Karriera në Ballkan

Pollozhani: Arsimi i katandisur keq

Azis Pollozhani që ka jetuar në Zvicër thotë se krahasimi me shtetin helvetik nuk duhet të bëhet, sepse rezultatet janë të nënkuptueshme.

Ish-ministri i Arsimit në Maqedoni dhe njëri nga profesorët më në zë shqiptar në këtë shtet, Aziz Pollozhani shprehet i pakënaqur me performancën e sistemit arsimor në Maqedoni,  dhe në veçanti ai në gjuhën shqipe . Ai shpreh edhe shqetësimin me vonesat në funksionalizimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ai thotë se në Maqedoni është krijuar një lloj armate e studentëve dhe profesorëve që është nën nivelin e duhur, derisa lufton që në të ardhmen të krijohet një sistemi modern i arsimit. Pollozhani që ka jetuar në Zvicër thotë se krahasimi me shtetin helvetik nuk duhet të bëhet, sepse rezultatet janë të nënkuptueshme.  Pollozhani për të gjitha shqetësim në arsim, shkencë, kulturë e diplomaci flet për gazetën “Koha” e Maqedonisë, dhe transmeton Albinfo.ch.

Zoti Pollozhani. Ju keni ushtruar shumë poste: ambasador, ministër, deputet, mjek, drejtor, cili post është më i vështirë për ta udhëhequr?

Pollozhani: Ai post(dhe jo vetëm post) që ka më shumë përgjegjësi, si rregull është edhe posti më i vështirë. Në përvojën e përgjegjësive që kam pasur unë rastin dhe nderin që ti ushtroj, padyshim që përgjegjësia më e madhe publike lidhet me punën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Por nuk mund të thuhet se është me më pak përgjegjësi të kryesh profesionin e mjekut, në rastin tim të kirurgut, ku përgjegjësia lidhet më kënaqësinë e pacientit, që këtë relacion e bënë sa senzitiv, po aq edhe të vështirë. Megjithatë, duhet thënë se nuk ka punë ose poste me përgjegjësi të madhe ose më të vogël, por ka qasje individuale ndaj punës ose postit që e ushtron. Varësisht se si një individ e ushtron postin ose kryen punën për të cilën ka marrë përgjegjësi? Sidoqoftë, më mirë kjo le të gjykohet nga të tjerë.

Keni qenë përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor. Sa keni arritur t’i mbroni interesat e popullit tuaj?

Pollozhani: Unë kam pasur nderin që të zgjidhem në tre legjislatura në Kuvendin e Maqedonisë (1998-2002; 2002 -2006 dhe 2006-2008, njërin nga këto mandate e kam zëvendësuar me mandatin e Ministrit të arsimit dhe shkencës(2002-2006). I përmenda këto të dhëna që më qartësisht ti përgjigjem pyetjes suaj, sepse është e rëndësishme të kuptohet se përfaqësimi i interesave të votuesve është imanent, pa marrë parasysh nëse i përket forcës politike që është në pushtet, në opozitë, apo në ekzekutiv. Kuptohet që format dhe mjetet e realizimit të këtij përfaqësimi ndryshojnë, por ato nuk humbin në peshë.

Në mandatin e parë këtë obligim unë e kam ushtruar nga pozicioni i opozitës, pozicion ky që është jetik për një demokraci funksionale dhe transparente. Sado që të kota të duken angazhimet e opozitës, ato janë jetike për një rrjedhë normal në jetën pluraliste politike. Për më shumë, kjo ishte një fazë sa dinamike aq edhe historike për popullin shqiptar  sepse ne kaluam nëpër dy lufta, atë të Kosovës (1999) dhe tonën këtu në Maqedoni (2001) ku edhe struktura parlamentare. Asokohe u deshtë që edhe deputetët të realizojnë një rol të rëndësishëm si në parlamentet respektive, po ashtu edhe në strukturat e përfaqësimit ndërkombëtar, sikur që ishte edhe rasti me përfaqësimin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku unë bashkë me kolegë të tjerë mendoj se dhamë kontributin tonë jo të vogël për orientimin e mbarë të rrjedhave në vend. Është një Rezolutë e Këshillit të Evropës që u aprovua në vlugun e Luftës në Maqedoni që orientoi në rrugë të duhur drejtimin e zgjidhjes së konfliktit ndëretnik që kishte pllakosur vendin. Prandaj duhet rikujtuar se esenca e këtyre orientimeve u diktua që nga aprovimi i disa amendamenteve, ku autor i të cilëve isha unë, por i mbështetur edhe nga një numër i deputeteve shumë autoritativ të Këshillit.

Kuptohet që më pastaj nga pozita e ministrit u mundova që ti vë në vend përcaktimet bazë të Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht, amendamenteve kushtetuese në sferën e arsimit, sferë kjo mbi të cilën reflektoheshin në mënyre më të prekshme dhe të ndejshme politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve,  gjë që shpesh e sillnin shoqërinë në buzë të konfliktit shkatërrues. Në këtë aspekt, kuptohet i mbështetur edhe nga strukturat tjera politike, mendoj se ia arritëm që të ndryshojmë si strukturë po ashtu edhe klimën e përgjithshme në sferën e arsimit, kurorëzimi i së cilës simbolizohej me legalizimin e Universitetit të Tetovës, gjë që më bën të ndjehem krenar.

Në vendlindjen tuaj flitet e shkruhet dygjuhësia?   

Pollozhani: Sigurisht që fliten dhe shkruhen, dy, pse jo edhe më shumë gjuhë. Kjo është një pasuri dhe vlerë civilizuese që e nderon çdo njeri dhe çdo sistem politik apo administrativ. Madje, kjo punë nuk do të duhej të ishte çudi që të paraqiste ndonjë lajm. Por fakti që ju e shtroni si pyetje dhe që me të drejtë është objekt bisede në shumë qarqe dhe në vazhdimësi është shqetësuese. Është e tillë sepse më të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që këto dy popuj, shqiptarë e maqedonas, që jetojnë kaq gjatë dhe kryesisht në harmoni pranë njëri tjetrit, nuk mund të merren vesh se si të nderojnë  njëri tjetrin dhe si të respektohen në mënyrë të ndërsjellë, duke e fol gjuhën e njëri tjetrit. Sado që gjuha në kushtet ballkanike merr premisat e strumbullarit identitar të kombeve , ajo në përditshmëri më shumë ka rëndësinë e një mjeti komunikues.
Nëpërmjet një relacioni të ndërsjellë, njohja e gjuhës së njëri-tjetrit, jo vetëm që krijon kushte për tu marr vesh më mirë, por ajo shndërrohet edhe ne një beton që forcon kohezionin social, sepse reflekton respekt të ndërsjellë, mirëkuptim që rrënon barrierat e stereotipive që shtrembërojnë mendimin për njëri tjetrin.

Ura e poezisë në Strugë është ura e poetëve apo e struganëve?

Pollozhani: Poezia vetë ka vlera dhe dimensione universale e njëjta duhet të jetë edhe ura e poezisë. Sigurisht që këto të dyja para se gjithash u takojnë poetëve, krijuesve të gjithë botës, por pse jo edhe struganëve që i mirëpresin ato, tanimë më shumë  se 50 vite në brigjet e Drinit të Zi. Ky festival i madh i poezisë ka qenë përjetimi i posaçëm për të gjithë rininë struganë dhe më gjerë. Ajo u bë edhe burim frymëzimi për shumë të rinj dhe të reja për t’iu rrekur pendës dhe për tu bërë poet, që tani më nderojnë më punën e tyre Strugën. Më duhet të them po ashtu, se, tani më një kohë të gjatë është evidente nevoja e rishikimit të konceptit në drejtim të pasurimit dhe të reflektimit në te të realiteteve aktuale artistike dhe sociale. Për ti dhënë në këtë mënyrë këtij manifestimi madhështor edhe vlera plotësuese dhe mesazhe më kuptimplote drejt botës mbi pasuritë tona tradicionale që për nga koloriti, diversiteti dhe mirëkuptimi paraqesin kontribute që më shumë se kurrë tani i duhen botës. Me keqardhje më duhet të them se për arsye të çuditshme por të pa arsyetueshme një gjë e tillë nuk ndodh. Nga kjo mendoj që humbim të gjithë. Shumë keq!

Keni qenë përfaqësues diplomatik, a mendoni se ambasadori është “rob” i shtetit?

Pollozhani: Diplomacia në përgjithësi është instrument i politikës si në rrafsh shtetëror po ashtu edhe ndërkombëtar në shërbim të interesave respektove, por me qëllim ruajtjen e paqes në botë. Ambasadori, pra, nuk është “rob”, i shtetit për mund të them që është ,,përfaqësues fuqiplotë,, i shtetit që përcjell qëndrimet zyrtare shtetërore në vendin ku i është dhënë mandati. Duhet theksuar si ky post historikisht është përcjellë me misticizëm, glorifikime, pompozitet, por edhe i është potencuar roli që shpesh e ka luajtur duke qenë edhe faktori vendimtar për përcaktimin e rrjedhave me dimensione historike. Me kalimin e luftës së ftohtë dhe me fuqizimin e bashkëpunimit rajonal (BE, etj.) kuptohet që roli i diplomacisë dhe ambasadorëve nuk është më i tillë.

Çfarë qëllimi keni arritur, si ambasador?

Pollozhani: Unë kam përfaqësuar Republikën e Maqedonisë në OKB në Gjenevë në vitet 2009-2012. Përfaqësimi në këtë vend nënkupton prezantimi i interesave të shtetit në organizata dhe agjenci të ndryshme me seli në Gjenevë, siç janë: Këshilli i të Drejtave të Njeriut, organ shumë i rëndësishëm në sistemin e OKB për të drejtat e njeriut e themeluar në 2005( pra shumë vonë por me peshë të madhe ), pastaj Organizata Botërore e Tregtisë (WTO), Konferenca e OKB për Çarmatim,Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Organizata për Mbrojtjen e  Pronësisë Intelektuale (WIPO), Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), Unioni Botëror i Telekomunikacionit (ITU etj.

Në të gjitha këto struktura si dhe kontaktet personale me diplomat të ndryshëm, dhe sidomos edhe me pjesëtarët e diasporës sonë jam përpjekur që me dinjitet të kryej misionin, por edhe tu ofroja informata sa më burimore dhe të bazuara në fakte për rrjedhat e ndryshme me interes për ta.

Në bashkëpunim me ambasadorë të vendeve mike (të Shqipërisë, Indisë dhe Vatikanit) në Sallën Solemne të OKB në Gjenevë organizuam manifestimin madhështor për nder të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, ku morën pjesë mbi 150 ambasadorë nga gjithë bota si dhe shumë dashamirë tjerë vendas dhe pjesëtarë të nderuar të diasporës.

Hipotetike: Zoti Pollozhani, vota e studentëve dhe stafit akademik ju zgjedh Rektor të Universitetit të Shkupit “Nënë Tereza”, për katër vite. Cilat janë mbresat, çfarë ndjesish merrni nga procesi zgjedhor?

Pollozhani: Para se ti përgjigjesha kësaj pyetjes  hipotetike, do të preferoja të bëjmë një pyetje pragmatike, apo jo? Për shembull, pse po vonohet dhe kur do të fillojnë aktivitetet për mbarë-shtrimin e procesit drejt një fillimi të mbarë të punës së këtij institucioni që aq shumë i gëzoj të gjithë shqiptarët. Përndryshe, çdo proces zgjedhor i realizuar me dinjitet mbi bazë të procedurave kredibile ku fjalën e vet e thotë çdo student dhe pedagog të çdo kush duhet të zgjoj ndjesi të këndshme .

A do ta  pranoni postin e rektorit në Universitetin e ri “Nënë Tereza” ?

Pollozhani: Sikurse u shpreha më lart në formë të pyetjes, do të përsëris nevojshmërinë, mbase edhe domosdoshmërinë e procedimit të procesit ligjor për konsolidimin e bazës fillestare për themelimin e universitetit. Përderisa kjo akoma nuk është rast, çdo lakim me emra, kusht do qofshin ato, nuk i ndihmon kësaj situatë. Për më tepër, kjo mund të degradojë deri në përmasa cinike që me sa duket edhe në këtë projekt madhor e disa e gjejnë të udhës ta bëjnë. Këtu le të më lejohet që të deklaroj që para se të flasim për emër për “kurorë” do duhej folur për konceptin, strukturën ,parimet dhe instrumentet për realizimin e qëllimit që duhet të arrihet me këtë universitet.

Maqedonia ka hyrë në një fazë inflacioni diplomash. Si mund të shmanget?

Pollozhani: Standardizimi i kritereve për veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe ligjshmëria në përmbushjen e kritereve ligjore dhe akademike në të gjitha aspektet e veprimtarisë akademike ,gradualisht do të sjellin reduktimin e diplomave të pavlefshme dhe ekuivalentimin e diplomës me nivelin e njohurive dhe kompetencave.

Cili është modeli i mirë i një Universiteti?

Pollozhani: Universitet i mirë është ai që realizon ndershmërisht misionin e tij. E ky mision është fuqizimi i studentëve ( të rinjve) me dije dhe kompetenca të afta për të përballuar sfidat e të ardhmes në një ambient konkurrues global të tregut të punës. Se a janë në nivelin e këtij misioni universitetet në gjuhën shqipe ,është çështje që domosdoshmërisht duhet hapur një debat ku ato që do të duhet të jenë më të zëshëm, më aktiv, duhet të jenë studnetët.Fakti që në disa universitete, organizatat studentore as që mund ti dallosh që janë të tilla, mendoj që është tregus që disa universitete tona nuk janë duke e kryer misionin e vet, ato nuk arrijn të pajisin studentët me dijet e mjaftueshme të kohës dhe nuk i aftësojnë për të menduar në mënyrë  kritike, që është mjeti dje mënyra e përparimit.    Ky debat pra është i pashmangshëm, më mirë herët se vonë.

Çfarë i dallon Universitetet maqedonase nga ato shqiptare?

Pollozhani: Përveç gjuhës në të cilën mbahet mësimi edhe tradita  dhe përvoja që është në anën e universiteteve  maqedonase.Ky dallim bart me vete edhe aspektet të pregaditjes infrastrukturore por edhe ato të cilësisë së mësimdhënies që mund të thuhet që jodomosdoshmërisht dhe jo gjithmonë përcillet nga një vijë e saktë mbi dallimet gjuhësore.

Si e gjykoni faktin se shumë profesorë të angazhuar në Universitete, nuk i plotësojnë kushtet primare: – Nuk kanë të botuar librat e tyre? 

Pollozhani: Inflacioni i institucioneve të arsimit të lartë, hapja e tyre pa përmbushur minimumin ligjor, krijoji hapësirë për alibi për gjoja “nevojë të madhe për kuadro” të cilën e shfrytëzuan disa,”tregtarë letrash” disa “tregtarë mjegulle” dhe me sa duket u krijua një “treg virtual” i “dijeve dhe diplomave virtuale”që e karakterizon fatkeqësisht ambientin e arsimit të lartë. Është për të ardhur keq që ndaj një gjendje të tillë mbetën indiferent edhe organet më përgjegjëse të ngarkuara për rrjedhat në arsim. Tani më është evidente që kjo frymë dominon në ambientin e përgjithshëm të arsimit të lartë, pa marrë parasysh nëse janë ato publike apo private, kuptohet me disa përjashtime respektive. Në një situatë të tillë, fakti që përmendi ju lidhur me cilësinë e pedagogëve është vetëm pasojë. Por për fat të keq, pasojat më të mëdha do të bijën mbi ato që nuk kanë aspak faj, mbi studentët. I bindur që një gjendje e tillë është e paqëndrueshme, uroj që institucionet të tregojnë seriozitet dhe ta trajtojnë drejtë problemin, në interes të së ardhmes së rinisë dhe vendit tonë.

Sa larg është Maqedoni në krahasim me Zvicrën, ku ju një kohë keni jetuar?

Pollozhani: Meqë dallimet janë evidente nuk mendoj që ka nevojë për krahasime  sepse rrezultatet janë të nënkuptueshme. Por di të them qe në Zvicër , sikurse edhe në vende tjera ku kemi diasporën tonë, po ndrihet nje gjenreate e mahnitshme e djemve dhe vazave të reja, të ditura, të shkolluara . kompetente që jo vetem që do ti sheshojnë shpedh këto dallime por do të nabejnë që të gjith të krenohemi me ta .Kam përshtypjen që opinioni këtu nuk është mjaft i infomuar për arritjet dhe bëmat e këtyre bijëbe dhe bijave tona në diasporë.Uroj që të krijohen forma të përshtatshme të komunikimit dhe bashkëpunimit në interes të një të ardhme më të mirë. Diaspora tani më nuk është vetëm burimi i mjeteve finaciare, ajo është burimi i dijeve të reja dhe i mundësive të reja për shqiptarët kudo janë.

Me sa duket publikimet shkencore ju kanë preokupuar dhe tani udhëhiqni një Reviste prestigjioze shkencore MEDICUS. Cilat janë përvojat tuaja ne këtë lëmi. Ku është niveli i shkencës shqiptare tani?

Pollozhani: Tani katër vite më parë Shoqata e mjekëve shqiptar në Maqedoni më kërkoi të marr përsipër redaktimin e Revistës shkencore mjekësore. Pas një kohe paraprake që kisha kaluar jashtë rrjedhave mjekësore mu duk si punë e vështirë, sepse e tillë edhe është. Por me një përkushtim dhe punë të palodhur iu futa punës dhe vlerësimet janë qe Revista ndërkombëtare shkencore MEDICUS ka arrit një standard të lartë, ajo ka forcuar pozicionin e vet si pikë reference për ndërtimin e karrierës profesionale dhe akademike të shumë mjekëve të rinj dhe jo vetëm. Ajo ka dhënë dhe po jep një kontribut të pashoq në afirmimin dhe ngritjen e plejadës së re akademike në fushën e mjekësisë, por, njëkohësisht është bërë edhe pikë orientimi dhe edukimi për kuadrot e reja ne sferën e publikimeve shkencore.

Revista ka Bordin editorial ndërkombëtar nga akademikë eminentë të botës. Publikon punime me recension anonim të dyfishtë; dhe rreptësishtë të bazuara në standarde dhe kritere të unifikuara mbi publikimet dhe shpresoj që gjeneratat e reja kanë më tani një platforme solide prej ku mund ta rrisin dhe fuqizojnë aktivitetin dhe gjithsesi ta përparojnë në përputhje me sfidat e reja në këtë fushë që nuk janë të pakta. Për përmbajtjen e saj çdo kush mund të njihet nëpërmjet web faqes se Revistës  www.imjm.mk   jam i sigurte që të interesuarit nuk do të zhgënjehen. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj edhe bashkëpunëtorët, recensentët dhe të gjithë ata që mbështetën ketë ngjarje suksesi.

E keni përkthyer emrin tuaj nga arabishtja në shqip?

Pollozhani: Unë trashëgoj emrin e gjyshit tim, i cili nuk ka dalë i gjallë nga Idrizova ku vuante dënimin si kundërshtar i sistemit të asaj kohe. Fati, ose thënë më sakt,po ai sitem e deshti që edhe im at të “trashëgojë” qelitë e këtij vendi të errët për disa vite. Unë jam munduar ta mbaj me nder emrin e tim gjyshi dhe kujtesën  e tim e ti, e mjaftueshme për të shpjeguar kuptimin e emrit tim edhe në gjuhën shqipe.