Kosova

Rrëfimi për 24-vjeçarin, punonte në Gjermani, vdes në aksidentin tragjik në Mramor

Familjarët fajësojnë eskortën e ambasadores turke si shkaktar të aksidentit

Agron Shala, 24 vjeçar, nga fshati Ponesh i komunës së Gjilanit, kohë pas kohe shkonte në Gjermani si shumë të rinj tjerë kosovarë për të bërë punë sezonale, në mënyrë që ta mbante familjen e tij.

Por, këtë punë ai më nuk do të mund që ta bëjë. Kjo ngase Agroni bashkë me tre anëtarë të familjes së tij, ndërruan jetë tragjikisht mbrëmjen e së premtes në një aksident trafiku në të cilin u përfshi edhe eskorta e ambasadores turke.

Familjarët fajësojnë eskortën e ambasadores turke si shkaktar të aksidentit. Agron Shala 24 vjeç, Osman Shala dhe Arife Shala 88 vjeç, janë tre pjesëtarët e familjes Shala nga fshati Ponesh i komunës së Gjilanit që ndërruan jetë në aksidentin tragjik të ndodhur në Mramor të premten mbrëma. Në aksident ndërroi jetë edhe mbesa e familjes Shala, Elfete Rashiti 65 vjeçare, raporton ‘GazetaExpress’.

Në këtë aksident ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç, përcjell albinfo.ch.

Por nga familja e të ndjerëve, po deklarojnë se nuk e dinë se si ka ndodhur aksidenti dhe se kush ka qenë në shpejtësi e kush jo.

Daja i Agronit, thotë se në aksidentin që ndodhi të premten, ishin tre vetura të kësaj familje që kishin shkuar në një të pame tek familjarët e tyre.

“Aksidenti ka ndodhur duke u kthyer nga e pamja tek gjyshja e Agronit. Ishin tre vetura të kësaj familje ku është aksidentuar me eskortën e Turqisë”, u shpreh daja i të ndjerit.

“..ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Por kur ata kanë ardhur në Mramor, ambasadorja turke me Q7 kerrin, gjoja se ai djali ka hy në tejkalim dhe e ka goditë prapë Audia nga prapa”, shpjegon për aksidentin njëri nga familjarët e së ndjerit.

Aty deklarojnë se familja Shala kushtet financiare nuk i kanë të mira. I vetmi burim financiar ishte puna që tashmë e bënte i ndjeri, Agroni, 24-vjeçar i cili kishte punuar në Gjermani.

“Kushtet nuk i kanë aq mirë, ngase nuk punon asnjëri nga familjarët. Ky ma (Agroni), ka qenë azil dhe e kanë kthyer në Kosovë”, rrëfehen nën lot nga familja e të ndjerëve.

E ndërkohë që organet e hetuesisë kosovare po i vazhdojnë hetimet rreth këtij aksidenti të rëndë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, deklaroi për mediat se sipas vendit të ngjarjes, shkaktar i aksidentit është tejkalimi.

“Sipas vendit të ngjarjes, shkak i aksidentit është tejkalimi nga vetura ku mbetën të vdekur tre persona, edhe pse në atë pjesë tejkalimi ka qenë i lejueshëm”, tha Beka.

Ai shtoi se për këtë aksident nuk ka ende ndonjë person të ndaluar.

“Të ndaluar nuk ka njëherë, po presim ekspertizën rreth aksidentit, por shenjat e para janë se fajtor i këtij aksidenti është ngasësi i veturës, i cili ka vdekur”, tha Beka.

Ai shtoi se sipas prokurorit kujdestar, edhe pse tejkalimi në atë pjesë ka qenë i lejueshëm, shoferi i veturës nuk e ka matur mundësinë për tejkalim.

Në këtë aksident ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.

Kryeprokurori Beka tha pse nga eskorta e ambasadores më së shumti lëndime ka pësuar kjo e fundit.

Ambasadorja turke që pësoi lëndime në këtë aksident është dërguar në Turqi për trajtim mjekësor.