Lajme

Qentë mbysin një 7 vjeçar

Fëmija ka qenë afër një deponie mbeturinash, kur është sulmuar nga qentë, të cilët e kishin kafshuar në kokë dhe nga gjakderdhja ka vdekur në spital

Një fëmijë 7 vjeçar ka vdekur të mërkurën pasdite nga kafshimi i qenve endacak, në qytetin e Fushë Kosovës. Fëmija ka qenë afër një deponie mbeturinash, kur është sulmuar nga qentë, të cilët e kishin kafshuar në kokë dhe nga gjakderdhja ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Bëhet fjalë për Jeton Jasharin, i cili i përkiste komunitetit RAE (Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian dhe Ashkali), komunitet ky që është më i lëni pasdore në Kosovë dhe rajon.

Mjekët në klinikën emergjente në QKUK thonë se viktima kishte arritur në emergjencë pa shenja jete.

Mjeku kujdestar i cili e pranoj viktimën në klinikë, Ejup Govuri, tregon për KP, se plagët kanë qenë shumë të rënda. Andaj, me gjithë përpjekjet nuk kanë arritur t’i kthejnë shenja jete.

“Me të vërtetë ishte një rast tragjik dhe jemi të prekur të gjithë stafi. Gjendja e tij ishte jashtëzakonisht e rënd, ishte viktimë e kafshimit të qenve. Fatkeqësisht kishte plagë të rënda kafshuese në një regjion shumë të ndjeshëm, në pjesën e majtë të qafës kishe afër 12 apo 13 plagë, po ashtu edhe në pjesën e pasme të kokës. Kështu që gjendja e tij fatkeqësisht jashtëzakonisht e rëndë, ka ardhur pa shenja jete”, tha mjeku.

Përfaqësuesit e partive politike të komunitetit RAE akuzojnë institucionet e Kosovës që i kanë lënë pas dore përfaqësuesit e këtij komuniteti.

Veton Berisha është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e komunitetit RAE.

“Vendi ku e gjeti vdekjen i ndjeri ishte “Deponi e Mbeturinave” ku prezenca e qenve endacak është jashtëzakonisht e madhe. Varfëria ekstreme e cila po mbizotëron në këtë komunitet po i detyron edhe fëmijët që ekzistencën të e sigurojnë përmes mbledhjes së hekurishteve dhe gjësendeve të tjera nga hedhja e mbeturinave. Dritoni i vogël do të duhej gjendej sot në bankat e shkollës dhe jo të mundohej të e siguroj ekzistencën përmes mbeturinave ku edhe e gjeti vdekjen”, thotë Berisha.

Berisha, në emër të partisë së tij, po shpreh indinjatën e thellë ndaj institucioneve të Kosovës, për të cilat thonë se kanë lënë anash dhe në varfëri ekstreme këtë komunitet, duke mos marrë asnjë veprim konkret e cila do të i siguronte këtij komuniteti ekzistencën për një jetë të dinjitetshme.