Lajme

Qyteti zviceran detyron pronarët e qenve të pastrojnë edhe urinën e kafshëve

Chiasso bëhet komuna e parë në Zvicër që kërkon shpëlarjen e urinës së qenve me ujë; shkelësit rrezikojnë gjobë deri në 100 franga.

Komuna e Chiassos, në kantonin Ticino, është bërë e para në Zvicër që u kërkon pronarëve të qenve të pastrojnë jo vetëm jashtëqitjet, por edhe urinën e kafshëve të tyre në hapësirat publike, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullores së re, pronarët duhet të mbajnë me vete një shishe të vogël ose enë tjetër me ujë dhe, menjëherë pasi qeni urinon në rrugë apo trotuar, ta shpëlajnë zonën me një sasi të mjaftueshme uji.

Autoritetet lokale thonë se masa synon të përmirësojë pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Mosrespektimi i kësaj rregulloreje do të ndëshkohet me gjobë deri në 100 franga zvicerane.

Chiasso është aktualisht komuna e vetme në Zvicër që ka miratuar një rregullore të tillë për pronarët e qenve./Albinfo.ch