Lajme

Parmelin: “Është realiste që benzina në Zvicër të kushtojë së shpejti 4 franga”

"Për momentin çmimi është mbi 2 franga për litër. Nuk e di të ardhmen, por një çmim prej 4 frangash mund të jetë pjesë e një skenari"

“Këshilli Federal është i mendimit se sanksionet ndaj Rusisë janë të nevojshme dhe korrekte. Por sigurisht, ka gjithmonë një efekt bumerang që na godet edhe ne”. Kështu thotë ministri zviceran i ekonomisë, Guy Parmelin, i pyetur nëse është e drejtë që zviceranët të vuajnë për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, transmeton albinfo.ch.

“Nëse konflikti zgjat më shumë, efektet ekonomike do të jenë të rënda. Në Gjermani, disa ekspertë i frikësohen inflacionit prej 10 për qind. Ne nuk jemi aty. Por shikoni tani karburantet: nëse çmimi i benzinës dhe naftës dyfishohet ose trefishohet, këto janë kosto që në fund të fundit ndikojnë në çmimet e produkteve. Çmimet e konsumit sigurisht që do të rriten”, thotë Parmelin për Watson.ch.

Por a mendon ai se çmimi i benzinës do të rritet në 4 franga siç po dëgjohet?

“Unë nuk jam njeri që shoh të ardhmen. Nëse lufta vazhdon, çmimi i benzinës ka gjasa të vazhdojë të rritet. Nuk mund të thuhet ende nëse po hyjmë në recesion apo thjesht në një ngadalësim të përkohshëm të aktivitetit ekonomik. Është një situatë e tensionuar.

Si ministri e Ekonomisë kemi skenarë bazë bazuar në situatën aktuale dhe në atë të përkeqësuar. Jemi në këmbim me partnerët evropianë, por edhe me industrinë tonë, tregtinë. Pra, ne e dimë se ku pengesat janë të pashmangshme, me ç`rast mund të ketë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, përcjell albinfo.ch. Specialistët tanë janë në kontakt me biznesin dhe kantonet. Ne po e monitorojmë situatën nga afër.

“Për momentin çmimi është mbi 2 franga për litër. Nuk e di të ardhmen, por një çmim prej 4 frangash mund të jetë pjesë e një skenari”, i përgjigjet Parmelin gazetarit i cili këmbëngul të dijë nëse benzina së shpejti do të kushtojë 4 franga.