Lajme

Pritet humbje e qartë e iniciativës së SVP-së për kufizim të migracionit

Këto rezultate i  tregon sondazhi i SRG-së mbi iniciativat për të cilat zviceranët do të votojnë më 27 shtator, 2020

Një Jo e qartë për “iniciativën e kufizimit” (për kufizimin e migracionit nga BE), një Po për blerjen e avionëve luftarakë dhe po ashtu një Po për pushimet e atësisë. Nga ana tjetër, Ligji i gjuetisë dhe ulja e taksave të fëmijëve janë në prag.

Këto rezultate i  tregon sondazhi i SRG-së mbi iniciativat për të cilat zviceranët do të votojnë më 27 shtator, 2020, shkruan srf.ch.

Në vazhdim janë rezultatet kryesore të sondazhit nga instituti kërkimor gfs.bern të realizuar në emër të SRG SSR:

Trend i qartë i humbjes së “iniciativës së kufizimit”

63 për qind të të anketuarve hedhin poshtë të ashtuquajturën “iniciativë kufizimi” të SVP, transmeton albinfo.ch. Opinionet tashmë janë ndërtuar: tri të katërtat e të anketuarve të cilët do të marrin pjesë në votim tashmë janë të vendosur se ciin variant do ta votojnë.

Prandaj, shanset janë të mëdha për një Jo në kutinë e votimit. Me përjashtim të SVP, që është dhe bartëse e iniciativës, grupet e votuesve nga të gjitha partitë tjera priren të thonë jo. Edhe në parlament, lidhur me këtë pikë, ndarja është e qartë: svp në njërën anë dhe të gjitha partitë tjera, në anën tjetër.

Një shumicë e të pyeturve janë të bindur se nisma kundër lëvizjes së lirë të njerëzve do të shkatërronte rrugën bilaterale (rregullimin e raporteve Zvicër-BE), përcjell albinfo.ch.

Po për avionët e rinj luftarakë

Një shumicë prej 56 për qind janë në favor të rinovimit të flotës së forcave ajrore, 40 për qind janë kundër. Sondazhi i SRG tregon këtu një “röstigraben” (simboli i ndarjes në mes të Zvicrës gjermane dhe asaj frankofone), përcjell albinfo.ch. Kështu, në Zvicrën frankofone, kundërshtarët janë në shumicë. 50 për qind refuzojnë avionët e rinj luftarakë, 45 përqind janë pro. Në Zvicrën gjermanishtfolëse, aprovimi është i qartë, 59 për qind.

Ligji i gjuetisë është në “luhajë”

Kundërshtarët e ligjit të ri të gjuetisë kanë avancuar shumë që nga sondazhi në gusht. Ndërsa atëherë 36 për qind kishin thënë jo, tani këtë e thonë 48 për qind. Përkrahësit kanë humbur shumicën dhe vetëm 46 për qind e mbështesin propozimin, transmetion albinfo.ch. Se si do të vazhdojë trendi deri në votim të Dielën është e vështirë të thuhet. Prandaj, gara për ligjin e rishikuar të gjuetisë mbetet e hapur.

Dy javë pushim atësie janë të pakontestueshme

Futja e pushimit të atësisë mbetet zgjidhje e popullarizuar. 61 për qind janë pro. Në sondazhin e realizuar në gusht, miratimi ishte pak më i lartë, me 63 për qind. Kjo nuk pritet se mund të ndryshojë deri në votimin në 27 shtator. Propozimi është refuzuar vetëm nga elektorati i SVP.

Kthim trendi në zbritjet e taksave për fëmijët

52 për qind e të anketuarve aktualisht janë duke refuzuar zbritjen e taksave të fëmijëve. Vetëm 43 për qind thonë po. Që nga fillimi i fazës së nxehtë të betejës për referendumin, mendimet kanë ndryshuar. Në mes të gushtit, 51 për qind pajtoheshin, përcjell albinfo.ch. Me këtë propozim, faktori vendimtar do të jetë kush mund të jetë më bindës në betejën e mbetur të votimit, kundërshtarët apo mbështetësit.