Lajme

Rohde: Po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë, ndonjëherë jo

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në diskutimin që u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme, ka deklaruar se Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

“Po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë, ndonjëherë jo”, ka thënë ai, shkruan KP.

Rohde u shpreh se partneriteti mes Kosovës e Gjermanisë është unik, por Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve të saj.

“Pra, partneriteti ynë është unik, i ngushtë dhe ne jemi një nga partnerët më besnikë, do të thosha, por jemi edhe një partner që ndonjëherë dëshiron të dëgjohet. Dhe, mendoj se kjo është edhe në këndvështrimin tim kur shoh marrëdhëniet mes Kosovës edhe Gjermanisë, përdore partnerin tënd më të afërt, ke besim tek ai, duhet të kesh vetëbesim, dhe kur shoh, nga pikëpamja gjermane, jo vetëm Kosova, por edhe vendet e tjera e përdorin shumë shpesh këtë rolin viktimë që mendoj se viktima nuk është kurrë një rol largpamës”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, Rohde ka thënë se Kosova është gjithashtu në një pozitë unike dhe Gjermania dhe Franca u përpoqën ta mbështesin këtë proces për të hyrë në strukturat euroatlantike konkretisht që do të thotë të bëhesh anëtar i Këshillit të Evropës në këtë moment dhe për t’u bërë anëtar, duhet të bësh disa gjëra.

“Publikisht dhe privatisht po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë, ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme. E kam fjalën si partnerë dypalësh, ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar, duhet të bësh detyrat e shtëpisë”, deklaroi Rohde.

Rohde shtoi se mënyra për të ndryshuar pozicionin e pesë vendeve mosnjohëse është të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Ju nuk mund t’i ndryshoni parametrat që janë pesë vende mosnjohëse për momentin, por ajo që mund të ndryshoni është mënyra se si ata ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe mënyra për të ndryshuar pozicionin e tyre është të ecim përpara në procesin e normalizimit, dhe kjo nuk ndodh vetëm duke thënë nëse është e keqe. Ne po punojmë përmes këtij propozimi evropian, i cili fillimisht ishte një iniciativë franko-gjermane, për ta rikthyer këtë proces në rrugën e duhur,… Shikoni, pas dy javësh kemi liberalizimin e vizave… Pra, ishte një proces shumë i vështirë, ne nuk kemi qenë gjithmonë, kemi pasur 27 rreth tryezës dhe nëse Kosova dhe gjashtë vende të tjera do të anëtarësoheshin, ne do të ishim 33, kështu tha Olivier, ne duhet të thjeshtojmë procedurat tona të brendshme të vendimit. Por, ne ia dolëm dhe të tjerët që janë vetëm në këtë çështje nuk ju ofrojnë liberalizimin e vizave. Pra, është e lehtë të kritikosh mosmarrëveshjet me BE-në”, shtoi Rohde.