Tematike

Rol përcaktues i LAPSH-së në afirmimin e shqiptarëve në Gjenevë

Ministri i arsimit në Gjenevë, Charl Beer: "20 vjet të LAPSH-së në Gjenevë, ngjarje që ia vlen të përshëndetet nga qeveria e Shtetit"

 Të premten në Gjenevë Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri” ditëlindjen e saj të 20-të e shënoi duke shprehur mirënjohjen e saj të thellë dhe duke falënderuar me këtë rast aktorët kantonalë e komunalë të cilët prej vitesh ndihmuan jetësimin e saj.

 

Charl Beer

„Është kjo një ngjarje që ia vlen të përshëndetet nga qeveria e Shtetit të Gjenevës” theksoi pos tjerash nënkryetari i Këshillit të Shtetit, Ministri i Arsimit publik, kulturës dhe sporteve, Charl Beer.

Që nga viti 1991 „në kohën kur në Kosovë mbylleshin shkollat shqipe, LAPSH-ja vë themelet e saj pikërisht në Gjenevë” përkujton Ueli Leuenberger, ekologjist e këshilltar nacional nga kantoni i Gjenevës në Bernë.

Për disa momente, fjalimi i tij na kthen tek vala migruese e viteve 1990 „kur Gjeneva në gjirin e saj priste familje shqiptare e plot fëmijë të vegjël, të vuajtur e fytyrëbehur të ikur nga luftërat në Ballkan e që sot këta fëmijë i gjejmë në shkollat universitare këtu në Zvicër, rast ky që tani na gëzon të gjithëve.

Agim Paçarizi

Nga historiku i LAPSH-së, Agim Paçarizi, ish kryetar e tani anëtar nderi i kësaj shoqate, nxjerrë në pah momentet më të rëndësishme të sfidave nëpër të cilat kjo shoqatë ka kaluar prej vitesh dhe thekson: „në fillim të krijimit të saj, mësimdhënia e gjuhës shqipe është bërë e mundur falë angazhimeve vullnetare të popullit shqiptar, përfshirjes së shkëlqyer të mësueseve përgjegjëse të cilat e kishin shumë të qartë misionin e tyre aq të rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët tanë në procesin e tyre edukativ e integrues në shoqërinë gjenevase”. Ai vlerësoi lartë edhe ndihmën e anëtarit të nderit, Claude Dupanloup, ish sekretar gjeneral i Fondacionit kanonal për animacion sociokulturor, i cili ka dy vite që mbështet fuqimisht mbarëvajtjen e kësaj shoqate.

Th. Apotheloz

Në këtë drejtim, Th. Apotheloz, kryetar i komunës së Vernier, komunë kjo nikoqire e kësaj mbrëmjeje, thekson se „LAPSH-ja nuk jep vetëm kurset e gjuhës së origjinës, ajo shoqëron të rinjtë të bëhen qytetarët tanë të devotshëm. Në vend që të fokusohemi se si të asimilojmë apo integrojmë të huajt, do të ishte më mirë që të bëjmë pyetjen se si mund të bëhemi qytetarë të barabartë, përkrah të tjerëve që lidhen nga ndjenja e përkatësisë së përbashkët. Të jesh qytetar do të thotë të mbash marrëdhënie me të kaluarën dhe të ardhmen në një shoqëri”.

André Castella

Edhe përfaqësuesi i Zyrës së integrimit të të huajve në Gjenevë, André Castella përkujton se „njohja e gjuhës së origjinës është element thelbësor i integrimit të mirëfilltë. “Termi „migrant” do të thotë „lëvizje nga një vend në një vend tjetër”, tha ai. Ju jeni këtu tani, (i drejtohet kosovarëve) jetoni në vendin tuaj. Të vazhdojmë edhe më tutje së bashku sepse vetëm kështu mund të marrim masa të nevojshme që mundësojnë të shkruarit dhe zhvillimin e politikës së integrimit të suksesshëm”.

Fjalimet e të gjithëve na lënë të kuptojmë se në kantonin e Gjenevës, popujt me origjinë të huaj, jemi më të privilegjuar se në disa kantone të tjera zvicerane. Jemi në një shoqëri shumëkulturore ku fliten më se 160 gjuhë të huaja dhe kjo, pos tjerash shton Apotheloz, është pasuri që „ndihmon të krijuarit e qytetarit tonë, të zhvilluarit e identitetit kolektiv dhe angazhimin e përbashkët në shoqëri”.

Andaj, me këtë rast Beer, përkujton se „kantoni ynë gëzon privilegjin të jetë shumëkulturor me mbi 38.5% të popullatës së tij me origjinë të huaj prej nga në shkollat publike të obliguara gjenevase 42% e nxënësve kanë gjuhë amtare një gjuhë tjetër e jo gjuhën frënge. Gjeneva nuk ndahet në atë Internacionale dhe popullore. Gjeneva me OKB-në dhe të gjithë qytetarët e saj është Kantoni dhe Republika e Gjenevës, në të cilin bashkëjetojmë duke kultivuar vlerat tona kulturore”.

Më tutje, duke iu referuar votimeve të fundit të nivelit kantonal, që janë zhvilluar më 11 mars 2012 për qëllim ngritjen e efektivit shkollor, gjegjësisht përfshirjen e të mërkurës paradite në procesin edukativ kantonal, Beer, falënderon qytetarët gjenevas për besimin e dhënë dhe siguron LAPSH-në se „ky ndërrim i orarit mësimor nuk do të lëndojë aspak mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe, përkundrazi, do të bëjmë edhe më shumë që fëmijët shqipfolës të mund të ndjekin në kushte sa më të mira kurset e gjuhës amtare”. Beer shton se përmes LAPSH-së politika gjenevase ka mësuar shumë për shqipfolësit në kanton. Roli e rëndësia e LAPSH-së kanë bërë që të bëhen edhe ndryshime ligjore me miratim nga Parlamenti kantonal.

Prania e kryetarëve të shumë komunave, asaj të Qytetit të Gjenevës, Carouge, Lancy, Meyrin, Onex, Vernier dhe Versoix dëshmon se roli i tyre është i përbashkët e thelbësor, se vetëm të angazhuar në njohjen e qytetit ku jetojmë mund të jemi qytetarë të tij. Andaj duke falënderuar ato, nikoqiri i mbrëmjes, Apotheloz u rikujton kolegëve të tij se „është në kompetencat komunale hapësira që duhet krijuar e cila iu mundëson banorëve të saj të dinë kush janë ato, cilat janë detyrat e tyre, përfaqësuesit e tyre. Vetëm me këtë njohje nga një angazhim qytetar ne mund të ecim përpara e të krijojmë raporte të shëndosha njerëzore mes nesh”.

Rëndësinë dhe rolin e njohjes së gjuhës së origjinës në shoqërinë gjenevase, e përforconte edhe prania e shumë drejtorëve të shkollave publike të Gjenevës, profesionistë nga fushat sociale, nga Sekretaria gjenerale e Departamentit të arsimit, kulturës e sporteve, Miriam Fridman Wenger, nga „Komisioni kantonal i gjuhëve e kulturës së origjinës” në kuadër të këtij departamenti, Marianne Coppey Lanzer.

„Siç e kërkon vendi” në mbrëmje nuk munguan as përfaqësues të jetës politike shqiptare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, nga Misioni i diplomatik në Gjenevë, nga ambasada e Maqedonisë e të falur për mospjesëmarrje ishin edhe ata të Republikës së Shqipërisë dhe ministri i diasporës Ibrahim Makolli.

Prania e përfaqësuesve të LAPSH-së e nivelit shtetëror, „Rrethi shqiptaro-mejrinas”, „Universiteti Popullor Shqiptar”, përfaqësues nga „Play With Fairplay” nderonte po ashtu këtë mbrëmje.

Grupi “Gëzuar”

Mbrëmjen e pasuroi edhe prania e grupit „Ilirët” nga Lozana dhe „Gëzuar” nga Gjeneva që kënaqën të pranishmit në sallë. Koreografi ynë i njohur, Xhemali Berisha, kishte bërë koreografinë e disa valleve popullore me motive shqiptare. Këngët e muzikës së lehtë me motive lirike të interpretuara nga Ilir Bytyqi zgjuan emocione tek të pranishmit në sallë. Nuk ishin aty vetëm „Shtegtarja” dhe „Se ç’më dogji malli”. Nën një theks të „këndshëm” me të pranishmit ishte edhe muzika franceze, pikërisht kënga „Mon amant de Sean-Jean” e këngëtares së famshme Edith Piaf.

Për fund, duhet të falënderojmë nënat e motrat tona të cilat për manifestime të tilla përgatisin ushqime nga kuzhina shqiptare, shumë të pëlqyera nga mysafirët.

Kryesia e tanishme e LAPSH-së falënderon të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e kësaj mbrëmje, gazetarët e pranishëm dhe thërret prindërit shqiptarë që të regjistrojnë fëmijët në kurset e mësimit të gjuhës shqipe të cilat përforcojnë identitetin e tyre dhe sukseset profesionale e shoqërore në vendin ku jetojmë.