Lajme

Pse infeksionet Covid po rriten në Zvicër, pavarësisht vaksinimit?

Numri i infeksioneve me koronavirus në Zvicër është rritur në mënyrë eksponenciale javët e fundit, duke mos treguar asnjë shenjë ngadalësimi. A do të thotë kjo se vaksinat janë joefektive kundër virusit?

Me numrin e infeksioneve të reja ditore që ka kaluar 8,000 në ditët e kaluara – dhe madje duke arritur në 10,000 në fillim të dhjetorit – situata aktuale epidemiologjike në Zvicër po pasqyron tendencat nga viti 2020, përpara se vaksinat të kenë hyrë në skenë, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët shëndetësorë po e cilësojnë situatën epidemiologjike të Zvicrës si “kritike”, veçanërisht pasi ICU në disa spitale zvicerane po arrijnë kapacitetet e tyre të plota dhe madje flitet për nevojën e afërt për triazhim.

A do të thotë kjo se vaksinat e tipit mRNA të përdorura në Zvicër – Moderna dhe Pfizer – nuk janë efektive kundër koronavirusit dhe varianteve të tij, duke përfshirë Delta?

Zyrtarët thonë se kjo është për shkak se mbulimi i vaksinimit është i pamjaftueshëm.

Të dhënat më të fundit nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) tregojnë se 66.11 për qind e të gjithë të rriturve në Zvicër janë vaksinuar plotësisht deri më 7 dhjetor.

Kur numërohen personat nga mosha 12 vjeç, totali shkon deri në 75.23 për qind.

Kjo do të thotë se rreth 25 për qind e popullsisë së Zvicrës 12 vjeç e lart mbetet e pavaksinuar – një total prej mbi 2 milionë njerëz.

Ekspertët e shëndetësisë kanë thënë vazhdimisht se virusi përhapet kryesisht tek ata që nuk janë vaksinuar kundër Covid dhe numrat e konfirmojnë këtë prirje, shkruan The local.

Në fund të nëntorit, Task Forca e Zvicrës për Covid-19 ka publikuar një sërë gjetjesh statistikore në lidhje me transmetimin e virusit, duke përfshirë faktin se ata që nuk janë vaksinuar kanë tri herë më shumë gjasa të infektojnë të tjerët.

Nga ana tjetër, personat që janë vaksinuar janë tri herë më pak ngjitës se ata që nuk e kanë bërë infektimin.

Këto gjetje hedhin poshtë një nga mitet më të përhapura rreth virusit që ka qarkulluar që nga fillimi i fushatës së vaksinimit – se të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit kanë po aq gjasa të transmetojnë virusin dhe të infektojnë të tjerët.

 

Pretendimi i rremë është përdorur shpesh nga skeptikët ndaj Covid si një arsye pse vaksinat janë joefektive.

 

Po rastet e infeksionit të gjetura tek personat e vaksinuar plotësisht në Zvicër?

Një mënyrë e mirë për të marrë një pamje të qartë nëse vaksinat mbrojnë kundër virusit është të shikoni shtrimet në spital dhe vdekjet e lidhura me Covid.

Statistikat e FOPH tregojnë se 264 pacientë Covid janë pranuar në ICU deri më 6 dhjetor — nga 154 në 22 nëntor dhe 217 në 28 nëntor.

Shumica e pacientëve të trajtuar në ICU në Zvicër janë të pavaksinuar, siç tregon kjo grafik BAG.

Gjithashtu, nëse krahasojmë numrin e pacientëve me koronavirus aktualisht në ICU zvicerane me situatën në dhjetor 2020, shohim se në këtë kohë të vitit të kaluar, 453 pacientë Covid janë trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv – gati dyfish.

“Nëse spitalet nuk janë mbushur ende, kjo është falë vaksinimit”, tha Urs Karrer, nënkryetar i grupit të punës.

 

Megjithatë, vaksinat nuk janë të pagabueshme

Autoritetet shëndetësore kanë deklaruar që në fillim se vaksinat si Moderna dhe Pfizer ofrojnë një mbrojtje 94 për qind kundër Covid në përgjithësi, dhe pak më pak kundër llojit Delta. Ky është ende një nivel i lartë imuniteti, por nënkupton që një numër i caktuar njerëzish ende mund të infektohen.

Nëse një person i vaksinuar infektohet, me shumë mundësi nuk do të përfundojë në një ICU, sipas Julien Riou, epidemiolog në Universitetin e Bernës.

“Vaksinat janë gjithashtu shumë efektive në parandalimin e 90 deri në 95 për qind të rasteve të rënda dhe vdekjeve. Pra, njerëzit që janë më të rrezikuar tani janë të cenuarit dhe të pavaksinuarit”, tha ai.