Integrimi

Pas futbollit, politika

Pas Shaqirit me shokë dhe ndikimit të tyre tejet të rëndësishëm në perceptimin e shqiptarëve në Zvicër si potencial që kontribuon në të mirën e vendit pritës, duket se janë lindur po ashtu «yj » të ardhshëm politik zviceranë me prejardhje shqiptare që janë duke angazhuar në jetën politike vendore. Mjafton që t`i hidhet një sy numrit jo të neglizhueshëm të aktivistëve dhe kandidatëve seriozë që po dalin në skenë.

Laramania e ngjyrave politike që kandidatet shqiptarë i mbrojnë në proceset zgjedhore demokratike në Zvicër, sidomos në nivel komunal dhe kantonal, është një indikator serioz se diaspora shqiptare në Zvicër po ndryshon në drejtimin e duhur. Më konkretisht, deri më tani, involvimi i komunitetit shqiptar ka qenë më shumë i fokusuar përmes partive të majta, respektivisht në Partinë Socialiste (falë hapjes historike ndaj shqiptarëve dhe migrantëve dhe përmes sindikatave), në Partinë e të Gjelbërve si dhe në Partinë Demokristiane (seksioni kosovar në Lucern).

Tani, hasim në kandidatë serioz në të gjithë spektrin politik vendor, sikurse në Partinë Radikale Liberale, në Partinë evangjeliste, por madje edhe në ekstremin e djathtë. Prezenca dhe angazhimi i komunitetit shqiptar në të gjitha pozitat e shahut politik zviceran dëshmon se integrimi i tyre është harmonik.

Edhe pse shpeshherë në biseda të brendashqiptare jemi autokritikë rreth kapaciteteve tona organizuese dhe ndikuese të kufizuara, vlen të konstatohet se shqiptarët në planin individual janë shumë dinamikë dhe vitalë, dhe kjo është një element që duhet të vihet në relief. Falë kësaj dinamike përfiton komuniteti sepse kështu arrin të ndikojë në mënyrë më efikase në proceset politike në vendin pritës po edhe në vendin e prejardhjes.

Ky numër i Albinfo.ch ven një theks të veçantë në pjesëmarrjen në jetën politike të Zvicrës nga kandidatë-e me prejardhje shqiptare. Shpresojmë se gjatë javëve apo muajve të ardhshëm do të njoftohemi po ashtu edhe me figura tjera politike zvicerane tjera që dalin nga diaspora shqiptare që nuk janë theksuar në këtë numër!