Portrete të firmave

“Prima Pflege”, e Merita Pintes, ndjek trendet e kohës, ofron shërbime “Inhouse Spitex”

Në intervistën për albinfo.ch, zonja Pinta ka shpalosur të arriturat dhe zhvillimet e viteve të fundit të firmës “Prima Pflege”, pronare dhe presidente e bordit të së cilës është

 Merita Pinta tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në biznesin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në kuadër të qendrave të banimit për përkujdesje të të moshuarve. Në intervistën për albinfo.ch, zonja Pinta ka shpalosur të arriturat dhe zhvillimet e viteve të fundit të firmës “Prima Pflege”, pronare dhe presidente e bordit të së cilës është.

Afaristja e suksesshme, reputacionin që gëzon biznesi i saj në sektorin e shëndetësisë në Zvicër ia dedikon punës profesionale dhe kualitetit të shërbimeve të “Prima Pflege”. Falë zgjerimit të hovshëm, “Prima Pflege”, po e rrit veprimtarinë e saj, duke ofruar shërbime që po krijojnë lehtësira për moshat e shtyra, siç është qendra “Inhouse Spitex”, e përshtatshme për çifte që dëshirojnë të banojnë së bashku dhe u duhet përkujdesje në aktivitetet e ditës.

Pinta së fundi ka marrë edhe udhëheqjen e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, për çfarë beson se do të jetë në shërbim të krijimit të lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve të diasporës.

Albinfo.ch: Zonja Pinta, tashmë njiheni si afariste e suksesshme në Zvicër. Cilat janë të arriturat tuaja që do të mund t`i veçoni gjatë viteve të fundit?

Merita Pinta: Në muajin gusht të vitit  2020 “Prima Pflege” kremtoi vitin e 5-të jubilar dhe mund të them se jam shumë e lumtur me të gjitha arritjet deri më tani. Për 5-vjetorin arritëm të hapin edhe një repart të ri në Bad Zurzach “Wohnen im Park” me 26 shtretër, ku dhe bëmë themelimin dhe integrimin e Inhouse-Spitex. Ky repart është më i veçantë dhe me koncept tjetër nga reparti që kemi deri më tani në Bad Zurzach. “Wohnen im Park” është shumë i përshtatshëm për çifte që dëshirojnë të banojnë së bashku dhe u nevojitet përkujdesje në aktivitetet e ditës. Në këtë repart banorët tanë mund të përcaktojnë vetë se cilat shërbime u nevojiten gjatë 24 orëve.

Nga të gjitha të arriturat, më së shumti më gëzon reputacioni që kemi arritur ndër vite ne si “Prima Pflege”, dhe kjo falë punës profesionale dhe kualitetit të qëndrueshëm.

Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, 2023, do të kemi edhe 60 banesa në dispozicion për të moshuarit. E gjithë kjo në bashkëpunim me kompaninë e njohur DOMUM, ku “Prima Pflege” do të ofrojë shërbimet profesionale për banorët, drejtpërdrejt në banesën e tyre për përkujdesje dhe shërbim 24 orë si dhe në thirrjet emergjente. Vlen të theksohet se kemi çdoherë e më shumë kërkesa nga klientët e “Parkhotelit”, të cilët vijnë në hotel nga Klinika e Rehabilitimit pas operacioneve për kurim. “Prima Pflege” si çdo herë është në shërbim për të gjitha kërkesat dhe nevojat e ndryshme shëndetësore. Bad Zurzach tashmë ka një histori të njohur dhe njihet si vend i banjës.

Albinfo.ch: Ju, si pronare e firmës “Prima Pflege” dhe një numri të shtëpive të pleqve, ku qëndroni aktualisht me biznesin tuaj?

Merita Pinta: “Prima Pflege” brenda këtyre viteve është zgjeruar më shpejt se që kam menduar. Duke parë këtë zhvillim të hovshëm, planifikojmë që në të ardhmen të shkojmë drejt disa specializimeve, të cilat do t’u përgjigjen nevojave të tregut.

Albinfo.ch: Aktualisht, sa shtëpi të pleqve keni në mbikëqyrje? Dhe sa ka ndryshime në konceptin e punës viteve të fundit?

Merita Pinta: Nën mbikëqyrjen e “Prima Pflege” janë këto Shtëpi/Reparte për përkujdesje: “Residenz im Rebberg Tegerfelden, Residenz im Park Bad Zurzach, Wohnen im Park Bad Zurzach, Primavera ne Oeschgen, Föhrengarten në Eiken dhe Inhouse Spitex Residenz im Park në Bad Zurzach.

Ndryshimi në konceptin e firmës sonë është, siç e kam cekur edhe më parë, reparti i ri në Bad Zurzach, në kuadër të të cilit është integruar edhe “Inhouse Spitex” dhe gjashtëdhjetë banesat për klientët tanë. Përndryshe, koncepti themelor do të mbetet institucioni për përkujdesje, edhe pse në përgjithësi jam shumë e hapur për trendet e reja, është shumë me rëndësi të ecim me kohën.

Albinfo.ch: Sa staf keni të angazhuar aktualisht në kuadër të firmës “Prima Pflege”,  dhe sa është i rëndësishëm zhvillimi i personelit në firmë?

Merita Pinta: Në përgjithësi janë mbi 100 punëtorë. Numri i punëtorëve do të rritet me projektet që janë duke u zhvilluar në Bad Zurzach. Zhvillimi i personelit është një ndër pikat më të rëndësishme në indikatorët e kualitetit të një organizate, e sidomos ato të sektorit të shëndetësisë. Zhvillimin e personalit gjithherë mund ta barazojmë me kualitetin e organizatës. Gjithashtu mund të them se me zhvillimin e personalit sigurojmë të ardhmen e organizatës dhe me këtë japin edhe një kontribut për shoqërinë me një përgjegjësi të madhe në kontekstin social.

Albinfo.ch: Ju po ashtu drejtoni edhe firmën “Pinta & Doli Group AG”. Cilat janë aktivitetet dhe planet për këtë vit?

Merita Pinta: Kemi të planifikuara disa aktivitete përgjatë këtij viti, siç është koncerti privat që do të mbahet më 26 mars 2022 në Baden. Po ashtu kemi të planifikuar edhe disa koncerte të tjera, si në Kosovë, Shqipëri, Spanjë si dhe për fundvit, më 10 dhjetor 2022, do të kemi po ashtu një koncert në Trafo Baden të Zvicrës.

Albinfo.ch: Së fundmi ju keni marrë udhëheqjen e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. A mund të na i shpalosni disa nga planet dhe projektet që planifikoni t`i realizoni?

Merita Pinta: Po, më 5 mars të këtij viti u zgjodha kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Falënderoj të gjithë për besimin që më dhanë për të qenë në krye të këtij rrjeti. Presim që pas takimeve që do t`i kemi me kryesinë e re, do të përcaktojmë edhe agjendën e punës së RRBSHZ-së. Në këtë kuadër do t`i përcaktojmë edhe pikat kryesore rreth menaxhimit dhe implementimit të plan programit të RRBSHZ-së.

Albinfo.ch: Për fund, a besoni se përvoja e juaj prej afaristeje të suksesshme në Zvicër do t`i shërbejë rrjetëzimit të bizneseve të diasporës në kuadër të RRBSHZ-së?

Merita Pinta: Besoj fort që përvoja ime si afariste do t`i shërbejë Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Bizneset e diasporës që veprojnë në Zvicër kanë një potencial jashtëzakonisht të lartë. Për këtë do të punojmë shumë, në mënyrë që këtë potencial ta drejtojmë drejt krijimit të lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve të diasporës. Në kuadër të planeve tona si RRBSHZ do të kemi edhe bashkëpunimin me Odat Ekonomike Tregtare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonie e Veriut.

Zvicra është vend i mundësive, mendoj që së bashku e kemi bërë hapin e duhur, kemi treguar një gatishmëri për ndryshim dhe jam e bindur se së bashku do të arrijmë qëllimin.

Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër e shoh gjithashtu një urë lidhëse mes Zvicrës dhe trojeve shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, qëllim yni do të jetë po ashtu edhe forcimi i lidhjeve dhe bashkëpunimi me rrjetet e tjera të bizneseve.

Çfarë na pret në vitin 2023

Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, 2023, do të kemi edhe 60 banesa në dispozicion për të moshuarit. E gjithë kjo në bashkëpunim me kompaninë e njohur DOMUM, ku “Prima Pflege” do të ofrojë shërbimet profesionale për banorët, drejtpërdrejt në banesën e tyre për përkujdesje dhe shërbim 24 orë si dhe në thirrjet emergjente.

Në krye të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër

Më 5 mars të këtij viti u zgjodha kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Falënderoj të gjithë për besimin që më dhanë për të qenë në krye të këtij rrjeti. Presim që pas takimeve që do t`i kemi me kryesinë e re, do të përcaktojmë edhe agjendën e punës së RRBSHZ-së. Në këtë kuadër do t`i përcaktojmë edhe pikat kryesore rreth menaxhimit dhe implementimit të plan programit të RRBSHZ-së.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI