Lajme
Rregulla të reja për patentë shoferët në BE
Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshimet për modernizimin e rregullave të patentave të shoferëve në Bashkimin Evropian, duke lejuar 17-vjeçarët të ngasin automjete në prani të një shoferi me përvojë dhe duke prezantuar patentën dixhitale.
Në seancën plenare të mbajtur në qytetin francez të Strasburgut, eurodeputetët miratuan rishikimin e rregullave për patentat e shoferëve, të cilat përfshijnë dispozita të reja për shoferët e rinj, patentat dixhitale dhe ndalimet e drejtimit.
Sipas Asamblesë Evropiane, ky përditësim synon rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve, që çdo vit shkaktojnë gati 20,000 viktima në rrugët e BE-së.
Patentë për 17-vjeçarët dhe periudhë prove
Sipas rregullave të reja, 17-vjeçarët mund të marrin patentën e kategorisë B (automjete për pasagjerë), por do të duhet të ngasin vetëm në prani të një shoferi me përvojë deri në moshën 18 vjeç.
Për herë të parë vendoset një periudhë prove dyvjeçare për shoferët e sapolicencuar, me rregulla më të rrepta dhe ndëshkime për drejtimin nën ndikimin e alkoolit ose për mosvendosjen e rripit të sigurimit apo pajisjeve për fëmijë.
Mosha për drejtuesit profesionistë
Për të zbutur mungesën e shoferëve profesionistë, rregullat e reja lejojnë që:
18-vjeçarët të marrin patentën e kategorisë C (kamionë)
21-vjeçarët të marrin patentën e kategorisë D (autobusë)
nëse kanë certifikatë të aftësisë profesionale. Përndryshe, mosha minimale mbetet përkatësisht 21 dhe 24 vjeç.
Patenta dixhitale
Një tjetër risi është patenta dixhitale, e cila do të jetë e qasshme përmes telefonit celular dhe do të bëhet formati kryesor në BE, duke zëvendësuar kartat fizike.
Trajnimi dhe vlefshmëria
Testi i patentës do të përfshijë tema të reja, si:
rreziqet e këndeve të verbra,
sistemet e asistencës për drejtuesit,
hapja e sigurt e derës,
dhe shpërqendrimi nga përdorimi i telefonit.
Patenta do të jetë e vlefshme:
15 vjet për motoçikleta dhe makina (ose 10 vjet nëse përdoret si dokument identiteti kombëtar);
5 vjet për kamionë dhe autobusë.
Shtetet anëtare mund të shkurtojnë periudhën e vlefshmërisë për shoferët mbi 65 vjeç, duke kërkuar kontrolle mjekësore më të shpeshta ose kurse përditësuese.
Kontrolle mjekësore dhe shkëmbim informacioni
Për marrjen ose rinovimin e patentës, shoferët do të duhet të kryejnë kontroll mjekësor që përfshin testimin e shikimit dhe të shëndetit kardiovaskular.
Po ashtu, vendet e BE-së do të shkëmbejnë informacion për pezullimet, konfiskimet dhe kufizimet e patentave, për të parandaluar drejtimin e rrezikshëm në shtetet e tjera.
Afatet e zbatimit
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Shtetet anëtare do të kenë tre vjet për t’i përfshirë në legjislacionin kombëtar dhe një vit shtesë për përgatitjen e zbatimit.
Kjo rishikim u propozua fillimisht nga Komisioni Evropian në mars 2023.
E-Diaspora
-
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA Me 190 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Zvicrës... -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit -
Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin
Jeta në Zvicër
-
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në... -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel -
Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA













