Futboll

Për Shqipe Sylejmanin, ndeshja Zvicër-Kosovë është një “duel mes vëllezërish”

Në stadiumin Letzigrund të Cyrihut, kombëtarja e Zvicrës do të luajë për herë të parë kundër Kosovës. Për Shqipe Sylejmanin është ky një “duel vëllazëror”

Shqipe Sylejmani është shkrimtare dhe gazetare mjaft e pranishme në mediat zvicerane në gjuhën gjermane. Ajo, veç tjerash është edhe kolumniste e rregullt në portalin nau.ch.

Në kolumnen e saj të fundit, të publikuar sot, Shqipja ka shkruar për ndeshjen e futbollit në mes të Zvicrës dhe Kosovës që do të luhet më 29 mars  në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Këtu ajo merret me emocionet që ngjall një ndeshje e tillë, marrë parasysh lidhjet e shumëfishta njerëzore mes dy skuadrave por edhe mes fansave të të dy kombëtareve.

Ndjenjat janë pothuajse si në qershor të vitit 2016 në Lens, Francë (Kampionati Evropian i Futbollit). Ndërsa unë, si shumë njerëz në atë kohë, isha e ndarë mes këtyre dy vendeve, këtë vit nuk bëhet fjalë më për ​​Shqipërinë kundër Zvicrës por për Kosovën që luan në mes të Zvicrës. Një odë për gjërat që lidhin këto dy vende.

Kombëtarja e Zvicrës, siç dihet, është fituese e grupit! Zvicra është në krye të tabelës së grupit, përpara Italisë dhe mund të përgatitet e qetë për Kupën e Botës 2022 në Katar. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejnë edhe lojërat testuese që janë planifikuar për në fund të muajit mars, transmeton albinfo.ch. Pas ndeshjes me Anglinë (më 26 mars), më 29 mars 2022 do të zhvillohet një spektakël: Zvicra do të takohet për herë të parë me Kosovën, në stadiumin Letzigrund.

Kosova është anëtare e FIFA-s që nga viti 2014 dhe nuk i ka pasur të lehta fillet në skenën e futbollit ndërkombëtar: shpresa se lojtarët (me prejardhje shqiptare, kosovare) të ekipeve të tjera kombëtare do të ktheheshin në shtëpi, nuk u përmbush, burimet ishin të pakta, si dhe buxheti. Por shpirti luftarak i lojtarëve shpërthente, herë pas here. Kjo, edhe falë udhëheqjes fantastike të trajnerit Bernard Challandes, i cili solli pak disiplinë zvicerane në Kosovë.

Loja miqësore Kosovë – Zvicër pothuajse i përshtatet termit “duel vëllazëror”. Pse, dhe çfarë i lidh të dyja ekipet (në aspektin futbollistik?) Një përmbledhje, me pak humor:

Zvicra, si bazë trajnimi

Tashmë jo vetëm agjentët e lojtarëve e dinë se Zvicra stërvit futbollistë fenomenalë, këtë e di edhe kombëtarja e Kosovës: 8 lojtarë të saj  kanë lindur/janë stërvitur në Zvicër dhe kanë kaluar në këtë vend një pjesë të karrierës së tyre. Këta janë:  Arijanet Muric, Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Florent Hadergjonaj, Idriz Voca, Betim Fazliji, Toni Domgjoni dhe Edon Zhegrova, i cili ka luajtur për FC Basel deri në dhjetor të vitit 2021.

Shaqiri

Pikërisht aty ku dikur luanin Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Ardhjet e reja, si Andi Zeqiri dhe Kastriot Imeri i kanë rrënjët po ashtu në Kosovë dhe janë bërë profesionistët që janë sot, në Zvicër.

Challandes

Nga marsi i vitit 2018, Challandes ka drejtuar Kombëtaren e Kosovës në futboll me shumë sharm dhe si një person me empati të madhe. Vetëm në tetor të vitit 2021 Federata e Futbollit të Kosovës u nda nga “prodhuesi i Kombëtares së suksesshme të Kosovës”.
Bernard Challandes
Populli i tha lamtumirën trajnerit, i cili shkoi me 16 fitore, 8 barazime dhe 13 humbje, po aq ngrohtësisht sa e kishte festuar në detyrë: “Faleminderit që na bëre të ëndërrojmë, nga një ekip që mund të humbiste në Ishujt Faroe në një skuadër që shënon tre gola kundër Anglisë”.

Dy zemra në një gjoks

Mënyra se si e përjetojnë lojtarët zviceranë me rrënjë kosovare në këtë ditë vlen edhe në anën tjetër. Të rritur në Zvicër, me rrënjë këtu dhe të pjekur si lojtar, shumica e lojtarëve kosovarë e njohin Zvicrën si shtëpinë e tyre. Në këtë duel për ta do të luajë rol edhe nostalgjia dhe ndjenja e të qenët “në shtëpinë e tyre”.

Tani: Kombëtarja e Zvicrës apo Kosova? Festa i takon fituesit!

Pavarësisht se si do të përfundojë ndeshja në Letzigrund, një gjë është tashmë e sigurt: do të ketë festë të madhe pas ndeshjes. Sepse kushdo që shënon më shumë gola, të dyja skuadrat do të festohen si fituese. Që nga Prishtina deri në Cyrih do të këndohet dhe fishkëllehet në këtë mbrëmje. Prandaj, në këtë kuptim: Hop Schwiiz!

(Foto: Valentina Pezzo)


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI