Zhvillim

Program i larmishëm në kuadrin e Forumit “Kosovë Zvicër”

Ndër të tjera është prezantuar edhe boksieri shqiptarozviceran dhe kampioni evropian Arnold Gjergjaj, si shembull integrimi dhe afrimi në mes të Kosovës dhe Zvicrës

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

Prezantimi i aktiviteteve të ndryshme që lidhen me turizmin, alpinizmin, sportin etj. kanë qenë në rend të ditës në vazhdim të punimeve të forumit, të organizuar nga GjakovaBasel. Elisabeta Eggenberger nga Geaea Tours ka prezantuar një projekt të turizmit “të llojit të veçantë” siç e ka quajtur ajo.

Gaea Tours organizon udhëtime me grupe të interesuarish nga Zvicra nëpër Kosovë. Ajo, në bashkëpunim me Xhevdet Kallabën, i cili po ashtu ka zhvilluar një iniciativë private të këtij lloji turizmit, organizon grupe zviceranësh të profesioneve sociale dhe arsimore të cilëve ua zbulon Kosovën nga një kënd i ri. Ata bëjnë një turne nëpër pika të njohura turistike të Kosovës por në plan të parë është njohja e vendit, shoqërisë së saj, specifikave kulturore etj. Znj. Eggenberger ka theksuar se në guidat e organizatës së saj janë edhe vizitat në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, vizitat në shkolla, ente të ndryshme, burgje etj.

Një atraksion i llojit të veçantë në këtë aktivitet ka qenë prania e boksierit të njohur Arnold Gjergjaj, kampion evropian i boksit dhe banor në këtë regjion. Ai, së bashku me trajnerin dhe mikun e tij Angelo Molina kanë bërë një prezantim të hollësishëm të punës së tij, jo vetëm sportive.

Në fokus të rrëfimit të tyre, ku bënte pjesë edhe një filmim i shkurtë, ishte shembulli i Gjergjajt i cili i ardhur në moshën 15 vjeçare nga Kosova dhe ia kishte dalë te orientohej mirë, madje jo vetëm të integrohej në Zvicër por edhe të arrinte në majat e sportit evropian. Gjergjaj, i cili konsiderohet sot si boksieri më i suksesshëm i Zvicrës, ka treguar me vullnetin e tij dhe vendosmërinë se shumëçka mund të arrihet edhe si i huaj. Ai sot dërgohet nëpër shkolla dhe institucione të tjera për të bartur përvojën e tij të suksesit te fëmijët dhe të rinjtë me prejardhje të huaj.

Bonevet është emri i një firme IT me seli në Gjakovë e themeluar nga biznesmeni dhe intelektuali i njohur Vllaznim Xhiha, i cili pas shumë vitesh të kaluara në Zvicër është kthyer në Kosovë, për të përcjellë përvojat e tij te brezi i ri. Një nga këto përvoja është edhe firma Bonevet (bëje vetë) të cilën para publikut në Bazel e ka prezantuar i riu Lekë Zherka.

“Atë që mund ta imagjinosh mund edhe ta realizosh”, është motoja të cilën Xhiha ua ka ngulitur në kokë të rinjve të Bonevet, ka thënë ai. Zherka e ka arsyetuar vendimin për hapjen e firmës pikërisht në Gjakovë dhe jo siç jemi mësuar, në Prishtinë, me qëllimin e decentralizimit të dijes dhe të shërbimeve, kundër monopolizimit të një qendre.

Maliq Tullumi, i cili është njëherësh edhe bashkëkryetar i shoqatës “GjakovaBasel” ka sjellë një përvojë interesante të shoqatës së bjeshkatarëve “Pashtriku”. Ai ka prezantuar përmes fotografie dhe fjalëve një ekspeditë të kësaj shoqate deri në majën e Pashtrikut. Anëtarë të bjeshkatarëve të Gjakovës janë njerëz nga 18 deri në moshën 81 vjeçare, ka thënë Tullumi. Fakti se anëtarët të një moshe të shtyrë janë mjaft aktivë në shoqatë është dëshmi se ky aktivitet e stimulon dhe mbron shëndetin. Por jo vetëm shëndeti është motivi që i shtyn këta njerëz entuziastë të marrin rrugën drejt pushtimi të majave të maleve. Ata në këtë mënyrë duan edhe të njohin atdheun dhe të zhvillojnë lidhje e njohje të reja.

Njëri ndër strumbullarët e gjithë organizimit, qendra ABSM e Bazelit, e drejtuar nga Skender Nikoliqi është prezantuar përmes dy praktikanteve të saj Greta Hoxha dhe Shadije Ibrahimi.

Ato kanë shkuar në histori deri në vitin 1997 kur qendra, atëherë me emrin ABS, kishte filluar aktivitetin e saj. Kryesisht ndihma refugjatëve shqiptarë në kontaktet e tyre me autoritetet e vendit, përkthimi etj kanë qenë aktivitetet e asaj kohe të qendrës së përmendur. Ndërkohë ajo ka zgjeruar veprimtarinë e saj duke u shndërruar në qendër të mirëfilltë për integrim dhe aftësim, e cila nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët. Kurset e gjuhëve, ato të kompjuterëve, kurse të zhvilluara për kategori me nevoja specifike, si për nëna migrante, me fëmijë etj, janë pjesë e ofertës së kësaj qendre sot.

Vetë Skender Nikoliqi, i cili ka qenë edhe themeluesi i ABSM-së dhe vazhdon ta drejtojë atë, është ndër promotorët kryesore edhe të shoqatës GjakovaBasel dhe të aktiviteteve të saj, që kulmojnë me këtë më të riun. Krahas programit të ngjeshur të prezantimeve publiku është kënaqur me pikat muzikore të nje trioje të rinjsh të Shkollës së Mesme të Muzikës të Gjakovës. Ata kanë prezantuar një program simpatik muzikor me këngë të lehta nga tradita shqiptare. Ushqime nga kuzhina shqiptare të përgatitura nga një grup grash shqiptare të Bazelit janë shërbyer kundrejt një pagese që shkon për të ndihmuar një familje skamnore në Kosovë.

E pranishme në këtë aktivitet ka qenë drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.

Aktivitetit pasdite i është bashkuar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj ndërsa nga Kosova kanë ardhur enkas këshilltari i ministrit të diasporës, Kushtrim Sheemeti dhe shefi i kabinetit të ministrit, Dren Shahini.