Kosova

Kishte ardhur nga Italia për pushime, sot i jepet lamtumira e fundit

27-vjeçari kishte ardhur nga Italia për pushime në vendlindje, por humbi jetën tragjikisht pas një vetaksidenti

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Ermal Shalës nga fshati Mleqan i Malishevës, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me motoçikletë, përcjell albinfo.ch.

I riu, i cili jetonte dhe punonte në Itali, kishte ardhur në vendlindje për të kaluar pushimet me familjen dhe të afërmit. Por, një ditë më parë, ai u aksidentua rëndë me motoçikletën e tij dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Rrethanat e aksidentit ende po hetohen nga organet kompetente, ndërsa Policia e Kosovës po punon për zbardhjen e plotë të rastit.

Sipas raportit të Policisë, aksidenti ka ndodhur më 23 korrik 2026 rreth orës 15:40 në Malishevë.

“Është raportuar se drejtuesi i motoçikletës (mashkull kosovar), nga pakujdesia ka shkaktuar vetaksident dhe si pasojë e lëndimeve ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.

Vdekja e tij ka tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin në Mleqan, ndërsa sot ai do të përcillet për në banesën e fundit./Albinfo.ch