Kosova

Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për 10 viktimat e aksidentit tragjik të vitit 2021

Ceremonia u mbajt në Sllavonski Brod me pjesëmarrjen e familjarëve, institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, në nderim të jetëve të humbura në tragjedinë e 25 korrikut.

Në qytetin e Sllavonski Brodit në Kroaci është zbuluar pllaka përkujtimore kushtuar dhjetë qytetarëve të Kosovës që humbën jetën në aksidentin tragjik të autobusit më 25 korrik 2021,  përcjell albinfo.ch.

Ceremonia u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, në bashkëpunim me institucionet kroate dhe bashkatdhetarët që jetojnë në këtë shtet. Të pranishëm ishin familjarët e viktimave, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe qytetarë të shumtë.

Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës u udhëhoq nga sekretari i përgjithshëm, Genc Metaj, ndërsa morën pjesë edhe prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marušić, si dhe zëvendëskryetarja e Sllavonski Brodit, Martina Martić Puača.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, tha se vendosja e pllakës përkujtimore është një akt i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës së viktimave dhe mbështetjen ndaj familjeve të tyre.

“Pas këtyre shifrave nuk fshihen statistika, por fate njerëzore, ëndrra të ndërprera, fëmijëri të këputura dhe familje, jeta e të cilave ndryshoi përgjithmonë”, u shpreh Berishaj.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, falënderoi institucionet kroate dhe ekipet emergjente për ndihmën e dhënë pas aksidentit, duke theksuar se kjo tragjedi mbetet një plagë e përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, pllaka përkujtimore do të shërbejë jo vetëm si simbol nderimi për viktimat, por edhe si kujtesë për rëndësinë e sigurisë në trafik dhe përgjegjësisë për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Në përfundim të ceremonisë, prefekti Danijel Marušić u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, duke theksuar se pllaka do të mbetet një simbol i përhershëm kujtimi dhe solidariteti.

Aksidenti tragjik ndodhi më 25 korrik 2021, kur autobusi i kompanisë Deva Tours, që po udhëtonte nga Frankfurti drejt Kosovës, doli nga rruga pranë Sllavonski Brodit. Si pasojë humbën jetën 10 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar./Albinfo.ch