Lajme

Policia e Vaudit intensifikon kontrollet ndaj automjeteve me zhurmë të tepërt

Policia kantonale e Vaudit në Zvicër po shton aksionet kundër automjeteve që shkaktojnë zhurmë të tepërt, duke zhvilluar rreth 20 operacione të tilla çdo vit. Një ndërhyrje e fundit u realizua në rajonin e Nyonit, ku u kontrolluan dhjetëra automjete.

Autoritetet bëjnë të ditur se objektiv i këtyre kontrolleve janë makinat me modifikime të paligjshme dhe drejtuesit që shfaqin sjellje të rrezikshme në rrugë, si përshpejtimet e forta apo rrotullimi i gomave. Aksionet po zhvillohen që nga viti 2021 në bashkëpunim me policinë komunale dhe institucionet e transportit.

Gjatë vitit 2025 janë kontrolluar rreth 500 automjete, ndërsa afërsisht gjysma e drejtuesve janë ndëshkuar për shkelje. Vetëm në kontrollin e fundit në Nyon, nga 36 automjete të inspektuara, katër u sekuestruan për mosrespektim të standardeve.

Policia thekson se këto masa vijnë si përgjigje ndaj ankesave të qytetarëve për ndotjen akustike dhe synojnë rritjen e sigurisë në rrugë. Ndaj shkelësve parashikohen masa administrative dhe gjoba.