Uncategorized
Pushimet verore më të lira në Turqi dhe Shqipëri për gjermanët
Pushimet vjetore në jug të Evropës janë përgjithësisht më të lira për gjermanët sesa pushimet në atdheun e tyre.
Ndonjëherë dukshëm më të lira. Këtë e tregojnë të dhënat e reja të Entit Federal të Statistikave (Destatis), i cili krahasoi kostot e shërbimeve në gastronomi dhe akomodimit në hotele në vende të ndryshme evropiane, shkruan DW.
Rritja e kostove të energjisë dhe ushqimit ndikon në uljen e buxhetit të disponueshëm të shumë njerëzve në Gjermani për udhëtime turistike, theksojnë nga zyra e statistikave në Gjermani.
“Megjithatë, veçanërisht në vendet e Evropës Jugore apo vendet turistike të Evropës Juglindore, niveli i çmimeve të shërbimeve në gastronomi dhe hotelieri është dukshëm më i ulët se në Gjermani”, shton Destatis, përcjell albinfo.ch.
Shqipëria dhe Turqia: 56% më lirë se Gjermania
Niveli i çmimeve në Shqipëri dhe Turqi ishte më i ulëti ndër vendet e krahasuara nga Byroja Federale e Statistikave. Në të dyja këto vende, çmimet e shërbimeve turistike ishin 56% më të ulëta se në Gjermani. Në Portugali dhe Maltë, kostot e të ngrënit në restorante dhe qëndrimi në hotele ishin 28% më të ulëta për turistët gjermanë sesa në vendlindje, shkruan DW.
Në Spanjë, Poloni dhe Republikën Çeke, të njëjtat shërbime janë paguar mesatarisht 18% më pak në mars të këtij viti (muaji në të cilin Destatis ka analizuar çmimet) sesa në Gjermani.
Në Kroaci dhe Qipro – 17% më pak. Në Greqi, kursimet arritën në 21%. Çmimet ishin edhe më të favorshme në Mal të Zi dhe Rumani – ku akomodimi në hotel dhe shkuarja në një restorant mund të ishte 46% më lirë se në Gjermani.
Sipas Destatis, Kroacia është një vend më i shtrenjtë për turistët sesa konkurrentët e saj evropiano-jugor, Turqia, Greqia, Portugalia dhe Spanja.
Për sa u përket vendeve në jug të Evropës, nga të gjitha vendet në të cilat Destatis analizoi çmimet, Italia ishte më e shtrenjta. Por edhe në gadishullin Apenin, sipas statisticienëve gjermanë, niveli i çmimeve në hotele apo restorante në periudhën e hulumtuar ishte pesë për qind më i ulët se në Gjermani, përcjell albinfo.ch.
Zvicra: 61% më e shtrenjtë se Gjermania
Për qytetarët e Republikës Federale, një pushim në veri të Evropës ose në disa vende fqinje është më i shtrenjtë se një pushim veror në Gjermani. Nga të gjitha vendet e anketuara, Zvicra ishte më e shtrenjta në mars. Atje, për të njëjtin shërbim (restorant ose natë në hotel) duhej paguar 61% më shumë se në Gjermani. Destinacionet e njohura turistike si Danimarka apo Norvegjia janë gjithashtu më të shtrenjta – me më shumë se 40%, shkruan DW.
Finlanda është pak më e lirë, por gjithsesi dukshëm më e shtrenjtë se Gjermania: netët e hoteleve dhe shërbimet gastronomike ishin 25% më të shtrenjta atje sesa në Republikën Federale të Gjermanisë në mars të këtij viti.
Në Irlandë, turistët duhej të paguanin 21% më shumë, pushimet në Suedi ishin 17% më të shtrenjta se në Gjermani, ndërsa në Austri 15%.
Në Francën fqinje, një nga destinacionet turistike më të njohura të Gjermanisë, në mars duhej të paguhej tetë për qind më shumë për akomodimin në hotel dhe në restorante sesa në Gjermani, njoftoi Destatis, përcjell albinfo.ch.
Gjermanët nuk kursejnë gjatë pushimeve
Edhe pse kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm në Gjermani gjatë muajve të fundit dhe norma e inflacionit ka arritur një nivel rekord, dhe pavarësisht pasigurive që lidhen me ecurinë e mëtejshme të luftës në Ukrainë, shumica e turistëve gjermanë në këtë sezon veror duan që më në fund (prapë) të shijojnë pushimet e tyre pa shumë shqetësime.
Sipas të dhënave të publikuara muajt e fundit, industria e turizmit pret vazhdimin e trendit pozitiv nga viti i kaluar, në të cilin vëllimi i udhëtimeve turistike arriti nivelin e një viti përpara pandemisë së virusit korona.
Nga nëntori 2021 deri në fund të tetorit 2022, shpenzimet për udhëtime janë dyfishuar (nga 28.8 në 58.6 miliardë euro), konfirmoi Shoqata e Operatorëve Turistikë Gjerman (DRV).
Rritje veçanërisht e fortë në atë periudhë u vu re në sektorin e ashtuquajtur “aranzhimet paushale”.
Në shkurt të këtij viti u publikua “Analiza e Turizmit Gjerman”, do të thotë rezultatet e një sondazhi me 3000 persona mbi 18 vjeç – gjashtë nga dhjetë të anketuar thanë se po planifikonin një udhëtim turistik këtë sezon. “5 destinacionet kryesore turistike në valën kryesore gjatë verës do të jenë Turqia, Spanja, Greqia, Egjipti dhe Portugalia”, parashikojnë përfaqësuesit e DRV, shkruan DW.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













