Jeta në Austri

Çdo i katërti banor në Austri, ka prejardhje të huaj

Thuajse çdo i katërti banor në Austri në vitin 2020 kishte prejardhje migrimi. Raporti i integrimit, i publikuar këto ditë për vitin 2020 , tregon këto dhe fakte të tjera interesante

Për të njëmbëdhjetën herë, Raporti i integrimit tregon se si është zhvilluar situata e personave me prejardhje migrimi në Austri.

Shumica e të huajve në Austri, janë gjermanë

Me 208.732 persona, gjermanët përbënin në raportin e fundit të integrimit, pjesën më të madhe të shtetasve të huaj në Austri. Pas tyre vijnë: rumunët (131.824), serbët (121.990), turqit (117.580) e të tjerë. Numri i sirianëve është rritur nga 1.591 sa ishin në vitin 2011, në 55.372 sipas të dhënave të fundit, shkruan heute.at.

Në raportin e publikuar nga mediat austriake, numri i banorëve me prejardhje shqiptare nuk është cekur, transmeton albinfo.at.

Kërkesat për azil, dukshëm më e ulët

Numri i kërkesave për azil që nga viti 2015 është ulur. Në atë vit kishte 88.340 kërkesa, ndërsa tashmë kërkesa të përgjithshme kishte 14.775, ndër to 13.416 për herën e parë. Kjo shifër është dukshëm më e vogël se nga vitet 2011 -2017, por ka pasur rritje për 1.942 aplikime në krahasim me vitin 2019. Prej rreth 60% e të gjitha kërkesave për azil, 37.9% vinin nga Siria dhe 21.1% nga Afganistani. Një detaj interesant në raport është që për dallim me vitin 2014 kur shtetasit e Kosovës ishin në vend të katërt për kërkesë të azilit, në vitet e fundit nuk figurojnë fare në listën e shteteve me numër të madh të kërkesave për azil, njofton albinfo.at

 Çdo i katërti nxënës në Austri nuk flet gjermanisht në shtëpi

Përqindja e nxënëseve, të cilët gjuhën gjermane nuk e kanë gjuhë amtare është 27%. Në vitin 2010 ishte 17.8 %. Në shkollat popullore, përqindja e nxënësve me prejardhje të huaj është 30.9 %.

Rritje e numrit të papunëve

Derisa 9.9 % e austriakëve nuk kishin një marrëdhënie pune, për të huaj kjo shifër ishte 15.3 %. Prej shtetasve me prejardhje migrimi, përqindjen më të lartë të papunëve e kishin turqit me 21.8 %, pastaj afganët, sirianët dhe irakianët që në total ishin 41.8 %.

Nataliteti në Austri

Gratë austriake mesatarisht kanë sjellë në jetë 1.35 fëmijë, gratë nga vendet e ish-Jugosllavisë, 1.97, ndërsa gratë turke mesatarisht 2.04 fëmijë. Gratë nga Afganistani, Siria dhe Iraku 2.88 fëmijë.

Bashkëjetesa me migrantë

46.2 % e austriakëve thonë se bashkëjetesa me migrantët kohëve të fundit është përkeqësuar, ndërkohë 21.7 % e shohin si të përmirësuar.

Çdo i dhjeti turk nuk pajtohet me jetesën austriake

“Nuk pajtohem” me mënyrën e jetës, vlerat dhe qëllimet në Austri kanë deklaruar 11.6 % e turqve. Në rastin e sirianëve, përqindja është 0.9%.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI