Kosova

Rreth 90 biznese vendore dhe të Diasporës bëhen bashkë në Prizren

Në kuadër të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, të organizuar nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën ‘Germin’, sot është mbajtur takimi B2B (biznes to biznes) mes bizneseve vendore dhe atyre nga diaspora.

Qëllim i këtij aktiviteti ka qenë që bizneset vendore të mund të takohem me investitorë të huaj dhe të shihet mundësia për bashkëpunim, raporton KosovaPress.

Lirim Krasniqi, nga organizata ‘Germin’, ka bërë të ditur se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 60 biznese të huaja dhe rreth 30 biznese vendore.

Ai bëri të ditur se bizneset që janë prezantuar në këtë aktivitet si sektor kryesor kanë përpunimin dhe prodhimin e ushqimit, sektorin e tekstilit, ndërtimit dhe transportit.

Krasniqi tha se një aktivitet i tillë është menduar se do të jetë efektiv për bizneset vendore, që të mund të bashkëpunojnë me ato të huajat.

Çantat që janë punime dore sot i ka prezantuar Valdrin Jahaj, për të cilin një takim i tillë është shumë i mirëseardhur.

Dekoret që i bënë për ëmbëlsira në këtë takim i ka prezantuar Tuba Koçbashli, e cila idenë për një takim të tillë e quan të qëlluar.

E të gjitha këto biznese që sot janë prezantuar në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren, i ka vizituar edhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali, Vat Marashi. Ai tha se kanë ardhur në këtë takim edhe me shumë biznesmenë italianë, e që duan të bashkëpunojnë me bizneset vendore.

Kurse drejtori i zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani, Bekim Brestovci, tha se si shoqatë kanë për qëllim të bëhen një urë lidhëse që bizneset vendore të eksportojnë mallrat ose prodhimet e tyre në tregun evropian.

Në kuadër të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, të organizuar nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën ‘Germin’, gjatë ditës do të bëhet lansimi i Zyrës Koordinuese për Diasporën, e cila ka për qëllim institucionalizimin e përpjekjeve për angazhim të diasporës në nivelin lokal.

Forumi i Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit ka filluar më 5 korrik, ndërsa sot është dita e fundit e këtij aktiviteti, njofton KosovaPress.