Kosova

Sot afati i fundit për subjektet e reja politike për aplikim në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Sot, më 10 maj në orën 24:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.

Subjektet e reja politike mund t’i shtohen edhe listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë një ditë më herët se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.

“Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

Ndërkaq deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike kanë kohë për të dorëzuar online në KQZ listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend.

“Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha ai.