Lajme

Për 13 muaj, më shumë se 460 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanëve

Viti i kaluar është regjistruar si një ndër vitet me më së shumti aksidente sa i përket aviacionit. Rreth 400 njerëz humbën jetën nga aksidentet ajrore në mbarë botën.

Statistikat janë katër herë më të larta se sa në vitin 2023 kur numri i të vdekurve ishte nën 100, shkruan Bild.

Aksidenti i fundit ka ndodhur gjatë kësaj jave, kur një aeroplan pasagjerësh dhe një helikopter u përplasën mbi lumin Potomac në Uashington (SHBA), të gjithë 67 pasagjerët vdiqën, gjë që bën që numri të rritet në 460 të vdekur, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht aksidenteve, fluturimet janë bërë shumë më të sigurta me kalimin e kohës dhe sipas Shoqatës Gjermane të Aviacionit (BDL), probabiliteti për të vdekur si pasagjer në një aksident është 1 në 14 milionë. Shifra i bie të jetë 53 herë më e sigurt se në vitet ‘70.