk e kanë bërë diferencën mes dy gjuhëve. Ose, thënë më mirë, flasin vetëm gjuhën angleze e kuptojnë shumë pak shqip. Kjo vjen për shkak të përdorimit të teknologjisë dhe shikimit/stimulimit të panumërt nga video, fatkeqësisht të gjitha në gjuhën angleze”.
“Ora e fjalës”, edhe në diasporë
“Prindërit janë shtyrësit më të mëdhenj të këtij projekti pasi që ata janë filtruesit kryesorë të gjërave që duan ose nuk duan t’i shikojnë fëmijët e tyre në pajisje elektronike. Përveç prindërve në trojet shqiptare të cilët vitet e fundit kanë filluar të përballen me fëmijë që flasin anglisht, projekti padyshim që do të ketë ndikim të madh pozitiv, për prindërit e diasporës”.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
U sulmua për vdekje nga pitbulli, flet nëna e 2-vjeçarit shqiptar Rrëfimi i nënës pas vdekjes së 2-vjeçarit shqiptar në Zakynthos... -
Besnik Halili nga Zvicra në një nga Forumet më Elitare Botërore të Arkitekturës dhe Inxhinierisë në Xhedah 2025 -
Gjuha shqipe, ura që bashkon diasporën shqiptare në Gjermani -
“Parandalo” dhe Konsullata e Kosovës shënojnë 10 Dhjetorin – Ditën e të Drejtave të Njeriut -
Gratë, aftësia e kufizuar dhe migracioni në kontekstin e dhunës
Jeta në Zvicër
-
Qielli ndriçohet nga një meteor i ndritshëm, pamje spektakolare në Zvicër “Top zjarri” me ngjyrë të gjelbër ndriçon qiellin mbi Zvicër dhe Itali... -
“Parandalo” dhe Konsullata e Kosovës shënojnë 10 Dhjetorin – Ditën e të Drejtave të Njeriut -
Vetëm 10% e ofertave në supermarketet zvicerane u përkasin frutave dhe perimeve -
Cyrihu bëhet qendër evropiane e inteligjencës artificiale -
Vaud: Sherbyesit civilë rikthehen në rrugë, një makinë ndërpret marshimin

















