Lajme

Plagoset për vdekje kryetari i komunës Lauterbrunnen, arrestohet gruaja e tij

Disa orë pas krimit, policia ka arrestuar në zonën e Lauterbrunnen-it, gruan e të ndjerit, një 58-vjeçare gjermane

Një 69-vjeçar është plagosur për vdekje në Lauterbrunnen BE mbrëmjen e së mërkurës, transmeton albinfo.ch. Disa orë më vonë policia ka arrestuar si autore të dyshuar bashkëshorten e tij, një 58-vjeçare gjermane.

Ajo është në paraburgim. Policia është alarmuar pak para orës 20:20 të së mërkurës.

Shërbimet e urgjencës gjetën të plagosurin rëndë në një shtëpi në Gässli. Sipas gazetës “Berner Zeitung”, ai është kryetar komune. Shërbimet në fjalë mundën të konstatojnë vetëm vdekjen e tij, njofton prokurori publik rajonal dhe Golicia e Kantonit të Bernës.

Gruaja nën dyshim

Policia ka nisur menjëherë kërkimet për autorët e mundshëm të krimit. Disa orë më vonë ajo ka arrestuar gruan e të ndjerit, në zonën e Lauterbrunnen. 58-vjeçarja gjermane është dërguar në komisariat për sqarime të mëtejshme, përcjell albinfo.ch. Ajo është në paraburgim.

Gruaja dyshohet se i ka shkaktuar plagët fatale bashkëshortit të saj. Nën drejtimin e prokurorisë publike po zhvillohen hetime të gjera për rrethanat e krimit. Policia nuk ka dhënë më shumë informacione për rrjedhën e ngjarjes dhe rrethanat e vrasjes.