Kosova

Osmani kërkon që presidenti të zgjidhet nga populli, Haxhiu bën thirrje për votimin e amendamenteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se sot i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.

“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, teksa ka thënë se i bashkohet thirrjes së Osmanit për votimin e këtyre amendamenteve.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.