CH-Ballkani

Përmes artit, gjilanasja promovon Kosovën në Zvicër

Përmes një ekspozite në qytetin Biel/Bienne, Vlora Imeri ka prezantuar temën e masterit, ku përfshihen temat për memorien kolektive, Kishnicën dhe një instalacion i realizuar në qytetin e saj të lindjes, Gjilan

Erdhi në Zvicër rreth moshës 11 vjeçare. Por Gjilani dhe Kosova nuk iu shqitën nga mendja asnjëherë. Vite më vonë, vendlindja do të bëhej inspirim për punën e artistes Vlora Imeri.

Javë më parë, përmes një ekspozite, në qytetin dy gjuhësh të Zvicrës, Biel/Bienne, Vlora ka prezantuar temën e masterit, ku përfshiheshin temat për memorien kolektive, Kishnicën dhe një instalacion i realizuar në qytetin e saj të lindjes.

Kjo ekspozitë zgjoi interesim te publiku dhe mori lëvdata, por rrugëtimi i Vlorës deri këtu nuk kishte qenë i lehtë…

Pavarësisht refuzimeve, nuk u dorëzua asnjëherë

Pasi kreu mësimet fillore, ajo vazhdoi studimet në një shkollë të fotografisë, ku mësoi gjithçka rreth pjesës teknike të fotografisë. Pasi përfundoi shkollën e fotografisë, Vlora ia mësyu shkollave të artit, por nuk u pranua në ndonjë prej tyre.

Pavarësisht se ishte e zhgënjyer, ajo nuk e humbi dëshirën për t’u marrë me artin e fotografisë. Më vonë, Vlora  u angazhua si fotografe nëpër media të Zvicrës dhe të Kosovës. Ndërkohë që i kishte mbetur pak shpresë për të vijuar studimet në ndonjë shkollë, një thirrje që i erdhi nga Zvicra, e ndryshoi kahjen e karrierës së saj. Shkolla e Lartë e Arteve në Bernë po e ftonte në intervistë. Në pamundësi të kthehej menjëherë në Zvicër, Vlora kërkoi një intervistë përmes skype-it, gjë që edhe iu pranua.

“Interesante ishte se po e kryeja intervistën përmes skype-it, duke qenë në Gjilan ndërsa familja po priste lajmin prapa derës. Dhe më pas u pranova, vijova studimet për arte vizuele tri vite, dhe gjithçka shkoi shumë mirë”, kujton Vlora.

Në përfundim të studimeve, ajo zgjodhi një temë për Kosovën, konkretisht për Kishnicën. Dhe puna e saj u shpërblye. “Kur e kam përfunduar temën e Bachelor-it, Banka Kombëtare e Zvicrës e ka blerë punën time”, tregon Vlora.

Po ashtu, puna e Vlorës u shfaq në ekspozitën kolektive në Bernë, me rastin e diplomimit të studentëve të nivelit Bachelor në Artet e Bukura në Shkollën lartë të Arteve në Bernë.

Vlora e mban besën e dhënë para shumë vitesh

Me temën e Kishnicës, Vlora fitoi edhe në një konkurs në Zvicër dhe i erdhi mundësia që përsëri ta shfaqte punën e saj para publikut. Por duke qenë një artiste e pasionuar, ajo donte që puna t’i shfaqej në muze e jo vetëm përmes projektorit. Po ashtu, ajo u kishte premtuar minatorëve në Kishnicë që fotografitë e tyre do t’i shfaqte në një ekspozitë të vërtetë.

Andaj, pas disa vitesh, në ekspozitën e sivjetme, puna e saj u ekspozua para publikut në Zvicër.

“Ua pata dhënë besën (minatorëve të Kishnincës) se do t`i ekspozoja ato fotografi, dhe nuk kisha si të mos e mbaja premtimin”, thotë artistja gjilanase.

Në ekspozitë, ajo trajtoi edhe temën e memories kolektive. Dhe këtu përfshiu një dukuri pas së cilës është e lidhur fort: bustet në Kosovë, në veçanti në Gjilan.

Artistja e lidhur pas busteve në Gjilan

Gjatë pushimeve në Kosovë, Vlorës çdo herë i kanë lënë përshtypje bustet e vendosura nëpër qytet. Me syrin e një artisteje, ajo ka kritika për madhësinë, formën dhe vendin ku vendosen bustet. Megjithatë, ajo i do këto buste ashtu siç janë, sepse siç thotë Vlora, shfaqin një pjesë të historisë së Kosovës.

“Jam munduar të tregoj se bustet jetojnë me ne, dhe ne jetojmë me ta… Kam dashur të tregoj se dhimbja e vendit tonë për humbjen e heronjve është shumë e madhe dhe ne i rikujtojmë ata përmes busteve, kam dashur të tregoj se njerëzit ndjejnë mungesë për ata”, tregon Vlora.

Kështu, Vlora vendosi që të dërgojë edhe në Zvicër copëza historie nga Kosova. Ajo realizoi një instalacion në Gjilan, përmes të cilit, i mbuloi bustet me pëlhurë të zezë të tejdukshme. Për ta kompletuar ekspozitën me fotografi, ajo mblodhi edhe rrëfime nga bashkëvendësit e saj.

Por pas idesë së mbulimit të busteve, “fshihen dy sekrete”. “Kam vendosur një pëlhurë dhe kam bërë fotografi jo shumë të qarta, por kjo ka qenë me qëllim, që të mos vëreheshin format jo të mira të bustit. Po ashtu, kam dashur të tregoj që një hero nuk mund ta prezantosh asnjëherë ashtu siç ishte, andaj edhe fotografitë i bëra jo shumë të qarta”, shpjegon ajo.

Por kjo nuk është hera e parë që artistja me prejardhje nga Gjilani solli në Zvicër copëza historie nga Kosova.

Tema për vendlindjen, ajo kishte trajtuar edhe kur përfundoi studimet bachelor. Përmes artit, artistja Imeri ka trajtuar edhe një temë që për kosovarët është plagë e pambyllur. Përmes “zonjës së hekurt” të Gjakovës, Ferdonije Qerkezit, e cila humbi të gjithë familajrët në luftën e fundit në Kosovë, Vlora paraqiti dhimbjen e përhershme të Kosovës: të pagjeturit.

Ndërkohë, ajo do të nisë studimet e doktoraturës, por nuk do ta harrojë vendlindjen. Kosova do të jetë gjithmonë pjesë jo vetëm e zemrës, por edhe e artit të saj.

Kishnica, temë e masterur në Zvicër

Në përfundim të studimeve, ajo zgjodhi një temë për Kosovën, konkretisht për Kishnicën. Dhe puna e saj u shpërblye. “Kur e kam përfunduar temën e Bachelor-it, Banka Kombëtare e Zvicrës e ka blerë punën time”, tregon Vlora.

Dhimbja për të pagjeturit, e ngritur në art

Përmes artit, artistja Imeri ka trajtuar edhe një temë që për kosovarët është plagë e pambyllur. Përmes “zonjës së hekurt” të Gjakovës, Ferdonije Qerkezit, e cila humbi të gjithë familjarët në luftën e fundit në Kosovë, Vlora paraqiti dhimbjen e përhershme të Kosovës: të pagjeturit.