Maqedonia

“Plisat” nga Zvicra bëjnë me shtëpi një familje në Shkup

Shtëpia e re e familjes Hasani nga komuna e Sarajit, ka tre dhoma dhe është e rregulluar dhe mobiluar në tërësi nga “Plisat”

Familja Hasani nga Saraji i Shkupit u bë me shtëpi të re. Ata paraprakisht kanë jetuar në kushte shumë të rënda.

Kryefamiljari i kishte braktisur, ndërsa 2 djemtë dhe nëna e tyre janë strehuar te dajallarët. Në ndihmë atyre u doli klubi motoristik “Plisat” nga Zvicra, në bashkëpunim me organizatën humanitare “Kalliri i mirësisë”.

Elmedini shprehet mirënjohës për shtëpinë që ua ndërtuan. Tani ai thotë se kanë një brengë më pak.

E klubi motoristik “Plisat” që e morën këtë iniciativë për siguruar shtëpinë, erdhën me motor nga Zvicra, për t’ia dhuruar familjes Hasani çelësin e shtëpisë së re. Kapiteni i këtij klubi, Fatmiri Aliu, thotë se nuk ka fjetur nga emocionet se kjo familje do të bëhet me shtëpi.

Edhe nga “Kalliri i mirësisë” shprehën falënderimi për të gjithë ata që kontribuan për ndërtimin e kësaj shtëpie.

Ndryshe kjo është shtëpia e katërt me radhë që ndërton klubi motiristik nga Zvicra “Plisat”. Nënkryetari i klubit, Naim Nuredini, thotë se nuk do të ndalen me kaq dhe se do të vazhdojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Shtëpia e re e familjes Hasani nga komuna e Sarajit ka tri dhoma dhe është e rregulluar dhe mobiluar në tërësi nga “Plisat”, përcjell albinfo.ch.