Kosova

Si e shohin politikanët shqiptarozviceranë kthimin e degëve të partive kosovare në Zvicër

Degët e partive nga Kosova kanë nisur të ringjallin aktivitetin e tyre në mesin e mërgatës, në Zvicër. Si e shohin këtë politikanët me rrënjë shqiptare që veprojnë në institucionet zvicerane

Shqiptarët në Zvicër, ashtu sikurse edhe shumica e komuniteteve me prejardhje të huaj, janë përpjesëtimisht më pak aktivë në jetën politike të vendit. Kjo, sigurisht, vlen edhe për ata që tashmë janë natyralizuar, pra, kanë marrë pasaportën zvicerane. Nga ana tjetër, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për pjesëmarrjen e tyre në zhvillimet politike në vendin e prejardhjes, kryesisht në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst, siç dihet, degët e partive shqiptare në diasporë kanë ekzistuar pothuaj që nga themelimi i tyre në atdhe. Një kohë ato ishin pasivizuar dhe pothuajse kishin pushuar aktivitetin e tyre. Tani, së fundi PDK, LDK  dhe AAK kanë filluar njëfarë riorganizimi ndërkohë që pikat e Lëvizjes Vetëvendosje, si parti më e re, kanë qenë aktive edhe më parë. Lidhur me këtë dukuri kemi pyetur disa nga politikanët më aktivë me rrënjë shqiptare në politikën zvicerane.

Fjala është për: Qëndresa Hoxha-Sadriun, deputete në Parlamentin Kantonal të Cyrihut, Përparim Avdilin, asamblist në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut (dhe kryetar i degës së FDP-së në Cyrih) dhe Gadaf Muharemin, asamblist në Asalmblenë e Qytetit të Cyrihut.

Pyetja që albinfo.ch u ka shtruar atyre është: çfarë mendoni ju si politikanë shqiptarozviceranë lidhur me aktivitetin e mërgatës shqiptare në Zvicër mbi baza partiake nga vendlindja: e pengon ky integrimin e shqiptarëve në Zvicër gjegjësisht “familiarizimin” e tyre me politikën në vendin ku kanë zgjedhur të jetojnë apo jo. A duhet të ketë një aktivitet të tillë? Nëse po, përse dhe nëse jo, po ashtu, cili është arsyetimi i juaj?

Qëndresa Hoxha – Sadriu: Aktivitetet partiake, pozitive por me një kusht…

Për sa i përket krijimit të degëve të partive të ndryshme të Kosovës në Zvicër, unë e shikoj pozitivisht në planin afatshkurtër. Ky fakt besoj që i shtyn njerëzit të jenë më aktiv në jetën politike në Kosovë sepse i mban më të mirëinformuar me zhvillimet politike. Gjithashtu komunikimi është më i shpejtë dhe informacioni mbërrin dhe tek ata me pak të interesuarit në politikë.

Kjo nuk do të pengonte aspak integrimin e tyre në vendet ku jetojnë, në rast se mërgata është aktive dhe në jetën politike të vendit ku jetojnë. Në qoftë se njerëzit janë të interesuar të votojnë vetëm në vendin e prejardhjes atëherë ky mund të jetë një problem për integrimin e tyre në vendet e banimit.

Në planin afatgjatë, me qëllim që të përforcohet aktivizimi i mërgatës si në Kosovë gjithashtu dhe në vendet e banimit, modeli për tu ndjekur do të ishte ai i partive simotra. Një qasje e tillë do të zhvillonte komunikimin mes partive të Kosovës dhe partive motra në Evropë, do të nxiste aktivizmin dhe vetëdijen politike të qytetarëve e do ishte në të mirë si të mërgatës shqiptare po ashtu dhe të partive në vendet amë e duke ju bërë dhe një kursim të madh në buxhetet e tyre. Nëse interesimi i popullatës është aty nuk besoj të jetë më nevoja e degëve të partive në mërgatë, sepse informacioni është lehtësisht i arritshëm dhe nëpërmjet medias televizive por edhe asaj sociale.

Përparim Avdili: Partitë politike shqiptare nuk kanë platformë për diasporën

Aktivizimi i partive politike kryesisht të Kosovës në diasporë është pozitiv në parim. Ky aktivizim domosdoshmërisht mundëson përfshirje më të madhe të diasporës në vendimmarrje. Mirëpo, procesi i aktivizimit dhe formati mbeten të paqarta. Deri më tani, ende asnjë parti politike shqiptare nuk ka një platformë të qartë në raport me diasporën në mënyrën se si do të jetë e përfshirë ajo në rritjen dhe zhvillimin e potencialit në trojet shqiptare.

Së fundi kemi parë disa raste të përfshirjes së diasporës në Qeverinë e Kosovës, duke emëruar tre ministra. Duket se emërimi i ministrave është më tepër funksion simbolik, dhe ashtu nuk është se kanë treguar ndonjë performancë të mirë dhe emërimi i tyre duket të jetë hije ndaj mungesës së planit dhe alternativës konkrete qeverisëse në linjë me diasporën shqiptare.

Gjithsesi, Kosova qëndron më mirë se qeveritë në Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë, pothuajse çdo palë zgjedhje ka një fokus te diaspora, ndonëse pa plane dhe mekanizma konkret, një lloj entuziazmi vihet re.

Gadaf Muharemi: Po ekzistimit të degëve të partive nëse ato nuk synojnë vetëm votën

Organizimi i partive politike nga vendet amë në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, përkatësisht Zvicër, në thelb nuk përbën pengesë për integrim por përkundrazi besoj se edhe e ndihmon integrimin. Nëse aktivitetet e partive politike kanë për qëllim bashkëpunimin me mërgatë dhe shfrytëzimin e resurseve dhe dijes që mërgata ka, atëherë kjo ndihmon shtete përkatëse dhe është një urë lidhëse ndërmjet shtetit amë dhe shtetit ku jetojmë. Por nëse partitë politike organizimin dhe aktivitetin e tyre në mërgatë e shohin vetëm për të marrë vota, atëherë kjo, përveç se është e dëmshme është edhe kundërproduktive sa i përket integrimit.