Shqipëria

Pse ka vonesa dhe anulime të fluturimeve në Rinas?

Sipas tabelave të publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, për periudhën janar-gusht 2018 janë rreth 124 fluturime në total, që janë nisur të paktën me dy orë vonesë, ndërsa janë anuluar gjithsej 37 fluturime

Shtyrjet e fluturimeve, apo dhe më keq anulimet kanë qenë të zakonshme në 2018-n në Aeroportin e Rinasit, sidomos në operatorët low cost drejt Italisë. Kjo, ndonëse biletat këtë vit arritën në nivel rekord deri në 300 euro për një drejtim në gjysmën e dytë të gushtit për fluturimet nga Rinasi drejt Italisë dhe deri në 700 euro drejt Gjermanisë e Francës.

Sipas tabelave të publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, për periudhën janar-gusht 2018 janë rreth 124 fluturime në total, që janë nisur të paktën me dy orë vonesë, ndërsa janë anuluar gjithsej 37 fluturime, shkruan ‘Monitor’. Rekordin për vonesa dhe fluturime e mbajnë operatorët low cost drejt Italisë, Blue Panorama, Fly Ernest dhe Alba Wings, përcjell albinfo.ch.

Më të larta ato ishin në muajt korrik dhe gusht, kur ka dhe një fluks të lartë pasagjerësh që udhëtojnë nga dhe drejt Italisë, ku jetojnë e punojnë shumë emigrantë që kthehen në shtëpi për pushimet e verës. Edhe në ditët e para të shtatorit nuk kanë munguar shtyrjet e avionëve me orë të tëra, edhe mbi 12 orë, duke krijuar radhë të gjata dhe tension në sallat e pritjes së aeroporteve.

Por, pse operatorët vonojnë nisjen? Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), në raportin e muajit gusht thotë se sipas shpjegimeve të operatorëve, arsyeja kryesore lidhet me të ashtuquajturën AIRCRAFT ON GROUND (AOG).  “Vonesat apo anulimet e fluturimeve janë një fenomen që kanë shënuar një rritje të konsiderueshme këtë vit. Arsyet e vonesave në fluturim apo anulimeve janë nga më të ndryshmet, të cilat kanë lidhje me aspekte që lidhen me kapacitetet e kompanive dhe aeroporteve, operacionale dhe teknike. Sipas rregullave ndërkombëtare përveç anulimeve, vonesat të cilat konsiderohen problematike për pasagjerët janë ato që zgjasin më shumë se 3 orë nga orari i planifikuar i nisjes së avionit. Ndonëse siç thamë dhe më sipër, arsyet mund të jenë të ndryshme për vonesa të gjata dhe për anulimet e fluturimeve, në disa raste ato kanë të bëjnë me aspektet teknike. Një aspekt teknik i cili është dhe shkak i vonesave të zgjatura ose anulimeve është ai që në aviacion quhet AOG (Aircraft On Ground) avion në tokë”, thotë raporti I AAC.

E thënë thjesht një avion konsiderohet AOG atëherë kur ka probleme teknike të rëndësishme apo dëmtime fizike të avionit të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e fluturimit.

Në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit kohët e fundit janë vënë re vonesa në fluturime që sipas kompanive ajrore që kanë edhe avionët në përdorim ose në pronësi vijnë pikërisht për shkak të AOG.

Më së shumti vonesat kanë qenë si rrjedhojë e fluksit të lartë të fluturimeve përgjatë sezonit veror aty ku dhe skeduli i fluturimeve është dhe më i ngjeshur dhe si rrjedhojë dhe  trafiku ajror është më i ngarkuar.

Kjo lidhet edhe me mungesën e kapaciteteve nga kompanitë ajrore. Gjithashtu përgjatë sezonit veror ka patur dhe vonesa me orare të gjata dhe anulime. Këto kanë qenë pjesërisht si pasojë e AOG-ve të avionëve të kompanive të ndryshme. Një rast konkret për ta bërë edhe më të kuptueshme për publikun e gjerë, ishte ai i një avioni që u klasifikua “AOG” për arsye të futjes së zogjve në motor gjatë fazave të fluturimit, një problem që ndodh shpesh me avionët e linjave të ndryshme ajrore. Ngjarje e cila solli problematika në fluturimet e kësaj kompanie ajrore pasi për riparimin dhe ndërrimin e pjesëve të dëmtuara u deshën 3 ditë. Një avion tjetër u klasifikua AOG pasi u evidentua një problem me gomat e avionit. Pra arsyet janë të ndryshme dhe lidhen kryesisht, me pjesët teknike të një avioni, që fillojnë që nga gomat, dhe elemente të tjerë që lidhen me sigurinë në aviacion.