Integrimi

Personeli vendës në misionet e Kosovës në Zvicër, pagat si raste sociale

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Tashmë kemi të dhëna të shumta që dëshmojnë se Zvicra është një ndër shtetet më të pasura në botë (si financiarisht, po ashtu edhe në asete) për kokë banori, prandaj edhe kostoja e jetës është ndër më të shtrenjtat në botë dhe rrjedhimisht edhe standardi.

Cyrihu dhe Gjeneva, ndër qendrat kryesore të shtetit helvetik, radhiten në top pesëshen e qyteteve me standardin dhe koston më të lartë të jetesës në botë. Pos Bernës, ku është e vendosur Ambasada e Kosovës, edhe në këto dy qytete Republika e Kosovës është e përfaqësuar me konsullata.

Përpos personelit diplomatik, që zgjidhen, emërohen dhe dekretohen nga institucionet qendore kosovare, këto misione diplomatike e konsullore kosovare nëpër botë kanë nevojë edhe për staf lokal, në dokumentet zyrtare të cilësuara si “Personel vendës”.

Sipas Udhëzimit Administrativ 05/2012 për pagat e këtij personeli në misionet diplomatike dhe konsullore, të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në shtojcën nr. 1 jepen edhe detajet mbi pagat që gëzojnë stafi lokal në kategori të ndryshme.

Paradoksi i këtij kategorizimi qëndron në faktin se Zvicra është futur në të njëjtin rang me shumë shtete evropiane ku kostoja e jetës atje është për disa herë më e ulët.

Një ndër temat që albinfo.ch ka përzgjedhur të hulumtojë kësaj radhe janë pikërisht pagat e personelit vendës në misionin diplomatik e konsullor, me fokus Zvicrën.

Për të qenë më lehtë e zbërthyeshme, e marrim si shembull pozitën e Asistentit Administrativ (në shtetet e grupit të parë, ku bën pjesë edhe Zvicra, Gjermania, Austria, Franca, Italia, Holanda etj.), ku paga bruto e përcaktuar me udhëzimin administrativ është 1900 euro.

Por, të shohim të dhënat e EUROSTAT-it për vitin 2014 mbi të ardhurat mesatare neto për një person, që jeton pa familje, shtete në të cilat Kosova është e përfaqësuar me misione diplomatike.

Austria 2 320,24 €
Belgjika 2 232,85 €
Bullgaria 324,89 €
Zvicra 5 130,92 €
Gjermania 2 315,20 €
Franca 2 223,89 €
Kroacia 755,21 €
Hungaria 511,70 €
Italia 1 736,18 €
Sllovenia 993,80 €
Turqia 590,35 €
Mbretëria e Bashkuar 2810,26 €
SHBA-ja 2 360,88 €
Shqipëria 351 €

Tash, duke u bazuar në këto të dhëna, del se ndër këto shtete kemi dallime të mëdha në të ardhurat mesatare dhe shtrohet pyetja pse MPJ paguan njëjtë në të gjitha misionet e kategorisë 1.

Albinfo.ch në këtë hulumtim ka marrë si shembull Zvicrën dhe Italinë, ku dallimi në pagë mesatare është përafërsisht 3400 euro. Nëse për një punëtor të tillë në Itali, paga neto e të cilit është nën mesatare të vendit ( 1.738.18 euro ) ku punon, ka vështirësi të arrijë fundin e muajit, atëherë si do t’ia dalë kolegu i tij në Zvicër që me të njëjtën pagë të përballojë koston e jetës, e cila e ka gati më të lartën në botë, e me një rrogë mesatare për 3400 euro më të madhe se në Itali.

Përderisa një asistent apo vozitës në Francë, Gjermani apo Austri, paga bruto e të cilit është 1900 euro, e ku paga mesatare sipas EUROSTAT është ndërmjet 2200 deri 2320 euro për një person, ka vështirësi, atëherë krahasoni se çka mund të bëjë një asistent i tillë apo vozitës në Cyrih, Bernë apo Gjenevë me vetëm 1900 euro bruto.

Me një logjikë të njëjtë të veprimit, por me përmasa edhe më të mëdha, ky fenomen ndodh edhe në misionet e Kosovës në shtetet e Ballkanit. Sipas, po ashtu Udhëzimit Administrativ 05 2012 të MPJ, paga e një asistenti në Shqipëri, Maqedoni apo Mal të Zi është 900-1150 euro, shtete këto në të cilat paga mesatare sillet rreth 350-480. Krahasuar me shembullin e parë, një logjikë e tillë s’ka nevojë as për koment. Lexuesi mund të nxjerrë vetë përfundimin se çfarë diskriminimi ndodh me këtë personel në Zvicër, ku paga mesatare zyrtarisht është mbi 5000 euro.

Paradoksi i këtij fenomeni është se si ka mundësi dhe buxhet shteti i Kosovës që një punëtor i nivelit të njëjtë në këto shtete të paguhet mbi 100% mbi pagën mesatare të vendit ku shërbejnë, ndërsa në Zvicër kjo pagë nuk arrin as gjysmën e minimumit të ekzistencës. Nëse do të veprohej edhe në Zvicër sipas logjikës dhe parimit të njëjtë me shtetet e Ballkanit, atëherë kjo do të thotë se në Zvicër paga për këta punëtorë do të duhej të ishte ndërmjet 12.000 dhe 15.000 franga, gjithmonë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të EUROSTAT dhe SECO.

Duke pasur parasysh se sa të përpikta dhe rigoroze janë institucionet zvicerane në zbatimin e ligjit, shtrohet pyetja vetvetiu a janë misioni diplomatik i Kosovës në Bernë dhe ato konsullore në Cyrih e Gjenevë të interesuara që nga punëtorët e tyre të angazhuar me orar të plotë dhe kontratë pune 100% të krijojnë raste sociale që do të detyrohen të kërkojnë asistencë në ente përkatëse zvicerane e të jenë barrë e buxhetit të shtetit zviceran, e që për pasojë do të ketë skandale dhe probleme me institucionet e Konfederatës Helvetike, apo të jenë me të vërtetë përfaqësues të denjë të Republikës së Kosovës.

Duke mos dashur të krijojmë pasqyrim negativ në imazhin e misioneve të Republikës së Kosovës në Zvicër, edhe pse punëtorët në fjalë janë tatimpagues zviceranë dhe janë të punësuar sipas legjislacionit zviceran, për sqarime rreth këtij fenomeni ne nuk u kemi kërkuar ndonjë prononcim institucioneve zvicerane, por vetëm atyre kosovare, duke iu drejtuar fillimisht ambasadës në Bernë, pastaj edhe direkt Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës në Prishtinë, mirëpo fatkeqësisht asnjëra palë nuk e ka parë të arsyeshme t’u përgjigjet pyetjeve tona.

Alban Hamza