Lajme

Qyteti antik i Luksorit dhe Nili jetëdhënës

Tempujt Karnak pa dyshim meritojnë epitetin e një kryevepre arkitekturore botërore

Pas Kajros dhe piramidave, objektiv të radhës për të vizituar kishim qytetin antik të Luksorit. Ishte data 26.6.2022 kur herët në mëngjes në dhomën e hotelit po binte telefoni dhe recepsionisti na lajmëronte se autobusi po priste pranë hotelit për nisje…

Rrugës po kalonim nëpër shkretëtirë dhe pas më shumë se tri orësh autobusi u ndal në një pikë tregtare, e vetmja në atë mes shkretëtire, e cila ruhej nga një postbllok policie pikërisht për shkak të ndalimit të turistëve. Pimë kafenë e mëngjesit dhe pas 20 minutash u nisëm drejt qytetit Qena, nga ku vijuam tani nëpër një rrugë të zakonshme dhe shumë të ngarkuar me komunikacion për të arritur rreth orës 10 në Luksor. Pamja e qytetit antik në të dy anët e rrugës e kishte ruajtur madhështinë e tij, e ne u ndalëm para kompleksit Karnak Temples dhe pas marrjes së disa udhëzimeve nga ciceroni dhe pas dy kontrolleve policore, u futëm brenda kompleksit. Luxor ndodhet në bregun e djathtë të Nilit, në vendin e qytetit të Tebës, ish-kryeqyteti i Egjiptit të lashtë.

Koha si fenomen universal, si një përhershmëri e paskajshme, si një përjetshmëri, si një mbretëri e pafund më shumë se gjithkund e dëshmon qenësinë e saj këtu. Ky kompleks, me portat, oborret dhe sallat e tij, me kolonat, skulpturat dhe obeliskët, me shkëlqimin dhe luksin e tij misterioz, përfaqëson një nga monumentet më madhështore të Egjiptit të lashtë dhe dëshmon për lavdinë e mbretërve egjiptianë. Nuk ka një vendbanim tjetër që reflekton këtë lavdi dhe madhështi në përmasat e këtij vendi. Gjurmë lashtësie që kurrë nuk reshtin së dhëni, që kurrë nuk ndalen së thëni dhe kurrë nuk pushojnë së foluri… Një planimetri mahnitëse, unike dhe e papërsëritshme. Vetë jeta duket se e ka burimin këtu: tempuj të mbushur me mbishkrime, shkrime hieroglifesh, figura statujash të mbretërve të hershëm, obeliskë… Dhe, ciceroni tregon se nga bazamenti i tre obeliskëve fillestarë, vetëm njëri, pranë të cilit po qëndronim, ishte këtu, derisa njëri është “vjedhur korruptueshëm” dhe ndodhet në Stamboll dhe një tjetër, gjithashtu “i përvetësuar korruptueshëm” ndodhet në Paris. Ai “u mor” nga Napoleoni, në i është “dhuruar”, siç pretendojnë francezët, apo është “rrëmbyer” është çështje tjetër, por ai tani zbukuron Place de la Concorde në Paris. Por fytyra dhe toni i ciceronit, një vendas rreth të 50-ave, shprehte indinjatë sa për vendësit që korruptueshëm kishin mundësuar bartjen e atyre obeliskëve, po aq për të huajt përvetësues…

E përmasat vigane të statujave sikur kanë dashur të tregojnë forcë, qëndrueshmëri, pathyeshmëri… Sa vigane dukeshin, sa kolosale, po aq të freskëta dhe funksionale, sa të lashta, aq aktuale, sa të mahnitnin me gjendjen dhe domethënien e tyre në atë strukturë komplekse arkitekturore. Jorastësisht komplekset e Tempujve Karnak në Luxor janë atraksionet kryesore jo vetëm në “Qytetin e të gjallëve”, por përgjithësisht në Egjipt dhe në turizmin mbarëbotëror.

Pika tjetër në agjendën i ditës ishte vizita e pallatit që në literaturë njihen si tempujt mortorë të mbretëreshës Hatsepshut, faraone e parë femër, një strukturë e vjetër që kishte ruajtur aq mirë format dhe madhështinë e saj, me varrin e saj brenda, në të cilin nuk patëm qasje për vizitë. Pothuajse ishte e pamundur të mos e vizitoje këtë pallat mbretëror dhe të mos njiheshe me historinë e mbretëreshës Hatsepshut, prandaj është pikë referimi për çdo vizitor.

Lugina e varreve të mbretërve të Dinastisë së Ramsesve ishte gjithashtu në agjendën e vizitave, ku binte në sy madhështia e varreve me një infrastrukturë krejt të veçantë dhe, sidomos me vendndodhjen e tyre deri në 70 metra nën dhe. Thellësia e varreve të atyre mbretërve simbolizon ndërlidhshmërinë me majat e piramidave: lart dhe poshtë, përmasa që të sfidojnë t’i dekodosh! Pa dyshim, nuk kanë qenë rastësi këto pozicione, synimi i lartësive ka pasur qëllime hyjnore, derisa thellësitë e mëtuara të tokës kanë pasur tëban besueshmërie dhe kulti në ruajtje dhe rikthim, në inkarnim…

Rrugës vizituam edhe një fabrikë për përpunimin e gipsit, ku të gjitha figurat historike dhe objekte të tjera arkitektonike të Egjiptit të lashtë “përjetësoheshin” nëpërmjet formave nga gipsi, por edhe nga gdhendja e mermerit. Sa të vullnetshëm tregoheshin ata punëtorë në zejen e tyre, a në anën tjetër, sa shumë, pafytyrësisht shumë synonin të fitonin nga to në aktin e shitjes së tyre sa të iritonin me çmimet fillestare, e pastaj të “torturonin” me insistimin për t’i shitur me një çmim sado pak më real…

Në kthim drejt lumit Nil u ndalëm para dy objekteve gjithashtu kolosale, tempujt shkëmborë të Memnonit, një figurë sa reale, po aq mitologjike e historisë egjiptiane, të cilat edhe pse të ristrukturuara, ishin në procesin e shpërbërjes dhe shkatërrimit, por megjithatë reflektonin fuqinë e tyre.

Po aq sa Luksori shprehte madhështinë e lashtësisë njerëzore, po aq freski jetëdhënëse përhapte Nili, i cili e ndante në mes qytetin dhe vendet e lashtësisë historike, të cilat përmbajnë peshën qenësore të historisë njerëzore. Një udhëtim me anije nga njëra anë e tij në anën tjetër sikur na freskoi, sidomos pushimi në Ujdhesën e bananeve na erdhi mirë, duke u freskuar me shalqi, pjepra dhe pije të ndryshme.

Vizita në Luxor më çoi thellë në të kaluarën e largët, të cilën e kisha paramenduar ndryshe, e tash e kam një përfytyrim shumë më të kompletuar që do të lërë mbresa të gjalla dhe të paharrueshme në kujtesën time. Prandaj, them, nuk mund të paramendohet dhe kurrsesi nuk është e kompletuar vizita në Egjipt pa Luksorin…