Maqedonia

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendos masa të reja kundër COVID-19

Propozimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, Qeveria e Maqedonisë së Veriut u ka dhënë dritë jeshile.

Organi ekzekutiv urdhëron kufizimin e kapaciteteve në transportin publik dhe atë në 50 për qind dhe kufizimin e punës së operatorëve ekonomikë apo gastronomisë deri në orën 23:00.

Masë rekomanduese ka adresuar për administratën shtetërore, komunat dhe organet gjyqësore që ta rregullojnë orarin e punës me turne dhe nga distanca.

Masat e fundit nuk do të jenë pjesë e dispozitave plotësuese në propozim-Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse. Çdo masë tani e tutje do të hyjë në fuqi me vendim të Qeverisë, duke u bazuar në dispozitën e përgjithshme të paparë në propozimin, i cili duhet të futet në procedurë parlamentare.

Dispozita e përgjithshme:

“Të gjitha vendimet e ardhshme të Qeverisë, përfshirë dhe masat e tjera, rregullohen me këtë ligj”.

Edhe masat e lartpërmendura hyjnë në fuqi pas shpalljes së tyre në Gazetën Zyrtare.

Në rast se masat e propozuara nuk kanë efekt në uljen e bilancit me persona të infektuar me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se hapi i ardhshëm do të jetë kufizimi i plotë i lëvizjes, përkatësisht ora policore.