Tematike

Qe 15 vjet ajo jeton pa para

E përditshmja “La tribune de Genve” i ka kushtuar një artikull të tërë një Zonje të jashtëzakonshme, e cila është angazhuar për një cilësi të jetës së saj shumë të veçantë.

Fillimisht, Heidemari Schwerner dëshironte të provojë gjatë disa muajve se si është jeta pa para. Prej asaj kohe kanë kaluar 15 vjet dhe Zonja 69-vjeçare jeton pa asnjë cent.   

Me një grim shumë diskret, një triko pambuku rozë dhe një gjerdan perlash sintetike, vështirë të imagjinohet se Zonja gjermane nuk ka harxhuar një cent prej shumë vjetësh.

“Heqja dorë nga paratë më solli një cilësi të jetës, një pasuri të brendshme dhe një liri të vlefshme”, tregon ajo.

Asgjë nuk dukej të bënte që Heidemari të angazhohej për një mënyrë të jetës radikale larg shoqërisë së konsumit, përveç ndoshta vitet e saja të fëmijërisë. E lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore në lindjen e Prusisë, një ish-territor gjerman, ajo u deportua me të tjerët nga trupat ruse.

Familja e saj mbërriti në Gjermani e varfëruar. “Aty kam parë se si mund të konsiderohemi  më pak se asgjë kur nuk kemi pasuri ose të holla”, thekson ajo.  Në fund të viteve 1960, ajo kalon një vit në Kili. “Aty pashë varfëri të skajshme”, kujton ish-mësuesja.

Rrjet këmbimi

Kur kthehet në Gjermani ajo bën dy fëmijë, ndahet nga burri dhe instalohet në Dortmund në vitin 1982, ku hap një kabinet për psikoterapi. “Doja të kuptoj se çfarë po ndodh në mendjen e njerëzve. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për mua, kërkoja të bëj diçka më shumë për botën”.

Në vitin 1994 i lind ideja e një rrjeti për shkëmbime për të ndihmuar ata që nuk kanë asgjë, një ide e cila në atë kohë ishte shumë origjinale.

Që nga fillimi pensionistët dhe studentët i përgjigjen thirrjes saj. Heidemari fillon duke ruajtur shtëpitë përkohësisht kundër disa shërbimeve apo mallrave. Shumë shpejt ajo kupton se pothuajse të gjitha nevojat e saj ajo arrin t’i mbulojë pa paguar një monedhë.

Ajo jep gjithçka që ka               

Në vitin 1996 Zonja gjermane ndërmerr një hap vendimtar: ajo braktis punën dhe banesën si dhe rrjetin e saj të këmbimit, duke mos harruar të gjitha pasuritë e saj të dhuruara, ndërpren llogarinë e saj bankare dhe anulon sigurimin e saj shëndetësor. Heidemari vendos t’i japë  vetes një vit për të përjetuar një jetë pa para.

Në rrethin e saj ajo haset me një moskuptim të plotë: “Vajza ime është bërë shumë merak dhe miqtë e mi veçse nuk qanin. Kurse tani, të gjithë më mbështesin”.

Për një kohë të gjatë Heidemari banon në vende të ndryshme dhe pastaj kthehet në Dortmund për të shkruar një libër, i cili u përkthye në disa gjuhë.

“Kam fituar shumë të holla me këtë libër”, pëshpërit ajo, “të gjitha këto para ua kam shpërndarë kalimtarëve (pesë Deutsche Mark për secilin)”. Zonja e jashtëzakonshme shihet  nëpër televizione, merr pjesë në seminare të ndryshme dhe është bërë subjekt i një dokumentari.  

Aktualisht, Heidemari është duke shkruar librin e saj të tretë në një shtëpi në Wilhelmshaven, ku ajo është vendosur pa pagesë kundër disa shërbimeve, siç janë heqja e mbeturinave dhe kositja e lëndinave. Paratë që ajo merr për pension ua jap njerëzve të rrethit të saj që kanë nevojë (700 euro në muaj) dhe refuzon të mendojë për moshën e vjetër ose për vizita mjekësore.

“Sigurisht, unë shqetësohem kur nuk kam asgjë në frigorifer. Në fillim kisha frikë nga koha, por ajo që më pëlqen mua është ndenja kur nuk di se çfarë do të ndodhë ditët e ardhshme”.

Për Heidemari, qëllimi i saj është “të shtyjë njerëzit të mendojnë për jetesën e tyre dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët”.

Sot ajo nuk është më i kënaqur vetëm me idenë e shkëmbimit, ajo dëshiron që njerëzit të mendojnë për “ndarjen e gjërave”, pa pritur që tjetri të na i kthejë ato.

Pas dy muajve ajo do të niset sërish me valixhen e saj të vogël për një destinacion të panjohur.