Lajme

Qytetet botërore ku përdoren më shumë biçikletat

Tour de France këtë vit nisi në Kopenhagen, më 1 korrik.
Kryeqyteti danez është i famshëm për infrastrukturën e tij fantastike të çiklizmit.
Këtu janë disa qytete të tjera miqësore me biçikletat në Europë.

Kopenhagen

Kryeqyteti i Danimarkës krenohet me një rrjet rrugësh për biçikleta prej 350 kilometrash të gjatë, semaforë që u japin përparësi çiklistëve dhe mbështetëse për këmbët në anë të rrugës kur ҫiklistëve u duhet të presin semaforin jeshil.
Nuk është çudi, pra, që 63 për qind e popullsisë shkon në punë me biҫikletë. Fjala “copenhagenize” është bërë tashmë një term në anglisht për të përshkruar procesin e bërjes së qyteteve më miqësore me biçikletat.

Amsterdami

Amsterdami në Holandë është një nga qytetet më miqësore me biçikletat në Europë. Çiklistët në Amsterdam përshkojnë rreth 2 milionë kilometra rrugë në ditë. Ky qytet është i përshtatshëm për çiklistët sepse është shumë i sheshtë. Utrecht, për shembull, është vendi ku ndodhet garazhi më i madh i parkimit të biçikletave, me plot 33,000 vende parkimi.

Parisi

Në Paris, autoritetet e qytetit kanë zgjeruar sistematikisht rrjetin e rrugëve të biҫikletave prej shumë vitesh. Të dielave, rrugë të tëra të qytetit mbyllen fare për trafikun. Si turist, ju gjithashtu mund të bëheni lehtësisht një çiklist në Paris, pasi kudo ka stacione për të marrë biçikleta me qera.
Kështu ndodh edhe në Strasburg. Të dyja qytetet konsiderohen si më miqësoret me biçikletat në Francë.

Malmo

Malmo në Suedi ka investuar shumë para për përmirësimin e infrastrukturës së biçikletave. Në këtë qytet ka pothuajse 500 kilometra rrugë për biçikleta me stacione për pompimin e gomave dhe me sisteme ROW (“right-of-way”). Ndoshta, ideja më kreative është një hotel për biçikleta me dyqanin e vet, i cili ofron biçikleta me qera — si dhe parkim për biçikleta pikërisht përballë dhomave të hotelit.

Trondheim

Trondheim në Norvegji është një qytet kodrinor. “Trampe”, ashensori i parë në botë për biçikleta, ofron zgjidhjen e këtij problemi. Ashensori 130 metra i gjatë transporton deri në 300 çiklistë ҫdo orë për në mal, në Kalanë Kristiansten.
Pjesë e këtij sistemi është edhe një platformë ku ju mund të vendosni këmbën tuaj të djathtë. Kjo platformë më pas e shtyn çiklistin së bashku me biçikletën lart për të ngjitur këtë kodër.

Münster

Në Münster të Vestfalisë, ka më shumë biçikleta se sa banorë. Prandaj nuk është për t’u habitur që Münster është qyteti, pas Leipzig-ut, me shkallën më të lartë të vjedhjes së biçikletave në Gjermani. Por kjo nuk i ndalon njerëzit që të ngasin biçikletat e tyre – në fund të fundit, Münster ofron rrugë të gjera për biçikleta, shumë vende parkimi dhe nuk ka zona kodrinore.

Barcelona

Qysh në vitin 2002, ju mund të merrnit me qera një biçikletë për të udhëtuar nëpër Barcelonë. Destinacionet kryesore në kryeqytetin katalanas lidhen nëpërmjet 250 kilometrave rrugë për biçikletat. Zonat që kufizojnë shpejtësinë në 30 km/orë ofrojnë më shumë siguri në trafikun e qytetit.
Për turistët, qyteti ofron rrugë biçikletash në zona të ndryshme, për në plazh ose për të parë pamjet e arkitektit Antoni Gaudi.

Bazel

Në Bazel, toka është e sheshtë dhe distancat janë të shkurtra. Rrugët janë veçanërisht të mbushura me njerëz gjatë eventit të slowUp. Gjatë këtij eventi, i cili zhvillohet në verë në qytete të ndryshme të Zvicrës, organizatorët bllokojnë rreth 30 kilometra rrugë në një mjedis të bukur për çiklistët dhe u ofrojnë atyre një gamë të gjerë aktivitetesh përgjatë rrugës.
Çfarë mund të ishte më argëtuese se kaq? / Deutsche Welle

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI