Shqipëria përtej bregdetit

Përmes diasporës: Turizmi shqiptar dhe turisti gjerman

Anduena Stephan, Konsulle e Nderit për Shqipërinë në Landin e Rinit të Veriut dhe Vestfalisë, Presidente e Shoqatës Integrative Gjermano Shqiptare IDEAL i-de-al.org

Turizmi per turistin është kënaqësi, shlodhje, pasurim i botës së tij apo saj me kulturën, traditën, historinë, natyrën e një vendi dhe një populli të panjohur më parë, është frymëzim dhe motivim për jetën e përditshme.

Për mikpritësin, turizmi është një aktivitet ekonomik,social, kulturor dhe historik që për shumë shtete, të mëdha e të vogla, është kthyer në kontribuesin numër një të të ardhurave vjetore, por jo  vetëm. Turizmi është dhe një dritare komunikimi, emancipimi dhe zhvillimi e një shoqërie moderne, shkruan albinfo.ch.

Por pse shtetet përreth Shqipërisë kanë një numër të admirueshëm turistësh gjermane çdo vit dhe Shqipëria numëron kaq pak, rreth 212.000 shtetas në 2017, përfshirë dhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend dhe që përbëjnë më shumë se 50% të kësaj shifre? Në vitin 2017 në Kroaci shkuan 4 milionë gjermanë në vit, në Turqi 5,5 milionë, në Greqi 3,6 milionë!

Tipologjia demografike dhe gjeofizike gjermane: 

Gjermania është një vend shumë i veçantë, përsa i përket turizmit. Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Gjermania është shteti me numrin më të lartë të turistëve që i kalojnë pushimet e tyre jashtë kufijve gjermane. Kështu, më shumë se 750 milionë netë janë regjistruar si netë të kaluara nga qytetarët gjermane jashtë vendit në vitin 2017. Një veçanti tjetër e tregut gjerman është dhe fakti se shtete të ndryshme federale kanë politika dhe preference specifike sa i përket turizmit. Shtete (Lande) të tilla si Hamburgu kanë numër të vogël popullsie dhe alternativë turistike shumë pranë kufijve të tyre, psh pushimet në Detin e Veriut apo të Lindjes. Por krejt ndryshe paraqitet situata në Lande të tjera të cilat gjeografikisht janë larg brigjeve të detit: Landi i Rinit të Veriut dhe Vestfalisë psh. ka 18 milionë banorë dhe të ardhura për frymë më të lartat në Gjermani. Edhe Kongresi Europian i Turizmit, i cili ka në përbërjen e tij përfaqësuesit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian dhe turizmit, u zhvillua në shkurt 2018 në qytetin e Essenit, ku ka selinë Konsullata e Nderit e Shqipërisë.

Tipologjia e turistit gjerman: 

Turisti gjerman gjendet përpara një shumëllojshmërie ofertash dhe mundësish zgjedhjesh të admirueshme. Por disponibiliteti i tij për të pushuar është i kushtëzuar nga grupmosha, koha maksimale e pushimeve që është 6 javë në vit për ata që janë në marrëdhënie pune dhe pushimet e shkollave të fëmijëve (6 javë në verë). Kështu ky turist kërkon destinacione që janë afër dhe hotele me të paktën 3***,  me infrastrukturë të plotësuar dhe një përputhje të asaj që shpenzohet me atë që marrin.

Shqipëria është afër, një vend i paeksploruar për 99%  të tyre dhe me bukuri natyrore. Kjo duhet të jetë dhe arma e fshehtë e Shqipërisë për të bërë diferencën për këtë turist i cili para tij ka shumë oferta përgjatë Adriatikut, Jonit apo Detit Mesdhe.

Burimet e Informacionit për turistin gjerman – Panairet & Diaspora

Mbi 65 panaire për turizmin zhvillohen çdo vit në Gjermani, pra më shumë se 1 në javë! Shqipëria ka marrë 7-8 herë pjesë në panairin e ITB në Berlin, vitin e kaluar për herë të parë në panairin e kampingut  dhe karavanëve në Shtutgart, në panairet e verës në Düsseldorf, të ushqimeve në Köln si dhe në panairet e librit në Leipzig dhe Frankfurt. DIASPORA shqiptare në Gjermani që numëron rreth 600.000 qytetarë me pasaportë gjermane, mëson mbi këtë prezencë në mënyrë sporadike dhe aksidentale. Le të imagjinojmë sikur të ishin të gjithë të informuar dhe të kishte 600.000 vizitorë në keto panaire nga DIASPORA! Ndërkohë stendat e Shqipërisë në të gjitha keto panaire të marra sëbashku vizitohen në rastin më të mirë nga maksimalisht 200.000 vizitorë në vit!

Kultura, historia, kulinaria, mikpritja shqiptare, natyra u prezantuan dhe në Ditët e Dialogut të shoqatës IDEAL në 2013, 2015, 2017 dhe 2018 në Essen, Dyseldorf, Këln, Bon, Geilenkirchen dhe së shpejti në Viersen (ca. 2.6 milionë banorë jetojnë vetëm në këto katër qytete, mbi 7 milionë të tjerë në një distancë prej 30 km!).

Le të krahasojmë efektivitetin e një angazhimi të tillë përmes DIASPORËS: Shqipëria mori pjesë për herë të parë dhe si i vetmi shtet i huaj në Festivalin vjetor të qytetit të Essen-it, „Essen original 2015“ me një stendë të saj për turizmin, shoqëruar me performancë muzikore në zhanrin e muzikës klasike, jazz, popullore nga tre breza artistësh të DIASPORËS. Ky event u vizitua nga 200.000 qytetarë, turistë apo multiplikatorë potenciale, përgjatë një fundjavë të tërë! Kostot e aktiviteteve te tilla mbulohen kryesisht nga pala gjermane, DIASPORA u angazhua vullnetarisht për ta prezantuar Shqipërinë e Kosovën në bashkëpunim me promotorë si Ministria e Ekonomisë së Landit, ajo e Integrimit, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë (900.000 kompani anëtarë!), GIZ/CIM të cilat pasqyruan përmes rrjeteve e tyre mediatike dhe sociale këto aktivitete në Land dhe 18 milion banorët e tij. Pala shqiptare apo kosovare pati vetëm shpenzime minimale udhëtimi e materialesh prej ndoshta 5000 Euro!

Le të imagjinojmë më tej: sikur Shqipëria të arrinte të tërhiqte vetëm 0,1% të 730 milionë netëve të kaluara jashtë Gjermanisë nga gjermanët, pra 730.000 netë për vit, dhe ta shumëzojmë këtë me 100 Euro për natë që do të shpenzonte minimalisht ky turist në Shqipëri për fjetje, ushqim, transport, Shqipëria do të përfitonte një minimum prej 73 milion Euro në vit. Le ta shumëzojmë këtë shifër me një mesatare prej tre personash (nje familje) për një udhëtim të dytë, kjo shifër do të shkonte në 220 milionësh si benefit i drejtpërdrejtë për ekonomisë shqiptare dhe do të mbante në punë 28.000 vetë me një pagë mesatare mujore prej 700 Eurosh.

Pra tregu turistik gjerman është një mundësi ekonomike që duhet të adresohet përmes Diasporës.

Utopi? Shifrat flasin vetë, nëse Turqia sot përfaqëson një destinacion turistik për gjermanët, kjo është falë marketimit të vendit përmes diasporës turke në Gjermani. Sot 5.5 milionë turistë gjermanë vizitojnë çdo vit Turqinë dhe ky numër përfaqëson 12% të turizmit më fitimprurës të saj!

 

 

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI