Tematike

Pas raportit të Martyt asgjë më nuk është si më parë!

Ernst: “Raporti i Martyt përbën një prerje në kohë, që kushtëzon ndryshimin e shumë koncepteve

Në organizim të shoqatës shqiptare-zvicerane “Arsimi”, të shtunën që shkoi, Andreas Ernst ekspert për Ballkanin, historian dhe korrespondent i gazetës “NZZ am Sonntag” për Evropën Juglindore, ka lexuar një punim të tij në lidhje me Kosovën.

Tema, me titullin  “Kosova dhe raporti i Marty-t – pasojat për imazhin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit më të ri në botë”, korrespondonte me aktualitetin dhe së këndejmi, referimi i Ernst ngjalli një interesim të pritur në mesin e të pranishmëve, anëtarë të shoqatës.

Referuesi duke realizuar këtë temë, e ka shikuar atë nga disa aspekte: ndikimi i raportit të Martyt në imazhin e Kosovës në botë, ndikimi i po këtij raporti në shoqërinë kosovare (shqiptare) etj.Andreas Ernst në punimin e tij merr me rezerva të caktuara raportin e Marty-t por, nga ana tjetër ai tehun e kritikës e drejton më shumë nga shoqëria shqiptare. Kjo e fundit, sipas tij, ende nuk e kultivon dialogun e mirëfilltë e kritik brenda saj lidhur me temat e ndjeshme sikur kjo. Sipas z. Ernst shoqërisë shqiptare i mungon edhe më tutje gatishmëria për tu marrë me temën e krimeve të mundshme të kryera nga pala shqiptare.

Ndërkaq, raporti i Martyt sipas Ernst shkakton disa ndryshime thelbësore. Së pari  ndryshon qasja e opinionit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Kosovë, pastaj kemi një ndryshim në rritje edhe të qëndrimit të shqiptarëve ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu, sipas tij, perceptimi brendashqiptar mbi luftën dhe shtetformimin e Kosovës bëhet më kontrovers.

Në këtë kontekst Ernst thotë se raporti i Martyt përbën një prerje në kohë, që kushtëzon ndryshimin e shumë koncepteve. Si ilustrim për ndryshimin e diskursit dhe perceptimit perëndimor mbi luftën e Kosovës, Ernst përmendi një lajm të ditëve të fundit: dënimi i gjeneralit serb Gjorgjeviç me 27 vjet birg nga Tribunali i Hagës për krimet e kryera në Kosovë, në mediet perëndimore mbeti vetëm një lajm i thjeshtë! Fare ndryshe pra nga e gjithë buja që shoqëron çdo lajm që lidhet me raportin e  Martyt, trafikimin e organeve ose shtëpinë e verdhë! Ajo që konstaton Ernst është se Kosova ka pësuar dëm të vërtetë nga ky raport.

Por, nga ky dëm shoqëria shqiptare do të mund të nxirrte një përfitim, që sipas tij do të vinte si rezultat i kultivimit të debatit brendashqiptar lidhur me temën e raportit. “Unifikimi” i pothuaj gjithë skenës politike të Kosovës dhe të Shqipërisë në kundërshtimin ndaj Martyt, sipas tij tregon mungesë gatishmërie të shoqërisë shqiptare për tu ballafaquar me të vërtetat kur ato janë të papërshtatshme. Ai pledon se shqiptarëve u nevojitet më shumë qëndrim kritik edhe ndaj atyre që ai i quan “tema tabu” si lufta e drejtë e UÇK-së dhe krimet eventuale të kryera nga shqiptarët kundër serbëve. Ndërkaq, duke iu kthyer kritikave të pakompromis të politikës dhe shoqërisë në Prshtinë dhe Tiranë ndaj raportit Marty, Andreas Ernst konstaton edhe këtë gjë: “shumica dërmuese e atyre që e kritikojnë raportin, në fakt as që e kanë lexuar atë si të plotë”.

Në një debat të gjallë që u zhvillua pas leximit të referatit, u shprehën qëndrime të ndryshme lidhur me temën. Përderisa pjesëmarrës zviceranë në debat, ashtu si dhe Ernst, kryesisht kritikonin shoqërinë shqiptare për mbyllje, strukturë klanore etj., ata shqiptarë tërhiqnin vërejtjen nga perceptimet shpeshherë thjeshtëzuese që kanë perëndimorët mbi shqiptarët. Sipas Mahir Mustafës, fjala vjen, dialogu në shoqërinë shqiptare megjithatë ekziston, edhe rreth temave të ndjeshme. Por, ai tërheq vërejtjen ndaj rrezikut që tash shqiptarët të bëhen fajtorët kujdestarë, me gjithë faktin se kanë pësuar më së shumti nga serbët.

Po ashtu Ilir Dalipi, avokat, drejtoi kritika ndaj Martyt dhe Këshillit të Evropës për një aspekt të problemit: Përderisa ështe fjala vetëm për një raport politik dhe jo gjyqësor ose kriminalistik, këtij raporti nuk është dashur t`i jepej hapësira që iu dha. Me këtë bujë, ai i ka shkaktuar Kosovës dëme të pariparueshme, që nuk tejkalohen edhe në rast se drejtësia do të konstatojë pafajësinë e UÇK-së në gjithë këtë aferë. Dalipi ka thënë se buja mediale ka mundur të evitohej, nëse Marty dhe KE do të kishin një qëndrim më parimor në lidhje me proceset në Kosovë.