Lajme

Policia gjermane: Kosovari që vrau 30-vjeçarin, mburrej me krimin

Përgjimet e Policisë gjermane tregojnë se shqiptari nga Kosova, mburrej me krimin e bërë.

Kosovari vrau 30-vjeçarin në mes të ditës në Gjermani, derisa policia gjermane tani ka dalë me një audio, ku tregohet se dorasi po mburrej me krimin që e kishte kryer, transmeton albinfo.ch.

Gjatë verës, në një kryqëzim në Hanover të Gjermanisë, R.Z., i moshës 33 vjeç, e kishte qëlluar për vdekje një person.

Thuhet se krimi kishte një histori “bandash”. Ndërkohë, në fillim të akuzës, avokatët e kosovarit thanë se ai e kreu krimin në vetëmbrojtje. Por, tani gjërat kanë ndryshuar, ku në momentin e krimit, telefoni i R.Z. është përgjuar nga hetuesit nën dyshimin për mashtrim. Në telefonata mësohet se ai ishte mburrur për vrasjen e kryer, shkruan gazeta gjermane, Hannoversche Allgemeine Zeitung, transmeton albinfo.ch.

Mediat gjermane shkruajnë se kosovari qëlloi në mënyrë të egër dhe e vrau A.N. i moshës 30 vjeç, ndërkohë ai ishte nën vëzhgimin e policisë: policia ia përgjonte telefonin.

“Në atë kohë ai konsiderohej i dyshuar në një rast të madh mashtrimi”, tha Christian Wolters, zëdhënës i prokurorit publik të Braunschweig. R.Z. mësohet se së bashku me bashkatdhetarë të tjerë më parë kishte “marrë me qira” makineri të shtrenjta ndërtimi me të dhëna personale të pasakta. Sipas Wolters, dëmi arriti në një milion euro.

Në fund të fundit, dyshimi në atë kohë nuk çoi në ndonjë aktakuzë kundër tij. Përkundrazi, ai tani është ulur në bankën e të akuzuarve të dhomës së gjykatësve në gjykatën rajonale të Hanoverit – për vrasje nga pakujdesia. Të hënën ai u përball me hetimet e gjykatës dhe u qëndroi fjalëve të tij që i tha edhe më herët: “Mendova se donte të gjuante. Në atë moment e qëllova”.

Prokurori publik i Braunschweig-ut ua vuri në dispozicion kolegëve në Hanover telefonatat e regjistruara pas krimit. Dhe, sipas Steffen Stern, avokat i familjes së A.N., i cili u vra, R.Z kishte thënë: “I vrava dy boshnjakë”. Avokati donte të dinte nëse ai e kishte thënë vërtet këtë. Por pyetjet mbetën pa përgjigje. Ashtu si pyetjet e avokatit Matthias Waldraff në lidhje me hetimin e Braunschweig. Waldraff përfaqëson N.M., kunatin e të vrarit A.N.

Kujtojmë se mosmarrëveshja fatale filloi më 1 tetor 2020, muaj para të shtënave, në një parking restoranti në Langenhagen. Disa ofendime kanë qenë shkas për të akuzuarin dhe N.M. ka hyrë në një debat fatal. Pas kësaj, më shumë se dhjetë përpjekje për të ndërmjetësuar mes familjeve dështuan.

“E dija se ata kishin bërë diçka”, tha R.Z., në gjykatë. “Sepse para kësaj, A.N. dhe N.M. kishin përhapur thashethemet se konflikti ishte zgjidhur”.

A kishte edhe një marrëveshje mes familjeve për ta zgjidhur fillimisht mosmarrëveshjen të paktën përkohësisht? R.Z. tha të hënën në gjykatën rajonale: “Babai im ishte në kontakt me familjen e A.N në Kosovë. Ata na kanë dhënë besën për një vit”.

“Dhe çfarë ndodh atëherë?” – pyeti gjykatësi Stefan Joseph.

“Atëherë ata mund të vazhdonin të rrinin në besë, ose mund të hakmerreshin për veprën”, ishte përgjigjja e R.Z.

Gjyqi në rastin e kosovarit është caktuar të vazhdojë të sot, më 13 janar. /Albinfo.ch