Lajme

Produktet e kompanive kosovare promovohen në Paris

10 kompani nga Kosova prezantojnë pijet e tyre në Paris

Në Paris të Francës më 15 tetor është hapur panairi më i madh ndërkombëtar i industrisë ushqimore dhe të pijeve “SIAL 2022”, ku me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), po marrin pjesë dhjetë kompani nga Kosova, shkruan albinfo.ch.

EuroFruti, Agro Florentina, Camel, Abi & Elif, Egi Group, Frutex LLC, New Co Minex LLC, Frutti, Pestova dhe Joni, po promovojnë në këtë panair produktet e tyre nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, pije energjike, lëngje frutash etj.

 

Mund të jetë një imazh i 12 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

 

Pjesëmarrja në “SIAL 2022” po shfrytëzohet nga kompanitë kosovare dhe nga përfaqësuesit e MINT/KIESA-s që të zhvillojnë kontakte me kompanitë pjesëmarrëse dhe me blerës potencialë, me synim të krijimit të kontakteve dhe rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen.

 

Mund të jetë një imazh i 12 persona dhe ambiente të brendshme

 

Në këtë panair MINT/KIESA ka siguruar një hapësirë ekspozuese në 84 m2, e cila ndodhet në korridorin kryesor, respektivisht në sallën 3, shtandi nr. A 116.

Në panairin “SIAL 2022” parashihet të marrin pjesë 7,800 ekspozues nga më shumë se 119 vende të ndryshme të botës.

Panairi është i hapur deri më 19 tetor 2022.

 

Mund të jetë një imazh i 11 persona

 

 

Ndërkohë, në Paris, më 18 tetor 2022 do të mbahet edhe Sesion informues: “Mjedisi i biznesit dhe klima e investimeve në Kosovë”, i cili është organizuar nga MINT/KIESA.

Në këtë sesion informues bizneset nga diaspora do të njoftohen mbi mjedisin e biznesit dhe klimën e investimeve në Kosovë nga përfaqësues të KIESA-s, Administratës Tatimore, si dhe Doganës së Kosovës.

Në kuadër të sesionit janë paraparë takime B2B, ku kompanitë kosovare pjesëmarrëse në panairin “SIAL 2022” të sektorit të ushqimit dhe pijeve do të kenë rastin të takohen me kompanitë e diasporës për të shikuar mundësitë për krijimin e bashkëpunimeve në të ardhmen.

Mbështetur në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të nga Franca gjatë vitit 2021, konkretisht nga muaji janar deri korrik kanë qenë 4.7 milionë euro, kurse nga janari deri korrik të vitit 2022 vlera e investimeve është 5.7 milionë euro- pra, ka një ngritje për 21.3%. Ndërkaq, eksporti i mallrave të Kosovës në Francë gjatë vitit 2021, konkretisht nga muaji janar deri gusht ishte 6.6 milionë euro, kurse nga janari e deri në gusht të vitit 2022 është 9.3 milionë euro- që po ashtu ka një ngritje për 40.9%.